Në rajonet kufitare të Rusisë, ku që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë përqendruar dhjetëra mijëra trupa, gratë po përballen gjithnjë e më shpesh me dhunë, kërcënime dhe ngacmime nga personeli ushtarak.
Një pjesë e këtyre ushtarëve janë ish-të dënuar për krime të rënda, ndërsa të tjerë veprojnë me bindjen se gëzojnë pandëshkueshmëri, duke ditur se në vend të burgut, mund të dërgohen sërish në front.
Një nga rastet më tronditëse ndodhi në orët e para të mëngjesit të 28 tetorit 2025, në qytetin kufitar Shebekino, në rajonin Belgorod. Rreth orës 05:30, Svetlana, banore e këtij qyteti, doli nga banesa për të shëtitur tre qentë e saj. Në muzgun e mëngjesit, ajo vuri re një burrë me biçikletë, i veshur me uniformë ushtarake kamuflazhi, me një pushkë automatike të varur në shpinë.
Teksa ajo po afrohej te hyrja e pallatit, burri iu afrua papritur, mori armën dhe ia drejtoi në gjoks. “Kurvë, më ndiq, ose të qëlloj menjëherë”, i tha ai. Qentë e saj u shpërndanë nga frika. Ushtari e kapi Svetlanën për jake, i hodhi kapuçin mbi kokë dhe e tërhoqi zvarrë larg zonës së banuar, në errësirë.
Duke luftuar për jetën, Svetlana arriti të kapte këmbëzën e armës dhe e tërheqi, duke shpresuar se zhurma e të shtënës do të alarmonte banorët. Por askush nuk reagoi. Sulmuesi e goditi në kokë, e mbyti dhe e kërcënoi me thikë. “Ai më mbyti sikur e dinte saktësisht çfarë po bënte — jo për të më vrarë menjëherë, por për të më futur në një gjendje transi, për të më nënshtruar dhe për të më bërë të vuaja”, kujton ajo.
Shpëtimi erdhi rastësisht, kur një fqinj dëgjoi zhurmën dhe doli me një elektrik dore. Ushtari e liroi menjëherë Svetlanën dhe u arratis. Më vonë u konfirmua se sulmuesi ishte Alexei Kostrikin, një kriminel i dhunshëm i dënuar më parë për vjedhje dhe grabitje, i rekrutuar për të luftuar në Ukrainë.
Vetëm disa orë pas sulmit në Shebekino, Kostrikin shkoi në fshatin Novaya Tavolzhanka, ku vrau një burrë dhe përdhunoi bashkëshorten e tij. Një ekzaminim balistik tregoi se gëzhoja e qëlluar nga Svetlana dhe plumbi që vrau viktimën në Tavolzhanka ishin nga e njëjta armë.

Svetlana u thirr më vonë nga policia për identifikimin e autorit. Asaj iu tregua një fotografi dhe iu lëshua një mesazh zanor. “E njoha menjëherë zërin e tij. Po fliste me një shofer taksie me një ton të qetë, të shurdhër, pa asnjë emocion”, thotë ajo.
Banorët e zonës janë të tronditur se si një person me një të kaluar të tillë kriminale mund të lëvizte lirshëm i armatosur në qytetet kufitare dhe pse policia ushtarake nuk e kishte nën mbikëqyrje. “Si përfunduan këta njerëz në ushtri?”, pyesin vendasit në rrjetet sociale, ndonëse rekrutimi masiv i të burgosurve është tashmë një praktikë e njohur.
Pas sulmit, Svetlana vuan nga kriza paniku, pagjumësi dhe frikë e vazhdueshme. Ajo është diagnostikuar me krizë nervore dhe po trajtohet me terapi dhe medikamente kundër depresionit.
“Nuk pushoj së menduari se çfarë do të kishte ndodhur po të mos kishte dalë fqinji”, thotë ajo, raporton Theinspress.
Rritje e krimeve seksuale
Në mungesë të statistikave zyrtare për krimet e kryera nga personeli ushtarak, situata pasqyrohet vetëm përmes të dhënave indirekte. Sipas statistikave gjyqësore, Rusia regjistroi 2,000–2,200 raste përdhunimi dhe 8,000–8,300 krime të tjera seksuale çdo vit gjatë periudhës 2022–2024, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet 2019–2021.
Rajonet kufitare, me prani të përhershme të trupave, janë veçanërisht të prekura. Në verën e vitit 2025, një grua 39-vjeçare në Belgorod raportoi një tentativë përdhunimi nga ushtari Magomed Mirzaev, i cili rezultoi se kishte një histori të gjatë dhune seksuale dhe ishte falur më herët pas dënimeve, duke u rikthyer sërish në front.
Raste të tjera përfshijnë përdhunimin e një vajze 11-vjeçare nga një kaporal në Belgorod dhe një ushtar tjetër që u dënua me 15 vjet burg për abuzim seksual ndaj vajzës së tij 10-vjeçare, pasi ishte kthyer nga lufta.

Ngacmimet janë bërë aq të shpeshta sa shumë gra kanë frikë të udhëtojnë me tren. Ushtarët, shpesh të dehur dhe agresivë, perceptohen si “të paprekshëm”. Në disa raste, civilët kanë marrë drejtësinë në duart e tyre. Në gusht 2025, një burrë në rajonin Kursk vrau me sëpatë një ushtar që kishte ngacmuar seksualisht partneren e tij.
Ekspertët theksojnë se problemi thelbësor është politika e rekrutimit të të dënuarëve si mënyrë për të shmangur burgun. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, numri i çështjeve penale të pezulluara është rritur më shumë se dhjetëfish, sidomos pas miratimit të një dispozite që lejon pezullimin e procedurave për personat e thirrur në shërbim ushtarak.
Mbi 17,000 raste janë pezulluar në gjykata, ndërsa mijëra të tjera janë ngrirë në fazën e hetimit. Mesazhi që përcillet është i qartë: edhe krimet më të rënda mund të falen, nëse uniforma ushtarake vishen sërish.
The Geo Post

Italia ekstradon në SHBA hakerin kinez të akuzuar për spiunazh për Pekinin
Merz thotë se rruga e Ukrainës drejt BE-së është çelësi për t’i dhënë fund luftës me Rusinë
Propaganda si armë lufte: Hulumtimi zbulon ndikimin e narrativave të Kremlinit te ushtarët rusë
Nga propaganda te pushtimi: Si Rusia synon dominimin në rajon
Të shtëna në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë: Trump evakuohet, i dyshuari arrestohet
Shkatërrues të rinj dronësh në frontin e luftës në Ukrainë