Viktor Orban, Ajatollah Ali Khamenei dhe Nicolas Maduro – tre udhëheqës të konsideruar jodemokratikë dhe aleatë të afërt të Kremlinit – nuk janë më në pushtet që nga fillimi i këtij viti, ndërsa reagimi i Moskës ndaj rrëzimit të tyre ka qenë i kufizuar kryesisht në deklarata.
Sipas studiuesit të “New Third Way”, Dragoslav Rašeta, i cili ka folur për portalin N1, kjo rrjedhë ngjarjesh është e pritshme, pasi Rusia – edhe nëse do të donte – “nuk ka as fuqi të fortë, as fuqi diplomatike” për të ndihmuar aleatët e saj, për shkak të shterimit të burimeve dhe izolimit ndërkombëtar të lidhur me luftën në Ukrainë.
Më 3 janar, Shtetet e Bashkuara kryen atë që e quajtën operacion arrestimi ndaj presidentit venezuelian Nicolas Maduro, i cili u transferua në SHBA dhe tash është në gjyq nën akuza për “narkoterrorizëm”. Pavarësisht marrëdhënieve të ngushta strategjike mes Karakasit dhe Moskës për më shumë se dy dekada, reagimi rus u kufizua në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, me thirrje për lirimin e Maduros dhe negociata mes SHBA-së dhe Venezuelës.
Në Iran, udhëheqësi suprem Ajatollah Ali Khamenei u vra më 28 shkurt në një sulm me dron, në fillim të përshkallëzimit të luftës në Lindjen e Mesme dhe sulmeve ndaj Iranit nga Izraeli dhe SHBA-të. Edhe këtu, sipas rrëfimit të Rašetës, mbështetja e Moskës mbeti kryesisht verbale: Lavrov shprehu ngushëllime, ndërsa Putini e cilësoi vrasjen si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe normave njerëzore.
Ndërkohë në Evropë, Viktor Orban – i cili për 16 vjet udhëhoqi Hungarinë dhe u konsiderua një “frene ruse” brenda Bashkimit Evropian, sidomos për shkak të pengesave ndaj ndihmës për Ukrainën – humbi zgjedhjet, ndërsa kryeministri i ri Peter Magyar paralajmëroi afrimin me Brukselin. Kremlini reagoi ashpër: zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi se Moska nuk do ta uronte Hungarinë, duke e quajtur atë “vend armik” për shkak të mbështetjes ndaj sanksioneve kundër Rusisë.
Rašeta thotë se marrëdhëniet e Rusisë me këto vende ishin të ndryshme, por të bashkuara nga një fije ideologjike anti-perëndimore. Në rastin e Iranit, Teherani shihej si investim strategjik për të kufizuar ndikimin amerikan në Lindjen e Mesme; ndërsa Hungaria e Orbanit shërbente për të bllokuar vendimmarrjen e BE-së lidhur me Ukrainën.
Sipas tij, paaftësia e Moskës për t’i dalë në ndihmë aleatëve vjen kryesisht nga lufta katërvjeçare në Ukrainë: burimet janë shteruar, presioni ekonomik është rritur dhe Rusia ka humbur ndikim diplomatik, duke u përjashtuar nga shumë forume ndërkombëtare.
Rasheta vlerëson se humbja më e rëndë për Kremlinin është largimi i Orbanit, pasi kjo mund t’i hapë rrugë BE-së për të siguruar financim dhe mbështetje afatgjatë për Ukrainën.
“Hungaria ishte aleati më i rëndësishëm i Rusisë nga të tre të përmendurit. Dhe nuk besoj se Rusia ka, apo do të ketë, një aleat si Hungaria e udhëhequr nga Viktor Orban,” përfundon ai.
Në një vit të rëndë për aleatët e Putinit, përfundimi i sundimit të Maduros, Khameneit dhe Orbanit po shihet si sinjal i qartë se ndikimi i Moskës jashtë kufijve të saj ka rënë ndjeshëm – dhe se aleanca me Kremlinin nuk garanton më mbështetje vendimtare në momentet kyçe.
The Geopost

Shefi i CIA-s: Një ushtar rus mbijeton mesatarisht 20–30 minuta në Ukrainë
Europoli dhe algoritmi i ri kundër terrorizmit
Gjermania dhe Franca nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtje dhe pengim bërthamor
BE vendos sanksione ndaj grupit rus të teknologjisë së mbrojtjes
Rusia përballet me mungesë pajisjesh për anijet Arc7, Kina nuk i eksporton për shkak të sanksioneve
Komisioni Evropian: Mali i Zi po bën përparim, Serbia ende përballet me sfida serioze