Jo shumë kohë më parë, Rusia dërgonte bombardues strategjikë në Venezuelë për të mbështetur Nicolas Maduron. Sot, Moska e vëzhgoi në heshtje teksa Shtetet e Bashkuara e rrëzuan atë me forcë. Çfarë do të thotë kjo, veçanërisht për luftën në Ukrainë?
Gjatë vizitës së tij në Moskë me rastin e Ditës së Fitores, në maj të vitit 2025, Nicolas Maduro e mbuloi me lavde presidentin rus Vladimir Putin. Presidenti venezuelian e quajti Rusinë “forcë kyçe të njerëzimit”. Dy liderët nënshkruan atëherë një marrëveshje për “partneritet strategjik dhe bashkëpunim”.
Më 3 janar, Rusia mbeti vetëm një vëzhguese, ndërsa Shtetet e Bashkuara e morën Maduron dhe bashkëshorten e tij me forcë dhe i dërguan në Nju Jork, ku po gjykohen për trafik droge, shkruan Deutsche Welle.
Tre ditë pas rrëzimit të presidentit venezuelian, Vladimir Putin vazhdon të heshtë. Më herët, Ministria e Jashtme ruse kishte shprehur shqetësim dhe kishte kërkuar lirimin e Maduron, si dhe negociata mes SHBA-së dhe Venezuelës. Pas një bisede telefonike në fillim të dhjetorit, sipas njoftimeve zyrtare, mesazhi i fundit që Maduro mori nga Putini ishte një urim për Vitin e Ri.
Maduro ishte një nga të paktët krerë shtetesh që mbështeti Rusinë në shkurt të vitit 2022, kur Moska njohu republikat separatiste të Donjeckut dhe Luganskut, përpara sulmit të madh ndaj Ukrainës. Në dhjetor të vitit 2018, Rusia dërgoi dy bombardues strategjikë Tu-160 në stërvitje në Venezuelë, çka u interpretua nga ekspertët si shenjë mbështetjeje për Maduron.
Avionët u ulën në aeroportin e Karakasit – i njëjti aeroport nga i cili SHBA evakuan sundimtarin venezuelian. Mbrojtja ajrore ruse nuk ishte në gjendje ta mbronte atë, siç deklaroi tani ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Si mund të ndodhte kjo?
“Mbështetja ruse për Venezuelën ishte më shumë simbolike sesa praktike”, thotë Neil Melvin, ekspert i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), në një intervistë për DW. Sipas tij, Rusia nuk është në gjendje të sfidojë përdorimin e forcës ushtarake amerikane në rajonin përkatës. Edhe politologu gjerman dhe autori i një libri mbi politikën e jashtme ruse, Felix Riefer, nuk është i befasuar.
Pas rikthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë dhe afrimit mes Moskës dhe Uashingtonit, Rusia ka reaguar “me përmbajtje relative” ndaj “sinjaleve amerikane lidhur me Venezuelën”, thotë Riefer. “Rusia, në thelb, e kishte braktisur Maduron që më herët.”
Një nga arsyet kryesore është lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe ndryshimi i rolit të SHBA-së – nga partner perëndimor i Kievit në ndërmjetës, besojnë të dy ekspertët. Rusia shmang kritikat e ashpra ndaj Uashingtonit sepse “nuk dëshiron ta largojë atë”, thotë Melvin. Sipas tij, retorika e Moskës për ngjarjet në Venezuelë do të ishte “shumë më e ashpër” nëse nuk do të kishte luftë në Ukrainë – por jo më shumë se kaq.
Eksperti britanik nuk sheh pasoja të drejtpërdrejta për luftën në Ukrainë. Kjo mund të ndryshojë nëse Trump nuk ndalet me Venezuelën, por shkon më tej dhe, për shembull, përpiqet të “aneksë” Grenlandën, e cila i përket Danimarkës – diçka që presidenti amerikan e ka lënë sërish të kuptohet së fundmi. NATO, sipas Melvinit, ndoshta nuk do t’i mbijetonte një zhvillimi të tillë. Një qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen. Po çfarë mendojnë ukrainasit?
Optimizëm i kujdesshëm në Ukrainë
Zyrtarët në Kiev i komentojnë me kujdes ngjarjet në Venezuelë. Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar: “Nëse diktatorët mund të trajtohen në këtë mënyrë, atëherë SHBA e di se çfarë duhet bërë më pas.” Ministria e Jashtme e Ukrainës ka kujtuar se nuk e njeh Maduron si president.
Ekspertët në Kiev janë me optimizëm të përmbajtur. Tregjet presin që në një të ardhme të afërt të ketë normalizim të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Venezuelës, çka do ta hapte Venezuelën për prodhim nafte dhe do të kishte ndikim të madh në ekonominë globale dhe në çmimet e naftës, vlerëson Oleščuk, analist politik nga Universiteti i Kievit.
“Çdo gjë që ul çmimet e naftës është në dobi të Ukrainës dhe mund të ndikojë pozitivisht në negociata. Sa më e lirë të jetë nafta, aq më pak para ka Rusia dhe ideja se ajo mund të zhvillojë një luftë të pafund bëhet gjithnjë e më pak bindëse”, thotë Oleščuk.
Përveç kësaj, Venezuela kishte investime të mëdha kineze në sektorin e naftës dhe gazit. Këto investime tani kanë rënë, çka – sipas Serhiy Kraiev, ekspert i Qendrës Ukrainase “Prizma” – mund të shërbejë si instrument shtesë presioni. Sipas tij, shtrohet pyetja nëse Trump do ta përdorë këtë si kartë negociuese në raport me Putinin dhe presidentin kinez Xi Jinping. “Ekziston potencial për ta formësuar më aktivisht situatën”, thotë analisti.
Oleščuk beson se rasti Maduro mund të ketë edhe pasoja indirekte për balancën e pushtetit në kontekstin ukrainas, pasi Putini është ndikuar më herët nga fati i diktatorit libian Muammar Gaddafi.
“Mendoj se Putini mund ta projektojë këtë mbi veten dhe të shqetësohet seriozisht për sigurinë e tij personale. Kjo mund të ndikojë edhe në perspektivat e negociatave.” Megjithatë, sipas Oleščukut, është pak e mundshme që dikush ta ketë konsideruar seriozisht aplikimin e masave të ngjashme ndaj presidentit rus.
Një tjetër pikë ku mediat kanë tërhequr paralele me Ukrainën është teza se SHBA, me arrestimin e Maduron, mund ta “dobësojë” rolin e saj si partner demokratik negociues. Megjithatë, ekspertët me të cilët bisedoi DW janë skeptikë. Këto veprime përputhen me doktrinën amerikane të hemisferës perëndimore si sferë interesi, thotë Oleščuk. Ai thekson se është e pamundur të krahasohet arrestimi i Maduron me agresionin rus ndaj Ukrainës: “Në rastin e Venezuelës, SHBA nuk po anekson territor dhe nuk pretendon se Venezuela është një shtet fiktiv.”
Ekspertët: Pozicioni i Rusisë po dobësohet
Politologu gjerman Felix Riefer sjell një argument të ngjashëm. Rusia mund të përpiqet ta përdorë rastin e Venezuelës për të justifikuar edhe një herë agresionin e saj ndaj Ukrainës. Kjo është e mundur, por “krahasimi i drejtpërdrejtë nuk qëndron”. Riefer është i bindur se reputacioni i Moskës në botë është dobësuar:
“Kush mbështetet te Rusia, nuk duhet të shpresojë se do të mbrohet.”
Neil Melvin thekson se kjo nuk është aspak hera e parë.
“Rusia ka humbur Armeninë, Sirinë dhe tani edhe Venezuelën”, thotë eksperti i sigurisë. “Pozicioni ndërkombëtar i Rusisë po dobësohet dukshëm, sepse ajo po përshkallëzon luftën kundër Ukrainës dhe nuk ka më burime për të ruajtur marrëdhënie të tilla.”
Edhe në rastin e Kubës – partnerit më të rëndësishëm të Rusisë në Amerikën Latine dhe një prej aleatëve më të afërt të Venezuelës – protestat e Moskës mund të jenë më të zëshme, por opsionet ruse janë “shumë të kufizuara”, vlerëson Melvin. Kuba është ndër vendet ndaj të cilave presidenti Trump ka shtuar së fundmi presionin verbal.

Ukraina kërkon para e teknologji në këmbim të ofrimit të ndihmës për Lindjen e Mesme rreth dronëve
BE do të pezullojë fondet për Bienalen e Venedikut nëse Rusisë i lejohet pjesëmarrja
Trump thotë se SHBA-ja e ka goditur ishullin Harg, zotohet për mbrojtjen e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit
Dezinformimi rus për luftën në Lindjen e Mesme
Krizë brenda ushtrisë iraniane: Mungesë furnizimesh, dezertime dhe përplasje me Gardën Revolucionare
Kuvendi i Shqipërisë me projekt-rezolutë: Irani të shpallet shtet sponsor i terrorizmit