Bashkimi Evropian po bën thirrje për sanksione financiare kundër kreut të Kishës Ortodokse Ruse, kreut rus të Federatës Ndërkombëtare të Shahut, një historian që është këshilltar i ngushtë i Presidentit Vladimir Putin dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.
Lista e propozuar, e siguruar nga REL, është pjesë e një raundi të ri penalitetesh financiare që do të shqyrtohen nga blloku 27-anëtarësh. Vendimi, i cili kërkon miratim unanim nga të gjitha shtetet anëtare, nuk ka gjasa të merret deri në fund të qershorit ose në fillim të korrikut.
Sanksionimi i Patriarkut Kirill, kreut të Kishës Ortodokse Ruse – kisha më e madhe ortodokse – shihet si një hap i madh për BE-në, e cila u ka rezistuar masave që synojnë figurat fetare.
Kirilli njihet gjerësisht për afërsinë e tij me Kremlinin dhe Putinin. Si kreu i Kishës Ortodokse Ruse, e cila është padyshim konfesioni më i madh i krishterë në vend, Kirilli i ka dhënë bekimin e tij luftës kundër Ukrainës, e cila tani është në vitin e saj të pestë.
Kjo kontribuoi në përçarjen midis Kishës Ortodokse Ruse dhe Kishës Ortodokse të Ukrainës, e cila u nda zyrtarisht nga Patriarkana e Moskës.
Sipas dokumenteve të deklasifikuara zvicerane, Kirill dyshohet se ka punuar edhe për agjencitë e inteligjencës sovjetike.
Dokumenti i BE-së thotë se Kirill “vazhdimisht e justifikoi dhe e mbështeti luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës”, duke e quajtur atë “të shenjtë”.
Ndër figurat e tjera që do të jenë në shënjestër të sanksioneve të BE-së është Vladimir Medinsky, një historian i cili ka marrë kritika nga akademikë të tjerë për riinterpretimet e tij të historisë ruse dhe ukrainase.
Medinsky ishte ministër i kulturës nën Putinin dhe ishte anëtar i ekipit negociator të dërguar nga Kremlini për të biseduar me Ukrainën rreth përfundimit të luftës.
Një seri librash të historisë ruse që Medinsky mbikëqyri përfshijnë një justifikim për pushtimin e Ukrainës nga Rusia: “Perëndimi u fiksua me destabilizimin e situatës brenda Rusisë. Qëllimi nuk ishte i fshehur: të copëtohej Rusia dhe të merrej kontrolli mbi burimet e saj.”
Propozimi i BE-së thotë se Medinski është “një figurë qendrore në propagandën qeveritare”.
Midis 42 emrave të përfshirë në listën e propozuar të sanksioneve janë Arkady Dvorkovich, një ish-zëvendëskryeministër i cili tani kryeson Federatën Ndërkombëtare të Shahut, e njohur si FIDE; Ministri rus i Sportit Mikhail Degtyarev; dhe kreu i Lukoil, kompania më e madhe private e naftës në Rusi, Vagit Alekperov.

Alarm nga Demokratët Evropianë: Njerëz të lidhur me Vuçiqin mund të provokojnë përplasje sonte në Serbi
Merz ngre alarmin: Rusia po përpiqet të destabilizojë Gjermaninë
SHBA-ja i shpall Institutet kineze Konfuci kërcënim për sigurinë kombëtare
Austria dëbon katër diplomatë rusë, shpallen “persona non grata”
Franca dhe Britania kryejnë simulimin e parë të përbashkët të një sulmi bërthamor
NATO “zbarkon” në Ukrainë, në fokus ndihma ushtarake