Aleksandar Vuçiq, Aleksej Lihaçov dhe ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Harçenko
Serbia ka një ligj që nga viti 1989, i cili ua ndalon zyrtarëve të saj të diskutojnë çështjet që lidhen me ndërtimin e energjisë bërthamore dhe objektet e ciklit të karburantit bërthamor në vend. Megjithatë, në shtator të vitit 2024, pa asnjë diskutim në Parlamentin e Serbisë, u miratuan më shumë se 60 ligje dhe amendamente, ndër të cilat edhe Ligji për Energjetikën.
Gynen Venhari
Me këto ndryshime ligjore synohet sigurimi i një stabiliteti më të madh energjetik gjatë tranzicionit drejt burimeve të pastra të energjisë, ndërsa një pjesë e veçantë e Ligjit i referohet edhe programit për zhvillimin e energjisë bërthamore. Siç theksohet, ky program është i ndarë në tri faza: shqyrtimi i arsyeshmërisë së qasjes ndaj zhvillimit të energjisë bërthamore, hartimi i programit dhe zbatimi i tij.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, edhe në këtë çështje, sikurse në politikën e jashtme, po vazhdon të luajë në realitetet e reja të krijuara nga pushtimi rus i Ukrainës, duke vendosur një strategji për të ardhmen bërthamore të Serbisë.
Për këtë çështje, Vuçiq delegoi edhe njeriun e tij të afërt dhe të Moskës, Aleksandar Vulin. Gjatë vizitës së tij në Moskë, më 16 tetor, në cilësinë e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Vulin zhvilloi një takim me Alexey Likhachev, drejtorin e Përgjithshëm të Korporatës Shtetërore të Energjisë Atomike të Rusisë – Rosatom.
Çfarë është Rosatom?
Rosatom është një korporatë shtetërore ruse me seli në Moskë, e specializuar në energjinë bërthamore. E themeluar në vitin 2007, ajo përfshin më shumë se 360 ndërmarrje, përfshirë organizata kërkimore shkencore dhe kompleksin e armëve bërthamore. Rosatom është një nga korporatat më të mëdha në industrinë globale të energjisë bërthamore dhe renditet e para për prodhimin e energjisë elektrike në Rusi.
Fokusi kryesor i zgjerimit të Rosatomit janë shtetet që kanë qenë pjesë e ish-BRSS-së, ndërsa së fundmi ka realizuar një projekt edhe në Lindjen e Mesme, konkretisht në Iran. Marrëveshja për këtë projekt u arrit në vitin 2011, ndërsa qendra u ndërtua në qytetin Bushehr dhe u emërtua si Bushehr 1. Projekti synon të zgjerohet me Bushehr 2 dhe Bushehr 3. Punimet filluan në vitin 2016, ndërsa qëllimi është përfundimi në vitin 2024, respektivisht 2026. Bushehr 1 është termocentrali i parë bërthamor në Lindjen e Mesme.

Realizimi i këtij projekti ka ngritur tensione mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak se Irani përballet me sanksione ndërkombëtare lidhur me zhvillimet e tij bërthamore.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin dhe drejtorin e Rosatomit, Aleksej Likhachev, në Pekin, e ka riafirmuar mbështetjen për projektin, duke e paraqitur atë si një “mundësi historike” për Serbinë. Megjithatë, pas rrëfimit për “përparim teknologjik”, sipas kritikëve, fshihet një forcim strategjik i ndikimit rus në rajon.
Ndërkohë që Evropa investon në pavarësinë energjetike dhe burimet e ripërtëritshme, Serbia po zhytet gjithnjë e më thellë në varësinë ndaj Moskës. Dëshmia më e fundit për këtë janë deklaratat e Marija Deuriq, drejtoreshë e zyrës përfaqësuese të korporatës shtetërore ruse Rosatom në Serbi, e cila konfirmoi se Beogradi dhe Moska “po zhvillojnë negociata aktive” për ndërtimin e një termocentrali bërthamor në Serbi.

Ndërkohë, javën e kaluar në Hungari u përurua gurthemeli për termocentralin bërthamor Paks 2, i cili po ndërtohet sipas një projekti të Rosatomit. Fillimi i punimeve në kantierin e ndërtimit në Paks u njoftua nga drejtori i përgjithshëm i Rosatomit, Alexei Likhachev, dhe ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó.
Rusia është e gatshme të realizojë çdo projekt bërthamor në Serbi, në çfarëdo forme, dhe Beogradi ka fjalën e fundit, deklaroi Aleksej Likhachev në një konferencë për shtyp pas hedhjes së gurthemelit të centralit bërthamor Paks II në Hungari. Ai theksoi se vendimi përfundimtar do të jetë në dorën e qeverisë dhe presidentit të Serbisë.

A do ta ndërtojë përfundimisht Serbia një termocentral bërthamor për të shtrirë ndikimin e Rusisë në Ballkan, apo do të mbetet ky projekt një rrezik serioz i ardhshëm për sigurinë në rajon, mbetet për t’u parë.
Projekti i Rosatomit filloi si një bashkëpunim shkencor, evoluoi në termocentral bërthamor dhe, pas disa vitesh, mund të shndërrohet në një armatim kërcënues për rajonin. Diplomacia perëndimore nuk duhet të lejojë një eksperiment të tillë rus në Ballkan.
The Geo Post

NATO kërkon nga Serbia përgjegjësi të plotë për sulmin e armatosur në Banjskë
Gallup: Kosova ndër pesë vendet me opinionin më pozitiv për Trump – Serbia kryeson për vlerësimin e Putinit
Propaganda ruse në Maqedoninë e Veriut
Deri kur Dodik do ta mohojë gjenocidin në Srebrenicë pa u ndëshkuar?
Urimi i Lavrovit për Karan – një sinjal i qartë i ndikimit rus në Republikën Sërpska
BE: Me arrestimin e shtetasve të Kosovës, Serbia po shkel marrëveshjen e vitit 2015