Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misioni në Kosovë, i është përgjigjur pyetjeve të The GeoPost lidhur me një postim të punonjësit të saj, Vladan Kostiq, i cili kishte shprehur admirim për ish-komandantin e Ushtrisë së Serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq.
Kostiq kishte publikuar në profilin e tij personal në Facebook një mesazh pas vdekjes së Mlladiqit, duke shkruar: “Gjeneral, gjithmonë të qoftë lavdia e përjetshme.”
Postimi kishte qëndruar për disa orë në profilin e tij, përpara se të fshihej.
Ratko Mlladiq ishte një nga figurat kryesore ushtarake të forcave serbe të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992–1995.
Ai u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për gjenocid, përndjekje, vrasje, dëbime, terrorizim të civilëve dhe krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Mlladiqi ishte komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska dhe një nga figurat qendrore të fushatave ushtarake të forcave serbe të Bosnjës gjatë luftës. Ai lidhet veçanërisht me rrethimin e Sarajevës dhe me masakrën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë. Krimet në Srebrenicë janë cilësuar si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e dënoi fillimisht Mlladiqin në vitin 2017, ndërsa në vitin 2021, pas ankesës, dënimi me burgim të përjetshëm u la në fuqi nga Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale. Vendimet gjyqësore e kanë përcaktuar përgjegjësinë e tij penale për disa nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Pavarësisht këtyre vendimeve ndërkombëtare, figura e Mlladiqit vazhdon të jetë objekt glorifikimi në pjesë të shoqërisë serbe dhe në qarqe nacionaliste, ndërsa portretet dhe simbolika që lidhen me të janë shfaqur në raste të ndryshme publike në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.
Për viktimat dhe familjet e tyre, çdo lavdërim i Mlladiqit shihet si mohim ose relativizim i krimeve për të cilat ai është dënuar.
Në këtë kontekst, postimi i një punonjësi të një organizate ndërkombëtare në Kosovë, në të cilin Mlladiqi cilësohet si “gjeneral” dhe i urohet “lavdia e përjetshme”, ka ngritur pikëpyetje lidhur me standardet e sjelljes që zbatohen për personelin e OSBE-së, veçanërisht në një vend ku trashëgimia e luftës dhe krimet e viteve 1998–1999 mbeten çështje tejet të ndjeshme.
E pyetur nga The GeoPost për rastin, OSBE-ja theksoi se të gjithë anëtarët e stafit të saj janë të detyruar t’i përmbahen Kodit të Sjelljes së organizatës, i cili përcakton standarde të larta të sjelljes personale dhe profesionale, edhe jashtë orarit të punës.
“Të gjithë anëtarët e stafit të OSBE-së janë të obliguar t’i përmbahen Kodit të Sjelljes së OSBE-së, i cili kërkon që ata të ruajnë standardet më të larta të sjelljes personale dhe profesionale në çdo kohë, si gjatë ashtu edhe jashtë detyrës, dhe të përmbahen nga aktivitetet që mund të ndikojnë negativisht në integritetin, pavarësinë ose paanshmërinë e pozitës dhe funksionit të tyre”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së.
Organizata ka bërë të ditur se nuk komenton raste që lidhen me personel individual, por ka nënvizuar se pretendimet për sjellje që mund të jenë në kundërshtim me Kodin e Sjelljes trajtohen me seriozitet.
“OSBE-ja nuk komenton çështje që lidhen me personel individual. Megjithatë, çdo pretendim për sjellje që mund të jetë në kundërshtim me Kodin e Sjelljes merret seriozisht dhe ekzistojnë procedura të përcaktuara për shqyrtimin dhe adresimin e çështjeve të tilla, sipas rastit”, thuhet në fund.
The GeoPost

Eksperti gjerman: Serbia mbetet faktori kryesor destabilizues në Ballkan, Vuçiq përdor nacionalizmin për pushtet
Spiunë kundër popullit: BIA në fushatën zgjedhore si instrument i Vuçiqit
Gazeta gjermane FAZ: Durimit të BE-së me Serbinë i erdhi fundi – Vuçiqi nuk duhet të tolerohet më
Togeri i Kosovës, Jevtiq, i përcolli BIA-s dokumente dhe plane operative të Policisë
Ministri i Jashtëm i Bosnjës u shkruan shteteve të OKB-së të sanksionojnë Serbinë për nderimet shtetërore për Mlladiqin
Zyrtari rus i futbollit dhe ish-oficeri i inteligjencës bëhet shtetas i ri serb