Filmi “The Harvest”, i prezantuar si bashkëprodhim amerikano-serb dhe i lansuar së fundmi në Beograd, ka rikthyer në vëmendje pretendimet e diskredituara për trafikim organesh gjatë luftës në Kosovë, duke nxitur reagime dhe shqetësime për përdorimin e kinematografisë si mjet propagande.
Sipas autorëve, filmi trajton rrëmbimin dhe trafikimin ilegal të organeve të civilëve serbë në Kosovë, duke implikuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Megjithatë, këto pretendime nuk mbështeten nga hetimet ndërkombëtare.
Akuzat për herë të parë u bënë publike në librin “Zonja Prokurore” të ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte. Por, më pas ato u hetuan nga misione ndërkombëtare pa u konfirmuar.
Në vitin 2010, ish-shefi i hetimeve për krime lufte në EULEX, Matti Raatikainen, deklaroi se NUK kishte prova që mbështesnin pretendimet për trafikim organesh nga UÇK-ja.
Një përfundim i ngjashëm u dha edhe nga prokurori amerikan Clint Williamson në vitin 2014, i cili njoftoi se hetimet nuk kishin prodhuar dëshmi të besueshme për këtë lloj krimi.
🇷🇸🇺🇸 The premiere of international film “Harvest”, an American-Serbian co-production with a notable international cast was held last night in Belgrade.
The film is about the illegal organ trafficking involving Serbian civilians in Kosovo and Metohija, and the involvement of the… pic.twitter.com/0nBmoyXJZN
— Arno Gujon (@ArnoGujon) March 18, 2026
Edhe krerët institucionalë në Kosovë kanë hedhur poshtë këto pretendime.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se e ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” nuk ka ekzistuar si vend për trafikim organesh, duke e cilësuar këtë narrativë si pjesë të një fushate hibride kundër Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas tij, kjo narrativë është promovuar fillimisht në vitin 2008 nga deputeti rus Konstantin Kosachev, pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kush është Arnaud Gouillon?
Në qendër të promovimit të këtij filmi dhe narrativave të ngjashme është Arnaud Gouillon, një shtetas francez me lidhje të forta politike dhe institucionale në Serbi.
Gouillon ka jetuar për vite në Beograd, zotëron shtetësi serbe dhe është i përfshirë në strukturat shtetërore si drejtor i Drejtorisë për Bashkëpunim me Diasporën në kuadër të Ministrisë së Jashtme të Serbisë. Ai është gjithashtu anëtar i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), partia në pushtet.
I njohur për qëndrimet e tij të ekstremit të djathtë, Gouillon ka themeluar në vitin 2005 organizatën “Solidariteti për Kosovën”, përmes së cilës ka zhvilluar aktivitete humanitare në enklavat serbe, por që sipas kritikëve ka shërbyer edhe si platformë për ndikim politik dhe propagandë.
Ai ka qenë aktiv në qarqe nacionaliste në Francë dhe Evropë, duke bashkëpunuar me lëvizje të ekstremit të djathtë dhe organizata me prirje pro-ruse.
Në të kaluarën, ai ka marrë pjesë në aktivitete dhe kampe me karakter ideologjik dhe paramilitar, si dhe ka mbajtur qëndrime kundër emigrantëve dhe politikave liberale në Evropë.
Gouillon ka lidhje të afërta edhe me struktura dhe media ruse, përfshirë daljet në platforma si Sputnik, ku promovon narrativa që përputhen me diskursin zyrtar të Kremlinit për Ballkanin.
Rreth shtatë vjet më parë, Arno Gujonit i ishte ndaluar hyrja në Kosovë.
Asokohe, duke u thirrur në informacione operative, policia kosovare Gujonin e kishte identifikuar si person me mision të fshehtë andaj kishte ndodhur edhe ndalimi i hyrjes së tij.
Në pikën kufitare Merdare, forcat e rendit e kishin ndaluar falë informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Tendenca serbe me narrativa të rreme
Rasti i filmit “The Harvest” nuk është një fenomen i izoluar, por pjesë e një strategjie më të gjerë dhe të vazhdueshme të Serbisë për të riprodhuar dhe përhapur narrativa të diskredituara për luftën në Kosovë, veçanërisht ato që lidhen me pretendimet për trafikim organesh nga ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Kjo strategji i ka rrënjët që nga paslufta, kur autoritete dhe struktura të lidhura me shtetin serb kanë tentuar të zhvendosin fokusin nga krimet e dokumentuara gjatë konfliktit, drejt akuzave të pabazuara kundër palës shqiptare.
Një nga momentet kyçe në këtë drejtim ishte publikimi i raportit të Dick Marty në vitin 2010, i cili u përdor gjerësisht nga propaganda serbe për të legjitimuar këto pretendime, pavarësisht se më vonë hetimet ndërkombëtare nuk arritën të provojnë ekzistencën e një skeme të organizuar për trafikim organesh.
Në vitet në vijim, Serbia ka investuar në mënyrë sistematike në platforma të ndryshme, nga diplomacia publike dhe mediat ndërkombëtare, deri te prodhimet kulturore si libra, dokumentarë dhe filma, për ta mbajtur gjallë këtë narrativë.
Kjo qasje është pjesë e asaj që në studimet e komunikimit njihet si “ripaketim i narrativës”, ku një pretendim i vjetër prezantohet në forma të reja për të fituar besueshmëri dhe për të arritur audienca të reja.
Filma si “The Harvest” shërbejnë pikërisht këtij qëllimi: duke përdorur formatin artistik dhe emocional të kinemasë, ato synojnë të ndikojnë perceptimin publik ndërkombëtar më lehtë sesa raportet politike apo deklaratat zyrtare.
Kjo është veçanërisht efektive në një kontekst ku publiku global nuk ka njohuri të thelluara për historinë e konfliktit në Kosovë.
Paralelisht, këto përpjekje shpesh shoqërohen me aktivitete diplomatike dhe lobuese nga Serbia, si dhe me amplifikim në rrjete mediatike dhe platforma sociale, duke krijuar një efekt shumëfishues të mesazhit.
Në disa raste, kjo ndërthuret edhe me narrativa më të gjera gjeopolitike, të cilat synojnë të relativizojnë përgjegjësitë për krimet e luftës dhe të minojnë legjitimitetin e shtetësisë së Kosova.
Në këtë kontekst, “The Harvest” mund të shihet si një vazhdimësi e një fushate afatgjatë të ndikimit informativ, ku mjetet kulturore përdoren për qëllime politike, duke synuar riformësimin e narrativës ndërkombëtare mbi konfliktin e Kosovës./The Geopost/

Vuçiq vazhdon me pretendime për Kosovën: S’kemi qëllim të përdorim armë për “atë që i përket Serbisë”
Shqipëria dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje, hedhin poshtë pretendimet e Serbisë
Narrativat ruse dhe ndikimi në Serbi: Mesazhe që nxisin mosbesim ndaj BE-së
Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit në rastin Banjska
Në Prishtinë u mbajt konferenca “Demokracitë rezistente në epokën e informacionit”
Konjufca: Dezinformimi kërcënon stabilitetin demokratik, Kosova përballet me fushata nga Rusia dhe Serbia