Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do të zhvillojnë gjatë këtij viti stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake trepalëshe, e cila do të jetë në përputhje me konceptin strategjik të NATO-s dhe me objektivat euroatlantike të këtyre vendeve.
Ky bashkëpunim synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe avancimin e sigurisë rajonale në përputhje me standardet e Aleancës Veriatlantike.
Nisma ka nxitur reagime të forta në Serbi, ku presidenti Aleksandar Vuçiq e ka cilësuar këtë bashkëpunim si një “aleancë sulmuese” të drejtuar kundër “serbëve dhe Serbisë”.
Sipas tij, bashkëpunimi mes Prishtina, Tirana dhe Zagrebi përbën kërcënim për interesat serbe në rajon.
Në deklaratën për bashkëpunimin trepalësh theksohen katër fusha kryesore të veprimit. Ato përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në zhvillimin e aftësive mbrojtëse dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta ushtarake, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë institucionale, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik të Kosovës.
Në bazë të kësaj deklarate, Prishtina, Tirana dhe Zagrebi parashohin, ndër të tjera, edhe blerje të përbashkëta të armatimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të modernizimit të forcave të tyre të sigurisë dhe mbrojtjes.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi gjatë vizitës së tij në Nju Delhi se ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq lidhur me atë që ai e quajti “aleanca ushtarake e Kroacisë, Shqipërisë dhe Prishtinës”.
Sipas Vuçiqit, Plenkoviq e ka siguruar se kjo aleancë nuk është e drejtuar kundër Serbisë.
“Fola gjatë me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq dhe për herë të parë folëm për aleancën ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Mund të them se kryeministri Plenkoviq tha se ajo nuk ishte e drejtuar kundër Serbisë. Çdo gjë tjetër që do të thoshte do të shkonte përtej fushëveprimit të qytetërimit, sjelljes së mirë dhe do të shkelte disa rregulla të besimit të mirë dhe bisedës racionale”, tha Vuçiq, raporton Danas.
Nga ana tjetër, zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, ka deklaruar se Shqipëria dhe Kroacia po kontribuojnë në stabilitetin rajonal, kur u pyet për bashkëpunimin e tyre në fushën e mbrojtjes me Kosovën.
“Shqipëria dhe Kroacia nuk janë vetëm aleate të besueshme dhe të çmuara brenda aleancës. Ato janë edhe kontribuuese për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ato kanë prani në KFOR, por në përgjithësi janë të përqendruara në mbështetjen e kësaj agjende në rajon”, tha Shekerinska për agjencinë serbe të lajmeve Beta.
Ajo shtoi se NATO-ja nuk ka qenë pjesë e diskutimeve apo konsultimeve për deklaratën e nënshkruar nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi, por theksoi se anëtarësimi në aleancë nuk i pengon shtetet anëtare që të lidhin marrëveshje shtesë të mbrojtjes me palë të treta.
“Çfarë shohim në përgjithësi është se situata gjeopolitike globale ka ndikuar edhe në rajon. Shohim më shumë stërvitje, më shumë investime në mbrojtje dhe siguri, por njëkohësisht u bëjmë thirrje aleatëve dhe partnerëve që të angazhohen në dialog politik për të zgjidhur çështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor. Prania jonë në rajon synon mbështetjen e këtij lloji të dialogut politik”, tha Shekerinska.
Deklaratat dhe zhvillimet e fundit tregojnë se bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë po shihet nga këndvështrime të ndryshme në rajon, ndërsa NATO-ja vazhdon të theksojë rëndësinë e stabilitetit, dialogut politik dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
The Geopost

Bashkimi Evropian reagon pas deklaratës së skandaloze të Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit
Vuçiq kërcënoi me devijimin e Ibrit, inxhinierët serbë: Marrëzi, nuk ka lidhje me logjikën e shëndoshë
Reagimi i Shqipërisë për Ibrin e irriton Vuçiqin, presidenti serb sulmon Kosovën me akuza të pabaza
Nga “The Kyiv Independent” te “Ukrainska Pravda”: Si e raportuan mediat ukrainase reagimin e Kosovës ndaj Zelenskyt
Deputeti ukrainas: Njohja e Kosovës mund të rikthehet në agjendën e Kievit pas luftës
Regjisori serb akuzon Vuçiqin pas dhunës fizike ndaj tij: Ai kontrollon gjithçka që ndodh në Serbi