Deklarata e ministres serbe të Administratës Publike, Snezhana Paunoviq, se po të ishte në vend të ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq do ta spastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët, është edhe më e rëndë se vetë politika e ndjekur nga Millosheviqi, vlerëson themeluesi dhe drejtori i Bordit Ekzekutiv të Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq.
Janjiq, një prej njohësve të zhvillimeve dhe politikave në Ballkan, ka thënë se deklarata e Paunoviqit nuk duhet parë si një qëndrim i izoluar, por si pjesë e një fushate më të gjerë politike, në të cilën, sipas tij, përfshihen edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq.
“Deri në fund, mund të them se kjo deklaratë është edhe më drastike se vetë politika e Millosheviqit. Ajo nënkupton se Millosheviqi nuk e përfundoi atë që kishte nisur dhe bën thirrje që ajo të përfundohet”, ka deklaruar Janjiq.
Sipas tij, Paunoviq nuk është e vetme në këtë mënyrë të të menduarit dhe duhet të mbajë përgjegjësi personale për deklaratat e saj.
“Sa i përket Paunoviqit, besoj se ajo personalisht mendon kështu dhe duhet të mbajë përgjegjësi personale për deklaratat e saj, sepse për to duhet të përgjigjet. Së paku, nuk mund dhe nuk duhet të ushtrojë funksione publike”, ka thënë ai.
Megjithatë, Janjiq vlerëson se ministrja serbe është vetëm një “instrument” i një fushate më të gjerë politike, ku, sipas tij, bëjnë pjesë edhe Vuçiqi, Daçiqi dhe figura të tjera politike.
Ai ka thënë se mënyra e të menduarit politik në Beograd për Kosovën nuk ka ndryshuar në mënyrë thelbësore që nga periudha e Millosheviqit.
“Fatkeqësisht, jo. Ka ndryshuar vetëm në një aspekt. Kur Millosheviqi po ndërtonte dhe impononte politikën e tij, ai hasi në rezistencë të fortë. Jo vetëm brenda Lidhjes së Komunistëve dhe te shqiptarët, por edhe në vetë Serbi”, ka deklaruar Janjiq.
Sipas tij, pas vitit 2000, narrativa e krijuar gjatë periudhës së Millosheviqit për luftërat në ish-Jugosllavi dhe rolin e Serbisë është integruar gradualisht në diskursin publik dhe në tekstet shkollore.
Janjiq ka shprehur shqetësimin se një pjesë e të rinjve në Serbi nuk e shohin Kosovën si një realitet ku jetojnë njerëz, por si një mit historik dhe politik.
“Shumë të rinj sot nuk e shohin Kosovën si një realitet apo si vend ku jetojnë njerëz, por si një mit. Dhe ai mit është pikërisht miti i Vidovdanit, me të cilin nisën edhe luftërat”, ka thënë ai.
Duke folur për politikën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Janjiq ka vlerësuar se, pas dështimit të idesë për ndarjen e veriut të Kosovës, në diskursin politik serb është rikthyer narrativa se bashkëjetesa me shqiptarët është e pamundur.
Sipas tij, ky diskurs ushqen bindjen se Kosova, herët ose vonë, do t’i rikthehet Serbisë.
“Pikërisht ky është rreziku i atij miti – bindja se, herët a vonë, ‘Kosova do të jetë sërish e jona’”, ka deklaruar Janjiq.
Ai ka thënë se deklarata e Paunoviqit duhet të shërbejë si një sinjal alarmi për komunitetin ndërkombëtar dhe se, sipas tij, është mirë që ky rast ka nxitur reagime, pasi nuk mund të injorohet më realiteti politik në Serbi.
Janjiq ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian, duke e bërë përgjegjës pjesërisht për situatën e krijuar për shkak të mënyrës se si është menaxhuar dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve nuk është nisur nga premisa se normalizimi duhet të përfshijë edhe shoqëritë e të dyja vendeve, jo vetëm marrëdhëniet ndërmjet institucioneve.
“Për shkak të mungesës së kritikës politike dhe reagimeve, këto politika janë inkurajuar”, ka thënë Janjiq.
Ai ka vlerësuar se presidenti serb Vuçiq po përdor një strategji të dyfishtë politike, duke mbrojtur figura si Paunoviq dhe Daçiq, ndërsa në të njëjtën kohë përpiqet t’u paraqitet partnerëve amerikanë dhe evropianë si një figurë e moderuar dhe si personi që mund ta zgjidhë situatën.
Megjithatë, Janjiq thotë se aktualisht nuk sheh ndonjë politikan të moderuar në skenën politike serbe.
Ai ka shtuar se do të ishte e pasaktë të thuhej se shumica e qytetarëve në Serbi pajtohen me këtë qasje, duke theksuar se një pjesë e shoqërisë, përfshirë lëvizjen studentore dhe protestuesit, kanë qëndrime të ndryshme dhe janë të pakënaqur me politikën aktuale.

Beogradi vazhdon me provokime nacionaliste, në tribunat e futbollit shfaqet “Kosova është Serbi”
Mbi tri dekada pas luftës, hetuesit amerikanë marrin dëshmi për krimet serbe në Bosnje
Kongresmeni Wilson: Deklarata e neveritshme e ministres serbe e diskualifikon Beogradin për organizimin e Asamblesë së OSBE-së
Keranov: Integrimi i Kosovës është kyç për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor
Haxhiu nënshkruan dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë
Paunoviq me pagë drejtoreshe në një institucion të mbyllur në Kosovë