Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

“Dhunë e kërcënime”, Serbia fundoset në Indeksin e Lirisë së Shtypit, më e dobëta në Ballkanin Perëndimor

The Geopost May 1, 2026 4 min read
Share the news

Serbia renditet e 104-ta nga 180 shtete në vitin 2026 në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të “Reporterëve pa Kufij” (RSF), duke u pozicionuar më dobët se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor.

Vlerësimi i fundit e përforcon pamjen e një mjedisi gjithnjë e më armiqësor për gazetarinë kritike dhe median e pavarur, në një klimë ku presioni politik, sulmet dhe fushatat e denigrimit janë bërë pjesë e përditshmërisë.

Sipas profilit të Reporterëve pa Kufij për Serbinë, megjithëse vendi ka prodhuar gazetari cilësore dhe hulumtuese, shpesh të vlerësuara për hetime mbi krimin dhe korrupsionin, media mbetet “e bllokuar në një spiralë rënëse”, mes propagandës, lajmeve të rreme dhe ndikimit të drejtpërdrejtë politik.

RSF thekson se, pavarësisht kornizës ligjore formalisht solide, gazetarët përballen me presion politik, ndërsa rastet e sulmeve dhe kërcënimeve shpesh shoqërohen me mungesë ndëshkueshmërie.

Sulme, kërcënime dhe akuza nga niveli më i lartë

Një nga elementet kryesore që RSF veçon është polarizimi i thelluar politik, sidomos gjatë protestave 2023–2025, ku sipas organizatës, gazetarët janë shënjestruar edhe nga përfaqësues të elitës qeverisëse, të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiç, me sulme verbale që më pas amplifikohen nga disa televizione kombëtare.

Në të njëjtën linjë, raporti “Freedom in the World 2026” i Freedom House thekson se autoritetet kanë vazhduar të kërcënojnë mediat e pavarura, duke përmendur rastin e qershorit 2025 kur presidenti Vuçiq e cilësoi raportimin e mediave N1 dhe Nova S si “terrorizëm i pastër” dhe sugjeroi se prokuroria mund të ndërmarrë veprime ndaj tyre.

Freedom House e lidh këtë klimë presioni edhe me instrumente ekonomike dhe rregullatore, ku ndikimi i shtetit dhe i partisë në pushtet shtrihet përmes reklamimit, subvencioneve indirekte dhe kontrollit të burimeve financiare.

Dhuna gjatë protestave dhe akuzat për përfshirje të policisë

Reporterët pa Kufij raporton se gjatë protestave të vitit 2025, gazetarët që raportonin nga terreni u përballën me numër rekord sulmesh fizike (të paktën 100), ku “shumë prej tyre” – sipas RSF – dyshohet se janë kryer nga zyrtarë policorë.

Po ashtu, RSF përmend se janë shfaqur raste shqetësuese të hakerimit/ndërhyrjes ilegale në pajisjet mobile të gazetarëve nga shërbimet e sigurisë dhe policia.

Freedom House citon edhe të dhëna të Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS), sipas së cilës në vitin 2025 u raportuan 135 shkelje të lirisë së medias që nga fillimi i vitit, përfshirë 34 kërcënime verbale dhe 19 sulme fizike.

Kontroll ekonomik, pronësi dhe “kapje” e tregut medial

Në analizën e RSF, një problem i vazhdueshëm është edhe varësia financiare e mediave nga reklamat dhe subvencionet, ku qasja në to thuhet se ndikohet nga elita në pushtet.

RSF ngre shqetësime edhe për përqendrimin e pronësisë dhe rolin në rritje të ndërmarrjes shtetërore/ publike Telekom Srbija si operator kabllor dhe pronar mediesh, duke shtuar frikën se tregu medial po shkon drejt dominimit të aktorëve të lidhur me pushtetin.

Çfarë thotë Bashkimi Evropian

Nga Bashkimi Evropian janë shtuar mesazhet publike se liria e medias është kusht kyç për rrugën evropiane të Serbisë.

Në një fjalim në Parlamentin Evropian (8 shtator 2025), Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se media e lirë është “themel i domosdoshëm i një shoqërie demokratike” dhe “element thelbësor” i procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Ajo theksoi se ndikimi politik dhe ekonomik mbi mediat në Serbi mbetet “shqetësim i rëndë”, ndërsa kërkoi që autoritetet të krijojnë “mjedis mundësues” për gazetarinë dhe që gazetarët të punojnë pa kërcënime, ngacmime dhe intimidim.

Komisionerja po ashtu përmendi se sulmet ndaj gazetarëve gjatë protestave duhet të ndalen, përfshirë rastet e raportuara me përfshirje të policisë dhe sulme verbale nga zyrtarë të nivelit të lartë.

Më e dobëta në rajon, sinjal alarmi për standardet demokratike

Renditja e Serbisë në fund të rajonit në vitin 2026 e kthen sërish në vëmendje pyetjen për drejtimin e reformave demokratike, përfshirë sundimin e ligjit, pavarësinë institucionale dhe garancitë për lirinë e shprehjes.

Organizatat ndërkombëtare theksojnë se pa ndalim të fushatave të denigrimit, pa hetim real të sulmeve ndaj gazetarëve dhe pa ulje të ndikimit politik në ekonomi e rregullim, çdo përmirësim në letër mbetet i brishtë.

The Geopost

Tags: Ballkani Perëndimor Indeksi Liria e shtypit Reporterëve pa Kufij Serbia

Continue Reading

Previous: BE-ja mund të ngrijë kufirin e naftës ruse për të bllokuar rritjen automatike të çmimit mes luftës me Iranin
Next: Vuçiq kërcënon hapur: Do të luftojmë kundër anëtarësimit të Kosovës në NATO

Rusia si mburojë e Vuçiqit: Si u përdor raporti i FSB-së për të mohuar përdorimin e “topit zanor” në protestë 3 min read
  • News

Rusia si mburojë e Vuçiqit: Si u përdor raporti i FSB-së për të mohuar përdorimin e “topit zanor” në protestë

The Geopost June 22, 2026
Rikthimi i Janshas në pushtet ngjall shqetësime në BE dhe Ballkanin Perëndimor 3 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Rikthimi i Janshas në pushtet ngjall shqetësime në BE dhe Ballkanin Perëndimor

The Geopost June 22, 2026
Mungesa e karburantit godet Rusinë si pasojë e sulmeve ukrainase ndaj rafinerive 8 min read
  • Botë
  • News

Mungesa e karburantit godet Rusinë si pasojë e sulmeve ukrainase ndaj rafinerive

The Geopost June 21, 2026
Turqia eksporton për herë të parë një anije luftarake në një vend të NATO-s dhe BE-së 2 min read
  • Botë
  • News

Turqia eksporton për herë të parë një anije luftarake në një vend të NATO-s dhe BE-së

The Geopost June 21, 2026
Pse reduktimi i KFOR-it shkon përtej çështjes ushtarake? 7 min read
  • Ballkan
  • News

Pse reduktimi i KFOR-it shkon përtej çështjes ushtarake?

The Geopost June 21, 2026
Delegacionet amerikane dhe iraniane mbërrijnë në Zvicër për bisedime mbi marrëveshjen e paqes 9 min read
  • Botë
  • News

Delegacionet amerikane dhe iraniane mbërrijnë në Zvicër për bisedime mbi marrëveshjen e paqes

The Geopost June 21, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.