Deklarata e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd se Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës ka shkaktuar reagime në Kosovë, Shqipëri dhe vetë Ukrainë.
Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko, i cili është iniciues i Projektligjit për njohjen e pavarësisë së Kosovës në Parlamentin e Ukrainës, e ka cilësuar deklaratën e Zelenskyt si “gabim diplomatik”.
Përmes një postimi në platformën “X”, Goncharenko ka publikuar deklaratën e presidentit ukrainas dhe një fotografi ku shihet se slogani “Free Ukraine” është larguar nga Hotel Grand në Prishtinë.
“Ky është një gabim diplomatik. Ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe ne besojmë se Ukraina duhet ta njohë shtetin. Unë do të vazhdoj të luftoj për pavarësinë e Kosovës dhe përfundimisht Ukraina do ta njohë atë”, ka shkruar Goncharenko.
Ai prej kohësh ka kërkuar që Ukraina ta njohë Kosovën dhe ka iniciuar në parlamentin ukrainas një projektligj për këtë çështje.
Konjufca: Kundërshtojmë paraqitjen e Kosovës përmes integritetit territorial të Serbisë
Ndaj deklaratës së Zelenskyt ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Ai ka shprehur keqardhje për qëndrimin e presidentit ukrainas, duke theksuar se Kosova e mbështet fuqishëm sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, ne e kundërshtojmë në mënyrë të vendosur çdo paraqitje të Republikës së Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë”, ka deklaruar Konjufca.
Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Beograd, Zelensky tha se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin lidhur me mosnjohjen e Kosovës.
Ai tha se Ukraina respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare, ndërsa shprehu mirënjohje ndaj Beogradit për qëndrimin e tij ndaj integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014.
Konjufca ka thënë se Kosova do ta mirëpriste një njohje nga Ukraina, duke argumentuar se një vendim i tillë do t’i forconte parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtës ndërkombëtare që, sipas tij, Ukraina po i mbron në luftën kundër Rusisë.
Ai ka theksuar se pavarësia e Kosovës erdhi pas luftës dhe viteve të shtypjes sistematike dhe fushatës së dhunshme të regjimit të Slobodan Millosheviqit.
“Ajo që pasoi nuk ishte një akt aneksimi, okupimi apo pushtimi territorial, por një proces gjithëpërfshirës ndërkombëtar nën administratën e Kombeve të Bashkuara dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar për statusin final të Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.
Edhe Shqipëria kundërshton paralelizmat Kosovë-Ukrainë
Për deklaratën e Zelenskyt ka reaguar edhe Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë.
Tirana e ka cilësuar të gabuar çdo përpjekje për të tërhequr paralele mes Kosovës dhe situatave të tjera ndërkombëtare.
“Nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim në këtë pikë: çdo përpjekje për të tërhequr paralele apo për të barazuar Kosovën me ndonjë situatë tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe krejtësisht e pasaktë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare të 9 gushtit.
Shqipëria ka theksuar se Kosova ka bazat e saj historike, politike dhe juridike, duke iu referuar edhe opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Sipas Tiranës, GJND-ja, në përgjigje të kërkesës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë, Ministria shqiptare e Jashtme ka theksuar se agresioni rus ndaj Ukrainës përbën shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Shqipëria ka thënë se është e kuptueshme dhe legjitime që vizita e Zelenskyt në Serbi t’i shërbejë para së gjithash interesave të Ukrainës.
Megjithatë, Tirana ka theksuar se çdo hap që e ndihmon Serbinë të largohet nga ndikimi i Rusisë dhe të afrohet me Evropën duhet të konsiderohet pozitiv.
Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por prej rreth pesë vitesh nuk ka hapur kapitull të ri në negociatat e anëtarësimit.
Një prej pengesave kryesore mbetet edhe mospërputhja e politikës së jashtme të Beogradit me atë të BE-së, veçanërisht për qëndrimin ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës.
Tirana ka vlerësuar se paqja në Ballkanin Perëndimor dhe perspektiva evropiane e rajonit kërkojnë pranimin e realitetit të pavarësisë së Kosovës.
“Pavarësia e Kosovës ka kontribuar në stabilitetin rajonal dhe është pjesë e një të ardhmeje në të cilën kufijtë nuk ndryshohen përmes forcës dhe popujt e komunitetet mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre në paqe dhe siguri”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.
The GeoPost
This is a diplomatic blunder.
The Ukrainians support the independence of Kosovo and we believe that Ukraine MUST recognise the state.
I’ll continue fighting for the independence of Kosovo and eventually Ukraine will recognise it. pic.twitter.com/hkGtO5WzVl
— Oleksiy Goncharenko (@GoncharenkoUa) August 9, 2026

Stojkoviq godet Vuçiqin: Gati të shkatërrojë lumin dhe jetën e njerëzve vetëm për hakmarrje
Shkrimtari serb, Basara: Serbia i fsheh krimet qe një shekull e gjysmë, por era e keqe ka dalë në sipërfaqe
Vuçiq e përdor Ibrin si kërcënim politik ndaj Kosovës, por e drejta ndërkombëtare ia kufizon veprimet Serbisë
MPJ e Shqipërisë: Barazimi i Kosovës me një situatë tjetër ndërkombëtare është i gabuar – Serbia të largohet nga ndikimi rus
Beogradi nuk shkëputet nga Moska: Deklaratat e Vulinit kundër BE-së tregojnë vazhdimin e politikës pro-ruse të Serbisë
Analistët në Serbi: Vuçiq po përdor struktura kriminale parapolicore për të frikësuar kundërshtarët