Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ka arrestuar sot në fshatin Soqanicë të Leposaviçit një të dyshuar mashkull, shtetas kosovar i nacionalitetit serb, nën dyshimin për kryerje të veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Sipas hetimeve të zhvilluara, i dyshuari, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë dhe i sistemuar në Stacionin Policor të Skenderajt, dyshohet se në mars të vitit 1999 ka marrë pjesë në një operacion policor-ushtarak, së bashku me pjesëtarë të tjerë të organizuar në grup.
Ai, sipas Policisë, i uniformuar dhe i armatosur, dyshohet se ka qenë i përfshirë në dëbimin me dhunë të civilëve nga pronat e tyre, si dhe në rrahjen, torturimin, plagosjen dhe vrasjen e 15 civilëve shqiptarë, si dhe në zhdukjen e 16 civilëve të tjerë në dy lokacione në Skenderaj.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit, ndërsa me aktvendim të prokurorit të rastit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Arrestimi i fundit vjen pak javë pasi Gjykata në Prishtinë shqiptoi dënim me burgim ndaj dy ish-pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake të Serbisë për krime lufte në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99.
Gjykata në Prishtinë i dënoi më 18 mars Zoran Kostiqit me 15 vjet burgim, ndërsa Dragan Milloviqin me 7 vjet burgim.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, institucionet gjyqësore vendëse dhe ato ndërkombëtare kanë dënuar rreth 74 persona për krime të luftës në Kosovë.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Gjyqësori i Kosovës mori në duar trajtimin e rasteve të krimeve të luftës nga qershori i vitit 2018. Prokuroria Speciale e Kosovës ka departament për krimet e luftës që nga vitit 2015.
Deri në fund të 2024-tës janë ngritur gjithsej 14 aktakuza në mungesë kundër 72 pjesëtarëve të forcave serbe.
Në fund të vitit të kaluar u shpall edhe aktgjykimi i parë në mungesë. Çedomir Aksiq u dënua me 15 vjet burgim.
The GeoPost

BIRN zbulon mbi 25 ndërhyrje në GPS gjatë protestave studentore, Demokratët Evropianë kërkojnë përgjegjësi nga Serbia
Komisionerja Evropiane ngre alarmin për Serbinë: Shoqëria civile po përballet me fushata shpifëse dhe frikësim
Simiqi e kthen aksionin kundër ndërtimeve pa leje në narrativë për “dëbimin e serbëve”
Dikur kërkonte rishikimi të njohjes për Kosovën, si i zbuti tonet kryeministri çek para vizitës në Beograd
Luftoi për Rusinë në Ukrainë u arrestua në Bosnje dhe Hercegovinë nën dyshimin për drogë dhe armë
Publikohen materiale të reja që rikthejnë dyshimet për rolin e strukturave të sigurisë serbe në rastin ‘Panda’