Kremlini e ka shfrytëzuar vendimin për zbatimin e Ligjit për të huajt për të rishpërndarë narrativën dezinformuese se Qeveria e Kosovës po synon t’i përndjekë serbët nga Kosova.
Media e kontrolluar nga Kremlini, Sputnik, ka publikuar një lajm të bazuar në deklarimet e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Ajo ka folur për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe për rezultatin e zgjedhjeve, duke e ripërsëritur narrativën dezinformuese se Kurti “po shtyn përpara spastrimin e provincës nga popullsia serbe”.
Një lajm i tillë është publikuar edhe në disa media të tjera në Serbi (shih këtu dhe këtu), si dhe nga media serbe në Kosovë, Kosovo-Online.
Zakharova ka deklaruar se Listës Serbe i është vjedhur një mandat, duke u referuar për mandatin e deputetit që është fituar prej Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
“Ata fjalë për fjalë i morën një mandat Listës Serbe për t’ia dhënë një aktivisti kukull që supozohet se do të përfaqësojë popullsinë serbe në Kuvend.”- ka deklaruar ajo, siç e transmeton Sputnik.
Por, ky konstatim është i rremë. Lista Serbe nuk e ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve në rrugë ligjore, pra mandatin e fituar nga Nenaq Rashiq.
Lidhur me mandatet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka arrestuar një person për spiunazh.
Në dosjen e Prokurorisë Speciale që ka siguruar KALLXO thuhet se Sheholli ka qenë i rekrutuar nga BIA dhe ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke mbledhur të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me disa prona “kinse të uzurpuara” të komunitetit serb në Kosovë, e po ashtu në lidhje me aktivitete biznesore, si dhe me gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Detyrat e Shehollit, sipas Prokurorisë Speciale, ishin grumbullimi i informacioneve dhe shpërndarja e tyre në mediat online në Kosovë.
Po ashtu në dosje thuhet se Sheholli ishte nën hetime nga Prokuroria që nga muaji gusht i vitit 2024 dhe për një kohë ai ishte edhe në përgjim fizik.
Në vëzhgimet direkte, sipas dosjes së Prokurorisë, është zbuluar edhe një skemë ku Sheholli ka pranuar informacione nga BIA, të cilat më pas janë publikuar në media në Kosovë.
Më 10.10.2025, Gjykata e Prishtinës i kishte caktuar masën e paraburgimit Shehollit në kohëzgjatje prej një muaji. Sheholli dyshohet se për një kohë ka vepruar sipas udhëzimeve të urdhrave të zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiç.
Më 10.01.2026, Gjykata e Prishtinës ka njoftuar se i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Fatmir Shehollit, i dyshuar për spiunazh, i cili ishte arrestuar nën dyshimin për spiunazh më 09.10.2025.
Nenad Rashiqi, kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë në një dokumentar të realizuar nga “KallxoPernime” ka folur për fushatat dezinformuese që ka ndërmarr Beogradi e Kremlini kundër tij dhe partisë së tij.
Ai ka thënë se është sulmuar me lajme që burimin dhe materialin e kanë siguruar nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë.
“Jemi dëshmitarë të gjallë të sulmeve të ndryshme të faktorëve, veçanërisht në fushatë parazgjedhore. Sulmet që supozohet ose dyshohet se e kanë origjinën nga vende që janë bërë në mënyrë digjitale, prej vendeve që po supozoj të vijnë nga Rusia ose nga Kina. Burimi i financimit për mua është i qartë dhe vjen nga strukturat që ju përmenda më herët, të cilët definitivisht vijnë nga radhët e SNS-it (Partia e Vuçiçit) në këtë rast.”- ka thënë tutje ai.
Sputnik ka raportuar se zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka folur edhe për zbatimit e Ligjit për të huajt.
Përveç konstatimeve të rreme për Kurtin dhe shtetësin e Kosovës, Zakharova kur ka folur për zbatimin për Ligjin për të huajt ka deklaruar se “serbët që jetojnë në territoret e tyre historike, punojnë dhe studiojnë në mënyrë efektive po shpallen të huaj”.
Edhe për Ligjin për automjetet, ajo tha se ka për synim të afektojë gjithë flotën serbe të automjeteve, përfshirë atë të institucioneve mjekësore dhe arsimore.
Por, Ligji për të huajt nuk i konsideron të huaj qytetarët që janë të pajisur më dokumentet e Republikës së Kosovës, por i konsideron të huaj (që duhet të aplikojnë për leje qendrim) të gjithë ata që nuk janë të pajisjur me dokumentet e Republikës së Kosovës.
Sipas këtij Ligji, çdo shtetas i huaj që hyn në Kosovë do të obligohet të posedojë dokument të vlefshëm udhëtimi, vizë ose leje qëndrimi kur kjo kërkohet, si dhe të respektojë qëllimin dhe afatin e qëndrimit.
Për qëndrime afatshkurtra, Ligji thotë se shtetasit e huaj lejohen të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda periudhës 180-ditore, pa vizë ose me vizë kur kjo kërkohet, por nuk u lejohet puna pa leje pune. Çdo qëndrim mbi këtë afat kërkon aplikim për lejeqëndrim.
Po ashtu, Ligji përcakton se në rast të punësimit, kërkohet leje e qëndrimit të përkohshëm për punë dhe leje pune, ndërsa për profesionet e licencuara kërkohet edhe licencim paraprak. Puna pa leje është e ndaluar dhe aplikimi për leje pune bëhet pranë Agjencisë së Punësimit.
Për qëndrime për qëllime studimi, ribashkimi familjar, arsye humanitare ose kërkime shkencore, shtetasit e huaj duhet të pajisen me lejeqëndrim të përkohshëm dhe të plotësojnë kriteret ligjore përkatëse. Aplikimi mund të bëhet në misionet diplomatike/konsullore ose në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion (DSHAM), në rastet kur hyrja bëhet pa nevojë për vizë.
Mediat e kontrolluara nga Kremlini në vazhdimësi kanë publikuar narrativën dezinformuese se Qeveria e Kosovës ka për synim përndjekjen e serbëve.
Këtë narrativë ata e përsëritën edhe në rastet kur Policia e Kosovës zhvillon aksione në vendet e banuara me serbë, siç ishte ai i zhvilluar më 24.01.2026. Në këtë aksion, Policia e Kosovës i kishte sekuestruar disa armë, por mediat e kontrolluara nga Kremlini kishin thënë se aksioni kishte për synim përndjekjen e serbëve.
E njëjta narrativë është përsëritur edhe në rrjetin Pravda, në të cilin pretendohej se misionet ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës janë duke punuar bashkë dhe në koordinim për përndjekjen e serbëve.
“Forcat e KFOR-it gjithnjë e më shumë po kryejnë ushtrime të shtypni trazirat masive. Nuk është e vështirë të merret me mend se kundër kujt drejtohen të gjitha këto masa: autoritetet Në Prishtinë, me mbështetjen e kuratorëve Perëndimorë, po përpiqen t’i largojnë Serbët nga procesi politik dhe t’i lënë ata asnjë shans për të protestuar.”- thuhet në këtë artikullin me përmbajtje dezinformuese, të publikuar në Pravda.
KFOR është misioni i NATO-s në Kosovë që angazhohet të ndihmojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt e të mbrojtur, dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë.
Mandati i KFOR-it buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (UNSCR) e 10.06.1999 dhe nga Marrëveshja Ushtarako-Teknike midis NATO-s dhe qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë. KFOR-i vepron sipas Kapitullit VII të Kartës së OKB-së dhe, si i tillë, është një operacion për zbatimin e paqes.
KFOR-i përbëhet nga afërsisht 4,500 trupa të ofruara nga 33 vende aleate dhe partnere.

Titulli i ‘Sputnik Srbija’ dramatizon një kontroll rutinë të PK-së në Bërnjak
Fakte kundër propagandës: Si Petar Petkoviq manipulon lidhur me marrëveshjen Kosovë–Shqipëri–Kroaci
Balkan Disinformation Summit, Pristina 2025, Alen Musaefendić (EEAS)
Balkan Disinformation Summit, Pristina 2025, Călin Georgia (Romania)
Balkan Disinformation Summit, Pristina 2025, Tommaso Canetta (Italy)
Balkan Disinformation Summit, Pristina 2025, Darko Brkan (B&H)