Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza

Zbehja e gjurmëve ekonomike ruse në Maqedoninë e Veriut

The Geopost August 18, 2024 4 min read
Share the news

 

Shkruan: Xhelal Neziri

Shpresat se tregu i Rusisë dhe i Unionit Euroaziatik do të shndërrohen në një mundësi të mirë për kompanitë maqedonase duket se po shuhen. Agresioni i Federatës Ruse në Ukrainë, i nisur në shkurt të vitit 2022, rezultoi me sanksione të papara deri më tani ndaj Moskës, të cilat kanë prekur shumë marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve. Mbi 150 anëtarët e Odës Ekonomike Maqedonase-Ruse, me seli në Shkup, mbase nuk kanë pritur një trend të këtillë të rënies së pranisë ekonomike ruse në vend.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vëllimi i shkëmbimeve me Federatën Ruse vitin e kaluar ishte pak më shumë se 310 milionë dollarë amerikanë, që është për rreth 37 milionë dollarë më pak se në vitin 2022. Eksportet e kompanive maqedonase u ulën për 11,3 për qind, duke arritur vlerën përafërsisht 48 milionë dollarë amerikanë, kurse importet nga ky vend ranë me afro 40 për qind, duke arritur në 265.3 milionë dollarë amerikanë.

Viti 2024 duket se do të jetë edhe më i dobët. Në kuadër të tremujorit të parë, shkëmbimi tregtar është vetëm afër 80 milionë dollarë amerikanë, më i ulët në dekadën e fundit të bashkëpunimit ekonomik midis Maqedonisë së Veriut dhe Federatës Ruse.

Intensiteti më i lartë në shkëmbimin tregtar çuditërisht është arritur në vitin 2022, në fillim të së cilit Rusia ndërmori agresionin më brutal ndaj Ukrainës fqinje. Po në këtë vit, Maqedonia e Veriut ka importuar mall nga Rusia në vlerë prej afër 440 milionë dollarë amerikanë, kurse ka eksportuar prodhime ne vlerë prej afër 60 milionë dollarë amerikanë. Në vitit paraprake, ka një mesatare të importit në vlerë prej afër 150 milionë dollarëve dhe të eksportit prej afër 50 milionë dollarëve amerikanë.

Ajo që karakterizon tërë këtë bashkëpunim ekonomik me Federatën Ruse është deficiti i thellë tregtar, që do të thotë se vendi më shumë blen prodhime ruse sesa shet të sajat në tregun e Rusisë. Ky deficit i madh ka kohë që është tregues i një politike të hipokrizisë së Rusisë ndaj Maqedonisë së Veriut, por edhe vendeve tjera të rajonit, me të cilat ndan vlera të përbashkëta kulturore e religjioze: nga njëra anë shfaqet si mik i madh, kurse nga ana tjetër i përdor vetëm si treg për plasman të prodhimeve të saja.

Një tkurrje e pranisë ekonomike ruse në vend vërehet edhe në aspektin e investimeve të drejtpërdrejta. Në dy vitet e fundit ka një tërheqje të investimeve nga Federata Ruse në vlerë prej afër 6.5 milionë dollarësh, duke e ulur kështu shumën e përgjithshme të investimeve të drejtpërdrejta në 22.4 milionë dollarë. Kjo e zhvendos Rusinë në vendin e 13-të në listën e vendeve me investime më të mëdha në Maqedoninë e Veriut.

Për dallim nga federata Ruse, vetëm pesë vende të BE-së (Gjermania, Greqia, Hungaria, Bullgaria dhe Holanda) në total kanë 2.6 miliardë investime të drejtpërdrejta në Maqedoninë e Veriut. Në listën e investuesve më të mëdhenj në vend në krye të listës është ngjitur Turqia, e pasuar nga Greqia, Gjermania, Holanda, Britania e Madhe, Bullgaria, Hungaria, Zvicra dhe SHBA-ja.

Pa marrë parasysh këto tregues ekonomikë, Rusia vazhdon të jetë e pranishme në sferën publike nëpërmjet ndikimit në arsim, kulturë dhe religjion. Investimi më i madh i Rusisë në Maqedoninë e Veriut është “Lukoil”, një kompani që vazhdon të ndajnë bursa për studentët më të mirë që regjistrohen të studiojnë gjuhën ruse në universitetet e vendit. Fondacionet e diplomacisë publike dhe kulturore të Moskës, – si “Ruski Mir”, “Rossotrudnichestvo”, “The Gorchakov Fund” – poashtu janë aktive në ndarjen e fondeve dhe projekteve për organizatat joqeveritare dhe individë, që dëshirojnë të krijojnë një imazh një pozitiv për Federatën Ruse, të marrin pjesë në konferencat dhe forumet e organizuara në kuadër të BRICS, apo të fitojnë bursa për të studiuar në universitetet ruse.

Prania në sferën e mediave sociale dhe atyre online vazhdon të jetë e konsiderueshme, njëjtë si përdorimi i lajmeve të rreme, propagandës dhe dezinformimit. Të gjitha këto taktika, apo mjete të luftës hibride, kanë dhënë rezultat në rrafshin e përfaqësimit politik në institucionet e Maqedonisë së Veriut. Partia “Levica”, që promovon qëndrime të afërta me Rusinë, në zgjedhjet e majit të këtij viti fitoi 6 deputet, duke shënuar një rritje prej katër vende më shumë në Parlamentin me 120 ulëse. Partia Demokratike Serbe (PDS), poashtu e afërt me Moskën, për herë të parë përfaqësohet në Qeveri me një zëvendës-kryeministër.

Federata Ruse vazhdon të rrisë ndikimin në Maqedoninë e Veriut në proporcion të zhdrejtë me praninë ekonomike. Komunikimi shumështresor dhe shumëdimensional i mundëson Moskës të arrijë një ndikim të madh me një kosto të vogël.

Continue Reading

Previous: Ukraina e kthen situatën në Rusi
Next: Si do të përfitonte Irani nga eksportimi i raketave balistike në Rusi?

Europoli dhe algoritmi i ri kundër terrorizmit 6 min read
  • Analiza
  • News

Europoli dhe algoritmi i ri kundër terrorizmit

The Geopost July 18, 2026
Si u shndërrua vizita e Presidentit të Shqipërisë në Preshevë dhe Bujanoc në narrativë për “pushtim” dhe “Shqipëri të Madhe” 6 min read
  • Analiza
  • Fact Checking

Si u shndërrua vizita e Presidentit të Shqipërisë në Preshevë dhe Bujanoc në narrativë për “pushtim” dhe “Shqipëri të Madhe”

The Geopost July 11, 2026
“Shteti mafioz”: Pse Serbia e sotme ngjan me Palermon e viteve ’70 9 min read
  • Analiza
  • News

“Shteti mafioz”: Pse Serbia e sotme ngjan me Palermon e viteve ’70

The Geopost June 23, 2026
Studentët serbë pas vizitës në Kosovë rrëzojnë propagandën e Beogradit: Na kanë gënjyer, serbët nuk janë të shtypur 3 min read
  • Analiza

Studentët serbë pas vizitës në Kosovë rrëzojnë propagandën e Beogradit: Na kanë gënjyer, serbët nuk janë të shtypur

The Geopost June 21, 2026
Katër kryeqytete, një problem: Shembja e kullës prej letrash të Vuçiqit! 7 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Katër kryeqytete, një problem: Shembja e kullës prej letrash të Vuçiqit!

The Geopost June 17, 2026
Njëzet e shtatë vjet nga Marrëveshja e Kumanovës: Fundi i spastrimit etnik të Millosheviqit kundër shqiptarëve 3 min read
  • Analiza

Njëzet e shtatë vjet nga Marrëveshja e Kumanovës: Fundi i spastrimit etnik të Millosheviqit kundër shqiptarëve

The Geopost June 12, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.