Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza
  • Botë

Telegrami mbetet kanal kyç për propagandën ruse në BE, pavarësisht kufizimeve

The Geopost January 27, 2026 3 min read
Share the news

Pavarësisht përpjekjeve të Bashkimit Evropian për të frenuar propagandën ruse, Telegram vazhdon të mbetet një nga platformat kryesore për shpërndarjen e manipulimit dhe ndërhyrjes së informacionit nga Kremlini (FIMI).

Një studim i Qendrës për Demokraci dhe Sundim të Ligjit tregon se, edhe pas kufizimeve të vendosura nga Telegram në dhjetor të vitit 2024 ndaj burimeve ruse të sanksionuara në BE, propaganda ruse ka gjetur mënyra të shumta për t’i anashkaluar këto masa.

Sipas raportit, vazhdimësia e ndikimit informativ rus në BE mbështetet në dy faktorë kryesorë: aftësinë e lartë përshtatëse të aktorëve rusë dhe boshllëqet teknike e rregullatore të vetë platformës Telegram. Këta faktorë e kanë shndërruar Telegramin në një hapësirë relativisht të pakontrolluar për përhapjen e narrativave të Kremlinit.

Studimi thekson se aktorët e lidhur me shtetin rus kanë zhvilluar taktika të sofistikuara për të shmangur ndalimet, përfshirë krijimin e kanaleve alternative ose “jozyrtare”, përdorimin e emrave dhe identiteteve të reja, si dhe dyfishimin e përmbajtjes përmes rrjeteve paralele. Në disa raste, kanale të sanksionuara operojnë nën pamje të ndryshme vizuale, por funksionojnë de facto si vazhdim i burimeve origjinale të propagandës.

Raporti nënvizon gjithashtu se propaganda ruse përhapet përmes një rrjeti të gjerë global, ku përfshihen ambasada ruse, propagandistë të njohur, rrjete ndërkombëtare pro-ruse dhe aktorë lokalë në vende të ndryshme evropiane. Statusi diplomatik i ambasadave ruse i bën këto kanale veçanërisht të vështira për t’u bllokuar, duke u shndërruar në zëvendësues të drejtpërdrejtë të mediave të sanksionuara si RT dhe Sputnik.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga studiuesit është përdorimi i shërbimit Telegra.ph, i zhvilluar nga vetë Telegram, i cili lejon publikimin anonim të artikujve dhe përdoret për të shpërndarë përmbajtje të ndaluar pa kaluar nëpër filtrat e zakonshëm të kontrollit. Po ashtu, funksioni i përcjelljes së mesazheve bën që edhe kanalet e bllokuara të vazhdojnë të kenë ndikim, pasi përmbajtja e tyre shpërndahet lehtësisht në kanale të tjera.

Raporti paralajmëron për një fazë të re të strategjisë ruse, ku përveç Telegramit, aktorët propagandistikë po i nxisin përdoruesit të migrojnë drejt platformës së re ruse “Max”, e lançuar nga kompania VK në vitin 2025. Kjo shihet si përpjekje për t’u paraprirë kufizimeve të mundshme të ardhshme dhe për të ruajtur ndikimin mbi audiencat e huaja, veçanërisht ato rusishtfolëse.

Sipas analizës, statusi rregullator i paqartë i Telegramit në BE e thellon problemin. Platforma nuk është klasifikuar ende si Platformë Shumë e Madhe Online (VLOP) sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA), çka e përjashton nga detyrimet më të rrepta të transparencës dhe llogaridhënies. Kjo krijon një boshllëk që, sipas ekspertëve, shfrytëzohet drejtpërdrejt nga aktorë keqdashës.

Qendra për Demokraci dhe Sundim të Ligjit vlerëson se kërcënimi nga FIMI rus nuk mund të neutralizohet vetëm me masa të izoluara të platformave. Ajo bën thirrje për një qasje më të gjerë të BE-së, që përfshin forcimin e rregullimit, rritjen e përgjegjshmërisë së platformave dixhitale dhe investime në edukimin mediatik të qytetarëve.

Sipas raportit, vetëm një strategji e koordinuar që adreson njëkohësisht krijimin, shpërndarjen dhe konsumimin e përmbajtjes dezinformuese mund të forcojë rezistencën informative dhe dixhitale të Bashkimit Evropian ndaj ndikimit rus, raporton Eudissinfo.

The Geo Post

Tags: BE Propaganda ruse Rusia Telegrami

Continue Reading

Previous: Intelegjenca finlandeze: Mbështetja nga Kina dhe Irani po e bën Rusinë më rezistente ndaj sanksioneve
Next: Ukraina, SHBA-ja dhe Rusia do të zhvillojnë bisedime të reja trepalëshe

Raport: Evropa ka rritur ndihmën për Ukrainën, por armët e SHBA-së luajnë rol kyç 2 min read
  • Botë
  • News

Raport: Evropa ka rritur ndihmën për Ukrainën, por armët e SHBA-së luajnë rol kyç

The Geopost August 15, 2026
Freya, sistemi raketor që mund të zëvendësojë Patriot dhe të jetë mburojë për Evropën 3 min read
  • Botë
  • News

Freya, sistemi raketor që mund të zëvendësojë Patriot dhe të jetë mburojë për Evropën

The Geopost August 15, 2026
Polonia rrit ushtrinë mbi 220 mijë efektivë, synon 500 mijë deri më 2039 1 min read
  • Botë
  • News

Polonia rrit ushtrinë mbi 220 mijë efektivë, synon 500 mijë deri më 2039

The Geopost August 15, 2026
Si e fsheh Putini vendndodhjen e tij – zyra identike, takime të regjistruara dhe tren sekret 4 min read
  • Botë
  • News

Si e fsheh Putini vendndodhjen e tij – zyra identike, takime të regjistruara dhe tren sekret

The Geopost August 14, 2026
Putini nuk mund të pretendojë më fitoren në Ukrainë, thotë fituesi i Çmimit Nobel për Paqe 7 min read
  • Botë
  • News

Putini nuk mund të pretendojë më fitoren në Ukrainë, thotë fituesi i Çmimit Nobel për Paqe

The Geopost August 14, 2026
OKB: Numri më i lartë i viktimave civile në Ukrainë që nga maji i vitit 2022 1 min read
  • Botë
  • News

OKB: Numri më i lartë i viktimave civile në Ukrainë që nga maji i vitit 2022

The Geopost August 14, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.