Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • News

Kandidati për president të Serbisë e quan Kosovën territor të okupuar, Despot paralajmëron për vazhdimësinë e politikës nacionaliste serbe

The Geopost November 29, 2026 4 min read
Share the news

Gazetari dhe publicisti kroat Zvonimir Despot ka tërhequr vëmendjen te qëndrimet politike të Radomir Saiçiqit, kandidatit presidencial të Listës Studentore në Serbi, duke paralajmëruar se ndryshimi i pushtetit në Beograd nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe ndryshimin e politikës nacionaliste të Serbisë ndaj vendeve fqinje.

Në një analizë të publikuar në rrjetin social X, Despot vlerëson se në një pjesë të opinionit publik kroat po krijohen pritshmëri të mëdha nga lëvizja studentore serbe, me bindjen se largimi i Aleksandar Vuçiqit nga pushteti do t’i zgjidhte edhe problemet që Kroacia ka me Serbinë.

Megjithatë, sipas tij, duhet bërë dallimi mes asaj se kush do ta udhëheqë Serbinë dhe politikës që ajo do të ndjekë ndaj fqinjëve të saj, përfshirë Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë dhe Malin e Zi.

Despot thekson se Saiçiqi nuk është një figurë periferike politike, por një person me ndikim akademik dhe politik. Ai është anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, profesor në Fakultetin e Kimisë në Beograd dhe një nga themeluesit e Listës Studentore.

Sipas publicistit kroat, Saiçiqi kishte shpallur fitoren zgjedhore të kësaj liste më 25 tetor, ndërsa forca politike që qëndron pas kandidaturës së tij kishte marrë pothuajse 53 për qind të votave dhe 140 mandate në zgjedhjet parlamentare.

Një nga çështjet që Despot e ka veçuar është edhe një rruzare që Saiçiq mban në dorë, e cila në rrjetet sociale në Serbi është identifikuar nga disa komentues si lestovka, një rruzare tradicionale prej lëkure e lidhur me traditën e ortodoksisë ruse dhe besimtarët e vjetër rusë.

Despot shpjegon se kjo rruzare lidhet edhe me kultin e Shën Serafimit të Sarovit, i cili në Rusinë bashkëkohore është shndërruar në një simbol të lidhjes mes ortodoksisë ruse dhe kompleksit bërthamor.

Në këtë kontekst, ai i referohet edhe librit të politologut Dmitry Adamsky, “Russian Nuclear Orthodoxy: Religion, Politics, and Strategy”, të botuar më 2019, i cili trajton ndërthurjen e Kishës Ortodokse Ruse, aparatit ushtarak dhe industrisë bërthamore.

Publicisti kroat, megjithatë, thekson se vetë mbajtja e kësaj rruzareje nuk përbën dëshmi se Saiçiqi e mbështet këtë ideologji dhe as nuk është konfirmuar se çfarë kuptimi personal i jep ai asaj.

Sipas Despotit, për të kuptuar qëndrimet politike të kandidatit të Listës Studentore nuk ka nevojë të bëhen supozime, pasi ato janë shprehur publikisht.

Qëndrimet e Saiçiqit për Kosovën, Bosnjën dhe Rusinë

Despot shton se Saiçiqi e konsideron Kosovën territor të okupuar përkohësisht, ndërsa kufirin ndërkombëtarisht të njohur ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës e ka cilësuar si “fiktiv dhe gjeometrik”.

Po ashtu, sipas tij, kandidati i Listës Studentore vlerëson se Rusia angazhohet më shumë për integritetin territorial të Serbisë sesa që ka bërë deri më tani vetë pushteti në Beograd.

Publicisti kroat e konsideron veçanërisht domethënës këtë dallim në interpretimin e integritetit territorial, pasi, sipas tij, ndërsa integriteti territorial i Serbisë shihet si i panegociueshëm, sovraniteti dhe kufijtë e Bosnjë-Hercegovinës trajtohen me një gjuhë krejtësisht tjetër politike.

Ai e lidh këtë qasje me traditën e politikës nacionaliste serbe, e cila, sipas tij, për dekada ka kombinuar mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë me relativizimin e sovranitetit të shteteve fqinje.

Despot tërheq një paralele historike edhe me vitin 2000, kur rrëzimi i Sllobodan Millosheviqit dhe ardhja në pushtet e Vojislav Koshtunicës kishin krijuar pritshmëri të mëdha për ndryshimin e Serbisë.

Ai kujton se Koshtunica ishte profesor universitar, jurist dhe kundërshtar i regjimit të Millosheviqit, me një profil politik dhe temperament të ndryshëm nga paraardhësi i tij.

Megjithatë, sipas Despotit, demokratizimi i Serbisë nuk nënkuptoi automatikisht braktisjen e objektivave të mëparshme nacionaliste.

Për këtë arsye, ai paralajmëron se lufta kundër korrupsionit, kriminalitetit, punësimeve partiake dhe autoritarizmit nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe heqjen dorë nga ambiciet nacionaliste dhe ekspansioniste.

“Testi i vërtetë i Serbisë së re është politika ndaj fqinjëve”

Në analizën e tij, Despot rendit disa çështje që, sipas tij, duhet të shërbejnë si test për politikën e ardhshme të Serbisë ndaj vendeve fqinje.

Ndër to përmend konceptin e “Botës Serbe”, Deklaratën e Kuvendit Gjithëserb të vitit 2024, rolin politik të Republikës Srpska, pavarësinë e Malit të Zi, ndikimin rus, trashëgiminë e agresionit të Serbisë në vitet ’90, personat e zhdukur nga radhët e ushtarëve dhe civilëve kroatë, krimet e luftës dhe pozitën e pakicës kroate në Serbi.

Sipas tij, këto çështje janë shumë më të rëndësishme për vlerësimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe fqinjëve sesa titujt akademikë, retorika demokratike apo qëndrimet personale fetare të udhëheqësve të rinj politikë.

Despot thekson se Radomir Saiçiq duhet të gjykohet në bazë të qëndrimeve dhe veprimeve të tij politike, e jo vetëm për faktin se ka qenë kundërshtar i Aleksandar Vuçiqit.

Në përfundim, publicisti kroat nënvizon se për Kroacinë nuk mjafton që Serbia të shkëputet nga Vuçiqi, por duhet të heqë dorë edhe nga politika që, sipas tij, i detyroi kroatët të luftonin për mbijetesën e shtetit të tyre gjatë viteve ’90.

“Për normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve, Serbia duhet të shkëputet edhe nga politika për shkak të së cilës Kroacia në vitet ’90 u detyrua të luftonte për mbijetesën e saj”, është përfundimi i analizës së Despotit.

Tags: Kosova Radomir Saiçiq Serbia Zvonimir Despot

Continue Reading

Previous: Bosnja dëbon katër diplomatë iranianë

Bosnja dëbon katër diplomatë iranianë 5 min read
  • Ballkan
  • News

Bosnja dëbon katër diplomatë iranianë

The Geopost November 29, 2026
Aleanca e Mbrojtjes së Mekës – tri vendet forcojnë paktin e mbrojtjes 1 min read
  • Botë
  • News

Aleanca e Mbrojtjes së Mekës – tri vendet forcojnë paktin e mbrojtjes

The Geopost November 29, 2026
Mali i Zi realizon një nga tetë kushtet e Kroacisë – malazezët paguajnë miliona euro dëmshpërblim 3 min read
  • Ballkan
  • News

Mali i Zi realizon një nga tetë kushtet e Kroacisë – malazezët paguajnë miliona euro dëmshpërblim

The Geopost November 29, 2026
Mediumi britanik: Zelensky ka kërkuar shkatërrimin e plotë të urës që lidh Rusinë me Krimenë 3 min read
  • Botë
  • News

Mediumi britanik: Zelensky ka kërkuar shkatërrimin e plotë të urës që lidh Rusinë me Krimenë

The Geopost November 29, 2026
Pse shumica e vendeve evropiane e duan Ukrainën në NATO? 1 min read
  • Botë
  • News

Pse shumica e vendeve evropiane e duan Ukrainën në NATO?

The Geopost November 28, 2026
Kush e kërkon, e kush e mbrojti Millan Radoiçiqin? 10 min read
  • Ballkan
  • News

Kush e kërkon, e kush e mbrojti Millan Radoiçiqin?

The Geopost November 28, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.