Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Hulumtimi zbulon lidhjet e pronarit të Euronews me Orbanin dhe Vuçiqin, ish-gazetarët flasin për presion politik

The Geopost November 9, 2026 6 min read
Share the news

Rrjeti televiziv evropian Euronews, i themeluar me ambicien për t’u bërë një alternativë evropiane ndaj CNN-it amerikan, po përballet me pikëpyetje për pavarësinë editoriale, pas ndryshimeve në pronësi dhe afrimit me investitorë të lidhur politikisht me qeveritë e Hungarisë dhe Serbisë.

Një hulumtim i portalit Rapporter, i bazuar në dokumente financiare dhe intervista me 14 punonjës aktualë dhe ish-punonjës të Euronews, zbulon lidhjet e pronarit të këtij rrjeti televiziv, investitorit portugez Pedro Vargas David, me kryeministrin hungarez Viktor Orbán dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Hulumtimi ngre shqetësime edhe për mënyrën se si është menaxhuar Euronews Serbia, ku ish-gazetarët pretendojnë se janë përballur me presion politik, shkarkime nga puna dhe mungesë të mbështetjes nga selia qendrore në Bruksel.

Pedro Vargas David është president i Euronews dhe pronar i fondit investues Alpac Capital, i cili mori kontrollin e rrjetit televiziv në vitin 2022, me mbështetjen e një personi të lidhur me Viktor Orbánin.

Në vitin 2026, Alpac Capital nisi gjithashtu blerjen e aseteve mediatike të United Group në Serbi dhe rajon, përfshirë televizionin N1, TV Nova, portalin dhe gazetën Nova, revistën Radar dhe gazetën Danas. Në gusht, kompania mori drejtimin e subjekteve përmes të cilave operojnë këto media në Serbi, duke pasuar edhe ndryshimet në menaxhment.

Lidhjet e pronarit të Euronews me Orbánin dhe Vuçiqin

Sipas hulumtimit të Rapporter, lidhjet politike të familjes së Pedro Vargas Davidit me udhëheqësit hungarezë dhe serbë janë një nga elementet kryesore që ngrenë pikëpyetje për pavarësinë e rrjetit televiziv.

Babai i tij, Mario David, është ish-deputet i Parlamentit Evropian dhe bashkëpunëtor i afërt i Viktor Orbánit. Ai ka pasur gjithashtu marrëdhënie të hershme me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, të cilin e njeh përmes Partisë Popullore Evropiane.

Pedro Vargas David kishte qenë i përfshirë edhe në marrëveshjen për blerjen e Vodafone Hungary, një nga operacionet e rëndësishme në sektorin hungarez të telekomunikacionit. Analistët e cituar nga Rapporter e shohin këtë marrëveshje në kontekstin e përpjekjeve të Orbánit për të forcuar ndikimin mbi median dhe telekomunikacionin në Hungari.

Në vitin 2022, kur Alpac Capital mori kontrollin e Euronews, Pedro Vargas David e prezantoi investimin si kontribut për demokracinë evropiane, duke theksuar rëndësinë e një shtypi të lirë dhe të fuqishëm.

Megjithatë, më vonë marrëdhëniet e pronarëve të rinj me qarqet politike dhe ndikimi i mundshëm në vendimmarrjen editoriale u bënë objekt kritikash.

Një nga shembujt e përmendur në hulumtim është samiti i Euronews për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, ku u zhvillua një intervistë me Aleksandar Vuçiqin.

Sipas Rapporter, intervista ishte e butë në raport me një udhëheqës politik, qeverisja e të cilit është përballur vazhdimisht me kritika për standardet demokratike dhe marrëdhëniet me Rusinë.

Gjatë bisedës, Vuçiq u pyet nëse ende e konsideronte veten një “evropian të bindur”, por nuk u trajtuan protestat masive në Serbi, sulmet e tij ndaj politikanëve evropianë dhe tensionet ndërmjet partisë së tij dhe Partisë Popullore Evropiane.

Në vend të kësaj, presidenti serb foli për burokracinë evropiane dhe përmendi miqësinë me Mario Davidin, babanë e pronarit të Euronews. Ky i fundit ishte i pranishëm në rreshtin e parë dhe, sipas hulumtimit, reagoi duke qeshur.

Ish-gazetarët e Euronews Serbia: Na thanë të mos harronim kush na paguan

Një pjesë e rëndësishme e hulumtimit trajton situatën në Euronews Serbia, i cili nisi punën në vitin 2021 përmes një partneriteti me Telekom Srbija, kompani kryesisht shtetërore.

Projekti ishte prezantuar si ndërthurje e standardeve perëndimore të gazetarisë me tregun mediatik serb. Megjithatë, sipas dëshmive të ish-punonjësve, ruajtja e pavarësisë editoriale u bë gjithnjë e më e vështirë.

Një pikë kthese, sipas tyre, ishte viti 2023, kur Minja Miletić u emërua drejtoreshë rajonale.

“Na thanë të mos harronim se kush na paguan”, kujtoi një ish-producent i Euronews Serbia.

Tensionet u shtuan në prill të vitit 2025, gjatë protestave masive kundër qeverisë në Serbi. Rreth 80 punonjës të televizionit nënshkruan një letër të hapur, duke u distancuar nga një njoftim i menaxhmentit në lidhje me bllokadën e Radiotelevizionit të Serbisë (RTS).

Gazetarët pretenduan se njoftimi, i cili shprehte mbështetje për shërbimin publik, ishte publikuar pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre.

Disa nga nënshkruesit më vonë u larguan nga puna, ndërsa organizatat për mbrojtjen e gazetarëve i cilësuan këto raste si hakmarrje për qëndrimet e tyre publike.

Ndër rastet e përmendura ishte edhe shkarkimi i gazetares Marija Šehić, i cili u kritikua nga përfaqësues të organizatave gazetareske.

Drejtoresha rajonale, Minja Miletić, i mohoi akuzat për motivim politik, duke deklaruar se largimet ishin pjesë e një procesi më të gjerë të riorganizimit të kompanisë. Edhe Telekom Srbija mohoi ndërhyrjen në politikën editoriale të televizionit, duke e cilësuar atë si të pavarur nga ana editoriale.

Mungesa e reagimit nga Brukseli

Sipas Rapporter, gazetarët e Euronews Serbia kishin pritur që selia qendrore në Bruksel të ndërhynte për t’i mbrojtur nga presionet e mundshme politike, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

“Ne prisnim të kishte dikë të cilit mund t’i drejtoheshim. Nëse kjo nuk funksiononte, menduam se do ta tërhiqnin licencën”, deklaroi një gazetar me përvojë për këtë portal.

Rasti është veçanërisht domethënës në kontekstin e kritikave të vazhdueshme të Bashkimit Evropian për gjendjen e lirisë së medias në Serbi.

Sipas të dhënave të Reporterëve pa Kufij, të cituara në hulumtim, Serbia renditet në vendin e 96-të në indeksin botëror të lirisë së medias, një rënie e konsiderueshme krahasuar me vendin e 59-të që mbante dhjetë vjet më parë.

Irina Milutinoviq nga Instituti për Studime Evropiane në Beograd vlerësoi se rasti i Euronews Serbia përbën problem serioz për besueshmërinë e markës evropiane.

“Bashkimi Evropian nuk mund të qëndrojë pas asaj që po ndodh me Euronews Serbia. Është një shembje e markës dhe një provë për Brukselin”, tha ajo.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Vuçiqit mohoi pretendimet për ndërhyrje politike në punën e televizionit, duke deklaruar se presidenti serb nuk merret me modelet editoriale të mediave të huaja.

48 punonjës paralajmëruan për autocensurë

Shqetësimet për pavarësinë editoriale nuk kufizohen vetëm në Serbi.

Sipas hulumtimit, 48 punonjës të Euronews i dërguan një letër anonime presidentit të kompanisë, Pedro Vargas David, duke paralajmëruar për ndërhyrje në punën gazetareske, autocensurë dhe vonesa në publikimin e lajmeve.

“Pavarësia editoriale e Euronews, e cila ka ekzistuar prej kohësh, duket se po zhduket gradualisht. Ne jemi përballur vazhdimisht me ndërhyrje në punën tonë, të cilat kanë çuar në autocensurë dhe vonesa në publikimin e lajmeve. Kjo jo vetëm që kërcënon standardet tona profesionale, por edhe minon besueshmërinë tonë”, thuhej në letër.

Hulumtimi ngre gjithashtu pikëpyetje për përgjegjësinë e institucioneve evropiane, pasi Euronews ka përfituar për dekada nga fonde të konsiderueshme të Bashkimit Evropian.

Dokumentet e siguruara nga Rapporter tregojnë se Komisioni Evropian mbikëqyr përmbajtjen e financuar me para evropiane, por kjo mbikëqyrje nuk përfshin të gjithë strukturën e pronësisë dhe pavarësinë editoriale të rrjetit televiziv.

Eurodeputeti austriak Helmut Brandstätter ka kërkuar transparencë më të madhe në funksionimin e Euronews, duke theksuar se pronësia dhe financimi i mediave duhet të jenë transparente dhe pavarësia e gazetarëve duhet të mbrohet.

Ndërkohë, menaxhmenti i Euronews nuk iu përgjigj kërkesave të shumta të Rapporter për koment lidhur me gjetjet e hulumtimit.

Tags: Aleksandar Vuçiq Viktor Orbán

Continue Reading

Previous: Lista Studentore vizitojnë manastiret në Kosovë, nuk dallojnë në deklarime me regjimin e Vuçiqit

Lista Studentore vizitojnë manastiret në Kosovë, nuk dallojnë në deklarime me regjimin e Vuçiqit 2 min read
  • Ballkan

Lista Studentore vizitojnë manastiret në Kosovë, nuk dallojnë në deklarime me regjimin e Vuçiqit

The Geopost November 9, 2026
Plani amerikan për sigurinë e Evropës: Çfarë mund të ndryshojë për Kosovën? 8 min read
  • Ballkan
  • Siguri

Plani amerikan për sigurinë e Evropës: Çfarë mund të ndryshojë për Kosovën?

The Geopost November 9, 2026
“Lista e Studentëve” kërkon hetim ndaj Vuçiqit për lidhjet me rrjetet kriminale në Serbi 3 min read
  • Ballkan
  • News

“Lista e Studentëve” kërkon hetim ndaj Vuçiqit për lidhjet me rrjetet kriminale në Serbi

The Geopost November 9, 2026
Analisti gjerman: Pas Vuçiqit, Dodiku është partneri më i vlefshëm i Moskës në Ballkan 2 min read
  • Ballkan

Analisti gjerman: Pas Vuçiqit, Dodiku është partneri më i vlefshëm i Moskës në Ballkan

The Geopost November 9, 2026
“Një milion njerëz do të dalin me arkivolin tim”, kolumnisti serb tallet me kërcënimet e Vuçiqit 3 min read
  • Ballkan

“Një milion njerëz do të dalin me arkivolin tim”, kolumnisti serb tallet me kërcënimet e Vuçiqit

The Geopost November 9, 2026
Bassuener: Perëndimi dështoi ta kushtëzojë Serbinë për Kosovën, Kushtetuta e Koshtunicës synonte delegjitimimin e pavarësisë 2 min read
  • Ballkan

Bassuener: Perëndimi dështoi ta kushtëzojë Serbinë për Kosovën, Kushtetuta e Koshtunicës synonte delegjitimimin e pavarësisë

The Geopost November 9, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.