Kina dhe Rusia po thellojnë bashkëpunimin strategjik në Arktik, duke rritur praninë e tyre ekonomike, shkencore dhe ushtarake në një rajon që ka rëndësi gjithnjë e më të madhe për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
Në takimin e fundit të krerëve të qeverive të të dy vendeve, të mbajtur më 21 tetor në Shën Petersburg, Pekini dhe Moska publikuan një komunikatë të përbashkët, në të cilën shprehën synimin për të rritur transportin e mallrave përmes rrugëve detare të Arktikut, për të ndërtuar së bashku anije të specializuara për lundrim në ujërat polare dhe për të zgjeruar bashkëpunimin mes ndërmarrjeve të tyre në këtë rajon.
Sipas një analize të publikuar nga Radio Evropa e Lirë, ky bashkëpunim shënon një tjetër hap në zgjerimin e ndikimit të dy rivalëve kryesorë të Uashingtonit në një prej rajoneve më strategjike të botës, i cili shtrihet në rreth 14.5 milionë kilometra katrorë.
Arktiku përbëhet nga tetë shtete, të cilat kanë territore brenda këtij rajoni: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kanadaja, Norvegjia, Suedia, Danimarka, Finlanda dhe Islanda. Kina, ndonëse nuk është shtet arktik, ka shtuar ndjeshëm përpjekjet për të fituar ndikim në këtë hapësirë.
Në vitin 2014, presidenti kinez Xi Jinping deklaroi se vendi i tij synonte të bëhej një “fuqi e madhe polare” deri në vitin 2030. Që atëherë, Pekini ka shtuar investimet, ekspeditat kërkimore dhe bashkëpunimin me Rusinë, veçanërisht në sektorin e burimeve natyrore.
Sipas një vlerësimi të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Kina kishte investuar rreth 90 miliardë dollarë në Arktik që nga viti 2003. Ndërkohë, pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe përballjes së Moskës me sanksionet perëndimore, bashkëpunimi mes dy vendeve është zgjeruar edhe në fushën ushtarake.
“Kina dëshiron të jetë një fuqi sa më e madhe të jetë e mundur dhe për këtë arsye dëshiron të tregojë praninë e saj në sa më shumë arena të jetë e mundur”, tha për Radion Evropa e Lirë Serafima Andreeva, bashkëpunëtore në Rrjetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë së Amerikës së Veriut dhe Arktikut.
Edhe pse Kina nuk ka territor në Arktik, që nga viti 2018 ajo e përshkruan veten si “shtet pranë Arktikut”, një formulim që synon të legjitimojë interesimin dhe përfshirjen e saj në rajon. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë këtë pretendim, pasi territori më verior i Kinës ndodhet rreth 1 mijë e 450 kilometra larg Rrethit Arktik.
Rusia, nga ana tjetër, e ka parë me skepticizëm këtë pretendim të Pekinit, por ka toleruar zgjerimin e pranisë kineze, kryesisht për shkak të varësisë në rritje nga mbështetja ekonomike e Kinës pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Perëndimin.
Shqetësimet e SHBA-së për sigurinë
Rëndësia strategjike e Arktikut për Shtetet e Bashkuara lidhet veçanërisht me mbrojtjen raketore dhe pozicionin gjeografik të Alaskës, ku ndodhet infrastruktura kryesore për zbulimin dhe interceptimin e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi.
Po ashtu, Groenlanda, territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, ka rëndësi të veçantë për SHBA-në dhe NATO-n, pasi shërben si pikë strategjike për paralajmërimin e hershëm të sulmeve raketore dhe mbikëqyrjen hapësinore. Ajo gjithashtu posedon rezerva të konsiderueshme të mineraleve kritike, të cilat përdoren në prodhimin e sistemeve ushtarake.
Për këtë arsye, aktivitetet e përbashkëta ushtarake të Kinës dhe Rusisë në Arktik kanë shtuar shqetësimet në Uashington.
Në korrik të vitit 2024, bombarduesit strategjikë rusë dhe kinezë zhvilluan një patrullim të përbashkët mbi Detin e Beringut, duke iu afruar për herë të parë hapësirës ajrore pranë Alaskës. Avionët u interceptuan nga aeroplanët luftarakë amerikanë dhe kanadezë.
Senatori amerikan nga Alaska, Dan Sullivan, e cilësoi këtë veprim si përshkallëzim, duke theksuar se ishte hera e parë që Rusia dhe Kina kishin dërguar një grup të përbashkët bombarduesish në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Alaskës.
Ndërkohë, gjatë stërvitjes ushtarake Oqeani 2024, të dy vendet realizuan edhe patrullimet e tyre të para të përbashkëta detare në Oqeanin Arktik.
Sipas Jo Inge Bekkevold, bashkëpunëtor i lartë për Kinën në Institutin Norvegjez për Studime të Mbrojtjes, këto aktivitete nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se Pekini synon të krijojë një prani të përhershme ushtarake në Arktik, por tregojnë interesin e tij për të forcuar marrëdhëniet me Moskën dhe për të monitoruar aktivitetet ushtarake amerikane në Alaskë.
Ekspeditat shkencore dhe dyshimet për përdorim ushtarak
Përveç bashkëpunimit ushtarak, Kina po zgjeron edhe aktivitetet kërkimore në Arktik. Në korrik, ajo nisi ekspeditën e saj të 16-të shkencore në Oqeanin Arktik, duke dërguar për herë të parë katër anije kërkimore njëkohësisht në këtë rajon.
Anijet kineze kaluan përmes zonës ekonomike ekskluzive të SHBA-së dhe mbi shelfin kontinental të zgjeruar amerikan në Detin e Beringut, duke u monitoruar nga Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësime se pajisjet e instaluara në këto anije mund të kenë përdorim të dyfishtë, për qëllime civile dhe ushtarake, përfshirë hartëzimin e infrastrukturës kritike nënujore dhe gjurmimin e nëndetëseve.
“Ata nuk po studiojnë fokat dhe arinjtë polarë. Ata janë atje duke bërë studime batimetrike dhe duke u përpjekur të kuptojnë se si mund t’i kundërvihen aftësive të NATO-s në det dhe nën det”, deklaroi në janar komandanti i Komandës Evropiane të SHBA-së dhe komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropën, Alexus Grynkewich.
Groenlanda, pika e ndjeshme e rivalitetit
Pavarësisht ambicieve të Kinës, zgjerimi i ndikimit të saj në Arktik përballet me pengesa politike dhe institucionale.
Një prej tyre është mungesa e anëtarësimit në Këshillin e Arktikut, forumin kryesor ndërqeveritar për çështjet e këtij rajoni. Kina ka statusin e vëzhguesit që nga viti 2013, por nuk ka të drejtë vote apo vendimmarrjeje.
Nga tetë shtetet anëtare të këtij këshilli, vetëm Rusia ka marrëdhënie të afërta me Pekinin. Gjashtë shtetet e tjera – Kanadaja, Norvegjia, Suedia, Danimarka, Finlanda dhe Islanda – janë aleate të ngushta të Shteteve të Bashkuara.
Rusia vazhdon të jetë një faktor kyç për mundësinë e zgjerimit të ndikimit kinez në këtë rajon, por marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë pa kundërthënie. Analistët vlerësojnë se Moska e sheh veten si fuqi arktike, ndërsa Kina synon të fitojë një status të ngjashëm, çka mund të krijojë përplasje interesash në të ardhmen.
Një prej përpjekjeve më të rëndësishme të Kinës për të fituar terren në Arktik ishte ajo në Groenlandë. Mes viteve 2016 dhe 2018, kompani kineze tentuan të blinin tri aeroporte dhe një stacion detar të braktisur në këtë territor. Megjithatë, nën presionin e Shteteve të Bashkuara, Danimarka bllokoi këto transaksione.
Po ashtu, përpjekjet për të siguruar kontroll mbi depozitën e metaleve të rralla Tanbreez në Groenlandë nuk patën sukses. Në prill të vitit 2026, blerja e saj u përfundua nga kompania amerikane Critical Metals Corp, me seli në Nju Jork.
Në shtator, Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Groenlanda nënshkruan një marrëveshje të re trepalëshe të sigurisë, e cila përditëson traktatin e vitit 1951 mes Uashingtonit dhe Kopenhagës.
Marrëveshja synon të pengojë Kinën dhe Rusinë të fitojnë ndikim strategjik në Groenlandë. Ajo ndalon shtetet që nuk janë anëtare të NATO-s, duke përmendur konkretisht Kinën dhe Rusinë, të ndërtojnë baza ushtarake apo të vendosin trupa në territorin e Groenlandës.
Pakti parashikon gjithashtu zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane, përfshirë zgjerimin e Bazës Hapësinore Pituffik dhe krijimin e objekteve të reja. Në të njëjtën kohë, kufizon investimet e huaja nga vendet jashtë NATO-s dhe Bashkimit Evropian në sektorë strategjikë, si mineralet kritike, portet dhe telekomunikacioni.
Pse Arktiku po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm?
Pavarësisht kufizimeve që përballet në këtë rajon, Kina pritet të vazhdojë përpjekjet për të zgjeruar praninë e saj në Arktik, kryesisht për shkak të rëndësisë ekonomike dhe gjeostrategjike që pritet të ketë në të ardhmen.
Shkrirja e akullit, si pasojë e ndryshimeve klimatike, po hap rrugë të reja detare që mund të shkurtojnë kohën e transportit mes Azisë, Evropës dhe Amerikës së Veriut.
Këto korridore mund të krijojnë alternativa ndaj rrugëve tradicionale të transportit, si Kanali i Suezit dhe Ngushtica e Hormuzit, të cilat konsiderohen të cenueshme për shkak të tensioneve dhe konflikteve gjeopolitike.
Për Pekinin, Arktiku nuk përbën aktualisht një përparësi të sigurisë në të njëjtën shkallë me Indo-Paqësorin, por është pjesë e planifikimit strategjik afatgjatë.
“Brenda rreth 10 ose 20 vjetësh, ndoshta edhe më pak, këto çështje lidhur me të ardhmen e qeverisjes së Arktikut do të bëhen shumë më të rëndësishme, ndërsa Arktiku shkrin”, vlerësoi Bobo Lu, bashkëpunëtor jorezident në Institutin Lowy të Australisë.
Sipas analizës, rivaliteti për Arktikun pritet të intensifikohet në vitet e ardhshme, pasi rajoni po shndërrohet gradualisht në një hapësirë ku ndërthuren interesat ekonomike, ushtarake dhe gjeopolitike të fuqive të mëdha.

Forcat ajrore britanike përdorin për herë të parë dronë për të monitoruar aktivitetin e marinës ruse pranë brigjeve britanike
Zelensky: Ukraina çliroi më shumë territor sesa humbi gjatë tetorit, Rusia pësoi mbi 54 mijë humbje
Një Serbi pa Vuçiqin, por me të njëjtën politikë ndaj Kosovës?
SHBA-ja shet 500 raketa Patriot për Ukrainën, por dërgesat pritet të nisin vetëm pas vitit 2030
Kallas thotë se rikthimi i mundshëm i Putinit në G20 rrezikon normalizimin e krimeve të luftës ruse
Zelenskyy në Turqi: Ukraina dëshiron që armët turke të testohen kundër Rusisë