Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

Skandal në Vjenë: KRIK zbulon rrjetin e lidhur me Vuçiqin që dyshohet se manipulon votuesit e diasporës serbe

The Geopost October 24, 2026 4 min read
Share the news

Një hulumtim i medias investigative KRIK ka zbuluar dyshime për një skemë të organizuar të manipulimit të votuesve serbë në Austri, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit.

Sipas incizimeve të siguruara nga gazetarët, një shoqatë serbe në Vjenë, e afërt me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit, po regjistron qytetarët për votim përmes kanaleve jozyrtare, duke i nxitur njëkohësisht të mbështesin partinë në pushtet.

Sipas hulumtimit, Shoqata e Serbëve në Austri ka marrë përsipër një rol që ligjërisht u takon institucioneve diplomatike të Serbisë, duke mbledhur dokumente personale dhe duke ndërmjetësuar regjistrimin e votuesve për zgjedhjet parlamentare.

Në këtë aktivitet, sipas KRIK-ut, është përfshirë edhe një furrë serbe në Vjenë, e quajtur “Pekarica”, punonjësit e së cilës i drejtonin qytetarët që kërkonin të regjistroheshin për votim te shoqata që ndodhej pranë saj.

Incizimet tregojnë se përfaqësuesit e shoqatës plotësonin formularët e votuesve, mblidhnin të dhënat personale dhe pretendonin se dokumentacionin e dërgonin drejtpërdrejt në Ambasadën e Serbisë.

Por, sipas hulumtimit, regjistrimi nuk ishte i hapur në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët.

Në disa prej bisedave të incizuara, përfaqësuesit e shoqatës i pyesnin qytetarët për bindjet e tyre politike dhe shprehnin hapur mbështetjen për Vuçiqin.

“Nuk i regjistrojmë këta bllokues dhe budallallëqe. Ne komunikojmë me njerëzit tanë për të parë kush është për Vuçiqin dhe kush do të jetë më 25 tetor në Vjenë”, dëgjohet të thotë një person në një nga incizimet e publikuara nga KRIK-u.

Në një rast tjetër, një qytetari i është thënë se nëse dëshironte të votonte për kandidatë të tjerë, duhej të kërkonte një vend tjetër për regjistrim.

Përveç ndihmës për regjistrim, qytetarëve u shpërndaheshin edhe dhurata, përfshirë çakmakë, stilolapsa dhe qese me logon e SNS-së.

Një nga personat kryesorë të identifikuar në këtë aktivitet është Andrej Leskovac, i cili, sipas KRIK-ut, kishte rol të rëndësishëm në organizimin e regjistrimeve dhe promovimin e partisë së Vuçiqit, megjithëse nuk mbante ndonjë pozitë zyrtare në shoqatë.

Gazetarët e KRIK-ut janë takuar personalisht me Leskovacin në Vjenë. Ai ka mohuar që shoqata të regjistrojë votues ose të ketë lidhje organizative me SNS-në dhe Ambasadën e Serbisë.

Megjithatë, ai ka pranuar se anëtarët e shoqatës e mbështesin presidentin serb.

“Sa i përket bindjeve politike në shoqatë, po ju them menjëherë se këtu të gjithë e duan Vuçiqin. Prandaj do të fitojë Vuçiqi, sepse është presidenti i duhur”, ka deklaruar Leskovac.

Hulumtimi ngre dyshime edhe për mënyrën se si Ambasada e Serbisë në Vjenë ka trajtuar kërkesat e qytetarëve për regjistrim.

Disa shtetas serbë që jetojnë në Austri i kanë treguar KRIK-ut se janë përballur me vonesa, mungesë përgjigjesh dhe refuzime të kërkesave të tyre, ndonëse kishin dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm.

Njëra prej tyre, Jelena Zhivanoviq Valtner, ka deklaruar se kërkesa e saj është refuzuar disa herë, pa marrë një shpjegim të qartë, duke e lënë atë me mundësinë për të votuar vetëm në Serbi.

Avokati Vladimir Tupanjaq, i cili monitoron proceset zgjedhore në bashkëpunim me organizatën CRTA, ka vlerësuar se aktivitetet e dokumentuara nga KRIK-u përbëjnë shkelje të legjislacionit zgjedhor.

Sipas tij, shoqatat e huaja nuk kanë të drejtë të zhvillojnë fushata partiake, të ofrojnë shërbime zgjedhore në emër të institucioneve shtetërore apo të shpërndajnë materiale promovuese të partive politike.

“Të gjitha këto manipulime, abuzime dhe shkelje ligjore përbëjnë tregues se ekziston një mënyrë e organizuar sistematikisht për manipulimin e listës së votuesve, blerjen e votave dhe ndikimin në vullnetin zgjedhor të qytetarëve”, ka deklaruar Tupanjac.

Ai ka paralajmëruar se praktika të tilla mund të shërbejnë për dekurajimin e votuesve që nuk e mbështesin pushtetin, ndërsa favorizojnë ata që konsiderohen mbështetës të SNS-së.

Sipas KRIK-ut, Ambasada e Serbisë në Vjenë nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ndërsa i ka drejtuar ata te Ministria e Punëve të Jashtme, e cila gjithashtu nuk ka dhënë përgjigje.

Zbulimet vijnë në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi, ndërsa Vjena përbën një nga qendrat më të rëndësishme të diasporës serbe, me rreth 100 mijë emigrantë serbë.

Hulumtimi i KRIK-ut ngre pikëpyetje serioze për integritetin e procesit zgjedhor jashtë Serbisë, veçanërisht për mundësinë e përdorimit të strukturave jozyrtare dhe lidhjeve partiake për të ndikuar në pjesëmarrjen dhe orientimin politik të votuesve të diasporës.

The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq Serbia

Continue Reading

Previous: SHBA-ja i shpall Institutet kineze Konfuci kërcënim për sigurinë kombëtare
Next: Qeveria: Mbi 1 miliard euro investime në ushtri në këtë mandat

Alarm para zgjedhjeve në Serbi, ish-krerët e shërbimeve të sigurisë i bëjnë thirrje policisë: Mos u bëni instrument i pushtetit 17 min read
  • Ballkan

Alarm para zgjedhjeve në Serbi, ish-krerët e shërbimeve të sigurisë i bëjnë thirrje policisë: Mos u bëni instrument i pushtetit

The Geopost October 24, 2026
Mbi 3 mijë ushtarë të rinj për pesë vjet, Maqedonci: Do të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin dhe profesionalizimin e ushtrisë 1 min read
  • Ballkan
  • News

Mbi 3 mijë ushtarë të rinj për pesë vjet, Maqedonci: Do të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin dhe profesionalizimin e ushtrisë

The Geopost October 24, 2026
Kurti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë për “Koalicionin Shqiptar” 1 min read
  • Ballkan
  • News

Kurti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”

The Geopost October 24, 2026
Qeveria: Mbi 1 miliard euro investime në ushtri në këtë mandat 1 min read
  • Ballkan
  • News

Qeveria: Mbi 1 miliard euro investime në ushtri në këtë mandat

The Geopost October 24, 2026
SHBA-ja i shpall Institutet kineze Konfuci kërcënim për sigurinë kombëtare 4 min read
  • Botë
  • News

SHBA-ja i shpall Institutet kineze Konfuci kërcënim për sigurinë kombëtare

The Geopost October 24, 2026
SERBIA APO MAFIA 19 min read
  • News

SERBIA APO MAFIA

The Geopost October 24, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.