Rusia nuk do të arrijë ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet përmes një marrëveshjeje me Uashingtonin, sepse Evropa do të vazhdojë ta mbështesë Kievin, deklaroi për Euronews shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, u shpreh se Rusia ka bërë një llogaritje të gabuar që nga samiti i vitit të kaluar në Anchorage, duke u përpjekur ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet përmes një marrëveshjeje me SHBA-në.
“Rusët duan të diskutojnë dhe të negociojnë me SHBA-në, në mënyrë që SHBA-ja t’u japë atë që ata kërkojnë. Por ne kemi kërkesat tona ndaj Rusisë”, tha ajo.
“Mesazhi është se duhet të flisni me evropianët”.
E pyetur për marrëveshjen mbi naftën (dizelin) dhe “armëpushimin energjetik” të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump – sipas të cilës Rusia do të furnizonte SHBA-në dhe tregjet globale me 300,000 tonë naftë – Kallas e cilësoi këtë marrëveshje si një dhuratë për presidentin rus Vladimir Putin.
“Pyetja është: çfarë ka dhënë ai në këmbim? Ajo që shohim është se ai, në fakt, po i shton sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile. Armëpushimi që u shpall, në të vërtetë nuk po zbatohet nga pala ruse”, ka thënë ajo.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i tha gazetës Financial Times se Kievi do t’i rifillojë sulmet ndaj rafinerive ruse, pavarësisht presionit nga SHBA-ja – presion që përfshin ndërprerjen e shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës dhe dobësimin e sinjalit të Starlink-ut gjatë sulmeve të rënda ruse.
Sipas Kallas, çështja thelbësore është se Rusia duhet t’i japë fund luftës së saj agresore; kjo do të sillte gjithashtu fundin e sulmeve të Ukrainës ndaj rafinerive ruse.
“Nëse e shohim situatën në tërësi, pjesa më e madhe e financimit për këtë luftë vjen nga nafta. Pikërisht për këtë arsye Ukraina i vë në shënjestër ato [rafineritë], ndërsa Rusia po godet infrastrukturën energjetike brenda Ukrainës, me qëllim që t’i shkaktojë sa më shumë vuajtje popullit ukrainas gjatë dimrit që po vjen”, ka shtuar ajo.
Kallas theksoi se presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet ndaj Rusisë për t’i dhënë fund pushtimit, e jo ndaj Ukrainës për të pranuar kërkesat e Moskës – një qëndrim që, sipas saj, Evropa e ka mbajtur vazhdimisht.
“Nëse do ta bënim këtë së bashku me SHBA-në, atëherë mesazhi për Rusinë do të ishte i qartë: ndaleni këtë luftë dhe të gjitha shqetësimet tuaja, qofshin ato lidhur me rafineritë e naftës apo të tjera, gjithashtu do të marrin fund”, ka thënë më tej ajo.
E pyetur nëse një valë zgjedhjesh në vende kyçe të BE-së – përfshirë mundësinë që Marine Le Pen të bëhet presidente e Francës – tregon një zbehje të mbështetjes për Ukrainën, Kallas pranoi se qëndrimet e publikut kanë ndryshuar gjatë katër viteve të luftës.
Megjithatë, ajo theksoi se Evropa duhet të paraqitet e bashkuar, në mënyrë që politika e saj e jashtme të jetë efektive.
“Kjo është pikërisht ajo që synojnë rusët: që evropianët të lodhen dhe, rrjedhimisht, ata të arrijnë atë që duan. Ajo që dua të theksoj është se, në atë rast, oreksi i tyre do të rritet edhe më shumë”, ka nënvizuar Kallas.
The GeoPost

Dimri i egër në horizont: Ukrainasit përgatiten për më të keqen mes përshkallëzimit të fushatës ajrore ruse
BE-ja jep edhe 2.86 miliardë euro për të mbuluar ‘nevojat më urgjente’ të Ukrainës – dronë dhe raketa
Rutte kërkon më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën: Aleatët duhet të forcojnë mbrojtjen ajrore
Si i prishën sulmet e Ukrainës në qendrat e të dhënave taksitë, blerjet dhe bizneset në Rusi
BE-ja po punon në shumë fronte për të kufizuar hyrjen ruse në shtetet anëtare
Reuters zbardh synimet e Putinit para se të pranojë negociatat e paqes me Ukrainën