Rutte
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të shtojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore, ndërsa Rusia po vazhdon sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase.
Thirrja e Rutte vjen në prag të dimrit, në një kohë kur sulmet ruse kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se më shumë se 600 mijë njerëz në vend kishin mbetur pa energji elektrike të mërkurën, pas sulmeve vdekjeprurëse ruse.
“Me afrimin e dimrit dhe agresionin e pandërprerë të Rusisë, aleatët duhet të bëjnë më shumë, veçanërisht në mbështetje të mbrojtjes ajrore”, tha Rutte në një konferencë për media në Talin, ku ishte së bashku me kryeministrin e Estonisë, Kristen Michal.
Sipas Euronews, Rutte pritet të takohet të enjten në Bruksel me presidentin ukrainas, Zelensky, në kuadër të samitit të liderëve evropianë.
Takimi zhvillohet në një periudhë tensionesh mes Uashingtonit dhe Kievit, lidhur me sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës ruse të naftës, të cilat kanë nxitur reagime nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Trump ka kërcënuar me ndërprerjen e shkëmbimit të informacioneve të rëndësishme të inteligjencës me Ukrainën, në shenjë pakënaqësie ndaj sulmeve të vazhdueshme të Kievit kundër objekteve energjetike ruse.
Nafta dhe gazi përbëjnë burime të rëndësishme të të ardhurave për Rusinë, të cilat ndihmojnë në financimin e luftës kundër Ukrainës.
Zelensky kërkon paralajmërim të hershëm për raketat balistike
Ndërkohë, presidenti ukrainas ka shprehur shqetësimin për mungesën e paralajmërimeve paraprake nga partnerët ndërkombëtarë lidhur me sulmet me raketa balistike ruse.
Të martën, Zelensky deklaroi se Ukraina nuk kishte marrë paralajmërim të hershëm për një sulm me raketa balistike ndaj Kievit.
“Një sulm rus me raketa balistike ndaj Kievit. Edhe një herë, asnjë paralajmërim i hershëm nga partnerët tanë”, shkroi ai në platformën X.
Ai shtoi se sistemet ukrainase i kishin zbuluar raketat vetëm kur ato po i afroheshin kryeqytetit.
“Informacioni i inteligjencës mbi lëshimet e raketave balistike ruse ndihmon në shpëtimin e jetëve dhe kjo është një nga çështjet më kritike”, deklaroi Zelensky, duke theksuar rëndësinë e paralajmërimeve të hershme për mbrojtjen e civilëve.
Në anën tjetër, Trump ka konfirmuar se administrata e tij po shqyrton mundësinë e blerjes së rezervave të naftës ruse, në përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve në Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni gjithashtu ka lehtësuar disa kufizime që lidhen me naftën ruse.
Trump ka kërkuar nga Zelensky që Ukraina të ndalojë sulmet ndaj objekteve të naftës në Rusi, duke i lidhur këto zhvillime me rritjen e çmimeve të energjisë.
I pyetur për mundësinë e ndërprerjes së shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës me Kievin, Rutte nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por iu referua deklaratave të Trumpit, i cili kishte mohuar se SHBA-ja e kishte ndalur këtë bashkëpunim.
“Mendoj se presidenti ishte shumë i qartë dje, kur pati një moment të shkurtër me mediat teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë dhe tha se shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës nuk ka ndaluar”, u tha Rutte gazetarëve.
Estonia premton vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën
Gjatë konferencës në Talin, Rutte dhe kryeministri estonez, Kristen Michal, paralajmëruan se Rusia synon të dobësojë unitetin e aleatëve evropianë dhe t’i lodhë ata në përpjekjet për të mbështetur Ukrainën.
“Rusia dëshiron që ne të përqendrohemi te problemet tona dhe të lodhemi së mbështeturi Ukrainën. Nuk duhet ta lejojmë këtë të ndodhë. Estonia do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetje ushtarake Ukrainës”, theksoi Michal.
Thirrja e Rutte për më shumë ndihmë ushtarake vjen në një moment kritik për Ukrainën, e cila po përballet me sulme të vazhdueshme ndaj infrastrukturës energjetike dhe nevojën për të forcuar mbrojtjen ajrore përpara muajve të ftohtë të dimrit.

Kallas: Rusia nuk do ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet, Evropa do të vazhdojë ta mbështesë Kievin
Dimri i egër në horizont: Ukrainasit përgatiten për më të keqen mes përshkallëzimit të fushatës ajrore ruse
Si i prishën sulmet e Ukrainës në qendrat e të dhënave taksitë, blerjet dhe bizneset në Rusi
BE-ja po punon në shumë fronte për të kufizuar hyrjen ruse në shtetet anëtare
Reuters zbardh synimet e Putinit para se të pranojë negociatat e paqes me Ukrainën
Intelegjenca britanike: Rusia është kërcënimi kryesor, po intensifikohet lufta hibride kundër Evropës