Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi më 2 gusht se në pikëkalimin kufitar me Hungarinë, Horgosh, e ka arrestuar një person të identifikuar me inicialet M.M., i lindur më 1981, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “krim lufte kundër popullsisë civile”.
MPB-ja serbe nuk bëri të ditur emrin e plotë dhe as shtetësinë e të arrestuarit.
Sipas njoftimit, ai dyshohet se më 26 korrik 1999, në fshatin Kllobukar të Kosovës, kishte “kryer krim lufte ndaj dy personave me inicialet T.S. dhe S.S”.
Autoritetet serbe thanë se arrestimi u krye nga pjesëtarë të Shërbimit për Zbulimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Shërbimin për Luftimin e Terrorizmit dhe Policinë Kufitare.
Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës, së bashku me kallëzimin penal, pritet të dërgohet në Prokurorinë Publike për Krime Lufte në Serbi.
Në të njëjtën kohë, avokati nga Kosova, Arianit Koci, shkroi në Facebook se autoritetet serbe kanë ndaluar shtetasin e Kosovës Mentor Mustafa, 44 vjeç, nga fshati Jasenovik i Komunës së Novobërdës.
Sipas tij, Mustafa u ndalua rreth orës 22:30 në pikëkalimin kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte me autobus nga Shtutgarti drejt Kosovës, së bashku me vëllain e tij, Fejzullah Mustafën.
Koci tha se, sipas vëllait të Mustafës, i cili ishte i pranishëm gjatë ndalimit, autoritetet serbe kishin thënë se ndalimi lidhej me një letërnjoftim të dëmtuar.
Ai shtoi se ka nisur të angazhohet për sqarimin e rrethanave të ndalimit dhe për t’i ofruar Mustafës ndihmë juridike.
Institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë ende informacione për këtë rast.
REL kontaktoi Qeverinë e Kosovës dhe avokatin Arianit Koci për informacione shtesë dhe për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për të njëjtin rast, por deri në publikimin e artikullit nuk mori përgjigje.

PPE nis procedurat kundër SNS-së: Vuçiqi ka luajtur mjaft në të dyja anët
FSK njofton për ushtrime të përbashkëta me ushtrinë nga Amerika, Kroacia dhe Shqipëria
Varreza masive në Zubin Potok, konfirmohet identiteti i tri viktimave – i përkasin “Grupit të Intelektualëve”
Trump e nënshkruan ligjin për sanksione ndaj Rusisë e Iranit, shton mjete të reja për trysni
Franca dhe Zvicra ndërmarrin masa për t’iu kundërvënë kërcënimeve hibride ruse
Media ruse e serbe paraqesin rrejshëm protestën në Tiranë si “trazira” për shkak të dënimit të ish-krerëve të UÇK-së