Deklarata e ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, ka nxitur reagime të forta në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, e ka cilësuar deklaratën si të turpshme, duke paralajmëruar se ajo dëmton rëndë besimin në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Një deklaratë e turpshme nga një ministre e Serbisë, Snezhana Paunoviq. Kjo e shkatërron seriozisht besimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Terras në rrjetin social X.
Ndërkohë, kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka bërë të ditur se deklarata e Paunoviqit është adresuar zyrtarisht në Bashkimin Evropian.
Sipas Bajramit, deklarata përbën shkelje të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023 dhe cenon seriozisht procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Deklarata përbën shkelje të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023 dhe minon seriozisht dialogun, besimin dhe procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar ai.
Deklarata e Paunoviqit ka ngjallur reagime të shumta nga zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët e kanë cilësuar atë si gjuhë të papranueshme dhe në kundërshtim me frymën e dialogut dhe pajtimit në rajon.

Ministrja serbe përballet me padi në Kosovë dhe kërkesë për shkarkim në Serbi
Pse Vuçiqi s’e nënshkroi deklaratën për Ukrainën në Kiev?
Paunoviq vazhdon ofensivën me dezinformata, thotë se Kurti po “ndjek” serbët që nuk shesin pronat
Mali i Zi heq regjimin pa viza për rusët
Mbretëria e Bashkuar do të ndihmojë në financimin e programit Gripen për Ukrainën
Turqia zgjeron industrinë e mbrojtjes