Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq, duke theksuar se ajo e di mirë se çfarë ka ndodhur në Pejë gjatë luftës në Kosovë.
Kandiq ka rikujtuar se Paunoviq është e lindur në Pejë dhe se është në dijeni se më 27 mars të vitit 1999 policia serbe dëboi pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare nga qyteti.
Sipas saj, qytetarët u detyruan të largoheshin në kolona, në këmbë drejt Malit të Zi, ndërsa të tjerë u deportuan me autobusë në Shqipëri.
“Ministrja Paunoviq është nga Peja. Ajo e di mirë se më 27 mars 1999 policia serbe dëboi nga Peja pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare – se njerëzit largoheshin në këmbë, në kolona drejt Malit të Zi, ndërsa me autobusë deportoheshin në Shqipëri”, ka deklaruar Kandiq.
Ajo ka përmendur edhe krimet e kryera në fshatrat Çyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, ku, sipas saj, civilët u vranë, ndërsa trupat e tyre u dogjën.
Kandiq ka thënë se, pavarësisht njohurive për këto ngjarje, Paunoviq e paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që ai nuk ishte zbatuar në vitin 1998.
“Ajo i di të gjitha këto, por pavarësisht kësaj, e paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që nuk ishte zbatuar në vitin 1998”, ka shtuar ajo.
Në fund, Kandiq ka paralajmëruar se deklaratat e ministres serbe nuk duhet të shihen vetëm si një koment për të kaluarën, por si dëshmi se ideologjia që qëndron pas spastrimit etnik vazhdon të jetë e pranishme.
“Fjalët e saj nuk i përjetoj si një diskutim për të kaluarën, por si një mesazh se ajo ideologji nuk është braktisur”, ka përfunduar Kandiq.

Tragjedia e shqiptarëve të vrarë përdoret në përplasjet politike në Serbi
A do të ketë zgjedhje të drejta në Serbi fundjavën e ardhshme?
“Njeriu i fortë i Putinit që kapet pas pushtetit”, “The Times”: Vuçiqi po lufton për të ruajtur kontrollin
Si po ndryshon peizazhi mediatik në Serbi: Ndikimi i Vuçiqit dhe lufta për kontrollin e mediave
Pesë luftanije të NATO-s zbarkojnë në Orikum, gati për stërvitjen e përbashkët ushtarake
Kongresi amerikan kërkon hetimin e lidhjeve të Serbisë me inteligjencën ruse dhe Qendrën në Nish