Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Serbia mban përgjegjësinë kryesore për ngërçin në dialogun me Kosovën, pasi, sipas tij, ende nuk është e gatshme të pranojë realitetin e krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në një intervistë për Euronews, Rama tha se “nuk ekziston më diçka që quhet Kosovë dhe Metohi”, por vetëm Republika e Kosovës.
“Serbia është më përgjegjësja për situatën që kemi në dialog, sepse nuk është e gatshme të pranojë realitetin, dhe realiteti ka ndryshuar. Nuk ka më diçka që quhet ‘Kosovë dhe Metohi’, ekziston Republika e Kosovës”, u shpreh ai.
I pyetur për faktin se pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Rama tha se kjo nuk e ndryshon realitetin, pasi shumica dërrmuese e vendeve të BE-së e kanë njohur atë.
“Pesë nga 27 janë ende një numër i vogël dhe tregojnë se shumica dërrmuese e ka njohur realitetin. Kjo nuk ka të bëjë me dobësinë. Ka të bëjë me pranimin e faktit se realiteti ka ndryshuar”, deklaroi ai.
Rama shtoi se, ashtu si popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë fituan pavarësinë e tyre, edhe shqiptarët në Kosovë ushtruan të drejtën për vetëvendosje.
“Ashtu si të gjithë popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë gjetën rrugën e tyre dhe u bënë të pavarur, edhe shqiptarët patën të drejtën e vetëvendosjes. Sigurisht, me bashkëpunim të mirë dhe një marrëdhënie harmonike me pakicën. Sot, shqiptarët nuk janë më pakicë në Serbi, por serbët janë pakicë në Kosovë”, tha ai.
Kryeministri shqiptar theksoi se Serbia, si shteti më i madh në rajon, ka një përgjegjësi të veçantë për të pranuar realitetin e ri.
“Sipas mendimit tim, dhe e thashë këtë në Beograd, sa më shpejt Serbia të përballet me realitetin se ekziston një realitet i ri, aq më mirë do të jetë”, përfundoi Rama.
The GeoPost

Tragjedia e shqiptarëve të vrarë përdoret në përplasjet politike në Serbi
A do të ketë zgjedhje të drejta në Serbi fundjavën e ardhshme?
“Njeriu i fortë i Putinit që kapet pas pushtetit”, “The Times”: Vuçiqi po lufton për të ruajtur kontrollin
Si po ndryshon peizazhi mediatik në Serbi: Ndikimi i Vuçiqit dhe lufta për kontrollin e mediave
Pesë luftanije të NATO-s zbarkojnë në Orikum, gati për stërvitjen e përbashkët ushtarake
Kongresi amerikan kërkon hetimin e lidhjeve të Serbisë me inteligjencën ruse dhe Qendrën në Nish