Franca dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje që parashikon blerjen e 16 avionëve luftarakë Rafale, së bashku me armatimin përkatës, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e kapaciteteve ushtarake të Kievit.
Presidenti francez Emmanuel Macron bëri të ditur se aeroplani i parë luftarak Rafale pritet të dorëzohet dhe të fluturojë në hapësirën ajrore ukrainase gjatë viteve 2028-2029.
“Në kuadër të këtij udhërrëfyesi, Ukraina do të pajiset me 16 avionë Rafale dhe armatimin e tyre”, tha Macron pas përfundimit të samitit të vendeve të “Aleancës së Gatishmërisë” në Paris.
Përveç avionëve luftarakë, marrëveshja përfshin edhe blerjen e sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore SAMP/T, të cilat do të plotësojnë sistemet që Franca planifikon t’i dorëzojë së bashku me raketat përkatëse në javët e ardhshme.
Sipas Macron, marrëveshja përfshin gjithashtu furnizimin me radarë dhe dhënien e licencave për Ukrainën për prodhimin e bombave ajrore AASM, raketave kundërajrore Aster 30 dhe raketave kruz Scalp.
Presidenti francez njoftoi gjithashtu se forca shumëkombëshe që pritet të vendoset në Ukrainë pas përfundimit të luftës do të nisë përgatitjet dhe trajnimet në vendet fqinje të Ukrainës në muajt e ardhshëm.
“Vendosëm për ushtrimet që do të zhvillohen në muajt e ardhshëm. Ato do të zhvillohen në vendet fqinje të Ukrainës për të testuar planet tona dhe për të dëshmuar se jemi të gatshëm, të vendosur dhe të besueshëm”, deklaroi Macron pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Marrëveshja vjen në kuadër të përpjekjeve të Francës dhe aleatëve evropianë për të rritur mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës dhe për të garantuar kapacitetet e saj mbrojtëse në periudhën afatgjatë.
The GeoPost

Nuk do të ketë “lehtësim” të sanksioneve derisa Rusia ta ndalë luftën, thonë dy zyrtarët e lartë të BE-së
NATO-ja është shumë më e fuqishme se Rusia – thotë gjenerali amerikan
Ukraina merr konfirmimin për paketa të reja ndihme nga të paktën pesë vende
Çfarë mund të përdorë SHBA-ja në Iran, e quajtur “Nëna e të gjitha bombave”?
Sputnik përhap dezninformata për Bondstillin, thotë se Serbia, Rusia dhe Kina duhet të japin pëlqimin
Ukraina do të rifillojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, thotë Zelensky