AFET - Confirmation hearing of Marta KOS, European Commissioner-designate for Enlargement
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”.
Duke folur në një konferencë për media në Bruksel, pas mbylljes së dy kapitujve të negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi, Kos u shpreh se është e tronditur nga deklarata të tilla dhe theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik.
“Mund të ketë vetëm zero tolerancë për deklarata të tilla çfarë kemi dëgjuar. Dhe nuk ka vend në Evropë për retorikën që justifikon, avokon apo glorifikon spastrimin etnik. Unë jam personalisht e tronditur se kjo fare duhet të thuhet në këtë situatë. Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat dhe dinjitetin njerëzor, pajtimin e nevojshëm, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe pa të cilat procesi i anëtarësimit nuk mund të ndodhë”, deklaroi Kos.
Ajo u pyet nëse Komisioni Evropian vazhdon të qëndrojë pas vlerësimit pozitiv për Serbinë lidhur me angazhimin e saj në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Komisionerja evropiane tha se deklarata të tilla bien ndesh edhe me obligimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Këto janë edhe në kundërshtim me obligimet e Serbisë nga dialogu i lehtësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Kosovën. Unë vetëm mund të supozoj se këto janë qëndrime të një ministreje dhe nuk paraqesin qëndrimin e qeverisë së Serbisë. Presim nga liderët politikë që të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe të kontribuojnë për ndërtimin e besimit, pajtimit dhe stabilitetit në rajon”, tha Kos.
Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviq ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare, pasi ajo deklaroi se, nëse do të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”.
Deklarata është dënuar gjerësisht si gjuhë që nxit urrejtje dhe bie ndesh me vlerat evropiane.

Veselinoviq sulmon Vuçiqin për funeralin e Mlladiqit: Do të gjunjëzohet mbi varrin e kujtdo për përfitime politike
Kongresmeni amerikan: Vuçiq është një kukull kineze, prodhimi i robotëve në Serbi kundër interesave amerikane
Tetë kalime kufitare në gjashtë ditë, çfarë bënte shtetasi rus në Mal të Zi para vrasjes së trefishtë?
Mali i Zi po i afrohet anëtarësimit në BE: Ekspertët paralajmërojnë se Serbia mund të tentojë destabilizimin për ta penguar procesin
Plenkoviq dënon mundësinë e funeralit shtetëror për Mladiqin: Serbia po i mbyll dyert e BE-së
Çanak: Ratko Mlladiqi nuk është hero, por kriminel lufte – Serbia po tenton ta glorifikojë