None
Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje zyrtare Serbisë që të ndërmarrë hapa konkretë dhe të menjëhershëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, duke e cilësuar këtë proces si një kusht të pashmangshëm dhe kyç në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Përmes një reagimi zyrtar të shpërndarë në rrjetet sociale, institucionet evropiane i kanë kujtuar Beogradit zyrtar se përparimi drejt bllokut evropian nuk mund të bëhet pa një përkushtim të sinqertë ndaj vlerave themelore të BE-së.
“Serbia duhet të tregojë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të Bashkimit Evropian. Përparimi drejt anëtarësimit në BE është i mbyllur pa reforma të thella në sundimin e ligjit dhe forcimin e standardeve demokratike. Serbia duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën”, thuhet në deklaratën e prerë të Parlamentit Evropian.
Zgjedhjet dhe kriza politike në fokus
Përveç dialogut me Kosovën, eurodeputetët kanë vënë theksin edhe te situata e brendshme politike në Serbi.
Parlamenti Evropian ka nënvizuar se mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike është një hap emergjent për kapërcimin e krizës politike që ka përfshirë vendin muajt e fundit.
Sipas vlerësimit të PE-së, garantimi i një procesi zgjedhor transparent dhe me standarde mbetet shtylla kryesore për rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet dhe për sigurimin e stabilitetit afatgjatë politik në Serbi.
Ky paralajmërim i shtohet debateve të fundit mbi ngecien e procesit të integrimit të Serbisë, ku njohës të çështjeve politike dhe profesorë si Enver Bytyçi kanë vënë në dukje se refuzimi i fundit i BE-së lidhet pikërisht me deficitet demokratike dhe mungesën e vullnetit për reforma nga ana e udhëheqjes serbe.
The GeoPost

Stojkoviq: Varrosja e Mladiqit me nderime shtetërore do të ishte “pranim direkt i pjesëmarrjes së Serbisë në gjenocid”
Ambasada ruse nderon kriminelin Ratko Mladiq – e vajton si “gjeneral”
Grliq Radman: Forcat e Mlladiqit lanë gjurmë të përgjakshme në Kroaci dhe Bosnje, drejtësia nuk i përfshiu të gjitha krimet
Si ndikon referendumi në Islandë në rrugën e Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt BE-së
Republikani Joe Wilson: Serbia nën Vuçiqin po kërcënon stabilitetin e rajonit
Kongresi amerikan paralajmëron Vuçiqin: Distancohu nga Rusia, Kina dhe Irani ose përballu me masa