Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë
  • News

Trump: Jemi pajtuar për bisedime të mëtejshme me Iranin, por armëpushimi ka marrë fund

The Geopost July 11, 2026 3 min read
Share the news

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të premten se Irani ka kërkuar që bisedimet mes dy vendeve të vazhdojnë, por ai e paralajmëroi Teheranin se armëpushimi i tanishëm nuk është më në fuqi, në mes të një vale sulmesh hakmarrëse nga të dyja palët.

“Republika Islamike e Iranit na ka kërkuar t’i vazhdojmë ‘bisedimet’”, shkroi Trump në platformën Truth Social të premten.

“Ne jemi pajtuar ta bëjmë këtë, por Shtetet e Bashkuara ua kanë bërë të qartë atyre se armëpushimi ka marrë fund!” shtoi ai.

Trump ka deklaruar shpesh se Teherani është përgjëruar për rifillimin e bisedimeve me Uashingtonin, megjithëse këto bisedime janë ndërprerë vazhdimisht pa ndonjë përparim të dukshëm.

Duke folur për gazetarë më herët gjatë kësaj jave, Trump tha: “Irani na telefonoi pak kohë më parë. Ata duan aq shumë ta arrijnë një marrëveshje. Thjesht nuk e di nëse janë të denjë. Nuk e di nëse do ta nderojnë marrëveshjen. Ky është problemi”.

Megjithatë, Trump tha gjithashtu se do të bisedojë me Steve Witkoff dhe dhëndrin e tij, Jared Kushner, për mundësinë e rifillimit të bisedimeve.

Witkoff dhe Kushner kanë vepruar si negociatorët kryesorë të SHBA-së.

Ndërmjetësit nga Katari mbërrijnë në Iran

Ndërkohë, mediat iraniane raportuan se një delegacion nga Katari, i cili vepron si ndërmjetës, mbërriti në Teheran të premten për zhvillimin e bisedimeve.

“Qëllimi kryesor i vizitës raportohet të jetë përpjekja për të forcuar rolin e Katarit si ndërmjetës pas ngjarjeve të së martës [7 korrik]”, raportoi agjencia e lajmeve Tasnim.

Katari e ka akuzuar Iranin për një sulm ndaj tri anijeve cisternë në Ngushticën e Hormuzit më 7 korrik. Armiqësitë në rajon u përshkallëzuan gjatë armëpushimit 60-ditor, i cili u shpall me synim për të mundësuar zhvillimin e bisedimeve gjithëpërfshirëse mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Irani ka shtënë ndaj anijeve që kalonin nëpër këtë rrugë ujore strategjike, duke pretenduar se ato kishin tentuar të kalonin pa e marrë lejen e duhur nga Teherani.

Forcat amerikane u kundërpërgjigjën duke goditur shënjestra në Iran – kryesisht pozicione bregdetare pranë ngushticës – duke deklaruar se veprimi kishte për qëllim mbrojtjen e lundrimit në këtë korridor detar, përmes të cilit, para luftës, kalonin rreth 20 për qind e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror.

Komanda Qendrore e SHBA-së, përgjegjëse për forcat amerikane në Lindjen e Mesme, publikoi më 9 korrik atë që e quajti “verifikim faktesh”, duke përsëritur qëndrimin amerikan se Ngushtica e Hormuzit është rrugë ujore ndërkombëtare dhe se Teherani nuk ka të drejtë ta kontrollojë atë.

Vala e fundit e sulmeve në rajon ndodhi ndërsa Irani zhvilloi gjashtë ditë ceremoni për varrimin e udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në ditën e parë të sulmeve ajrore amerikano-izraelite më 28 shkurt.

Ceremonitë madhështore publike mblodhën qindra mijëra njerëz në mbarë Republikën Islamike, por një mungesë e dukshme ishte Mojtaba Khamenei, djali i udhëheqësit të ndjerë dhe udhëheqësi i ri suprem i Iranit, gjë që ngriti pikëpyetje për gjendjen e tij shëndetësore dhe për gjendjen e udhëheqjes së vendit./REL

Tags: Donald Trump Iran SHBA

Continue Reading

Previous: Nga dronët te satelitët, NATO zbulon strategjinë e re të mbrojtjes me investime miliardëshe
Next: Shqipëria dhe Mali i Zi do të mbyllin të martën kapituj të tjerë në bisedimet për anëtarësim në BE

USA Today: Kosova, një histori suksesi në Ballkan 6 min read
  • Ballkan
  • News

USA Today: Kosova, një histori suksesi në Ballkan

The Geopost July 11, 2026
Vuçiq kundërshton dënimin e patriarkut Porfirije nga një gjykatë sllovene 2 min read
  • Ballkan
  • News

Vuçiq kundërshton dënimin e patriarkut Porfirije nga një gjykatë sllovene

The Geopost July 11, 2026
Srebrenica përkujton viktimat në 31-vjetorin e gjenocidit 4 min read
  • Ballkan
  • News

Srebrenica përkujton viktimat në 31-vjetorin e gjenocidit

The Geopost July 11, 2026
Sheshel vazhdon propagandën mohuese për Srebrenicën 2 min read
  • Ballkan
  • News

Sheshel vazhdon propagandën mohuese për Srebrenicën

The Geopost July 11, 2026
Mbështetësit e Orbanit protestojnë kundër shkarkimit të presidentit Tomas Sulyok 2 min read
  • Botë
  • News

Mbështetësit e Orbanit protestojnë kundër shkarkimit të presidentit Tomas Sulyok

The Geopost July 11, 2026
Kosova përkujton viktimat e Srebrenicës: Pa të vërtetën nuk ka drejtësi e as paqe 2 min read
  • Ballkan
  • News

Kosova përkujton viktimat e Srebrenicës: Pa të vërtetën nuk ka drejtësi e as paqe

The Geopost July 11, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.