Në vend që të përballet me drejtësinë për sulmin në Banjskë, Milan Radoiçiq dhe figura të lidhura me pushtetin në Serbi po shfaqen si përfitues të një sistemi urbanistik që u ka hapur rrugë zgjerimeve të pakontrolluara të pasurisë dhe ndikimit të tyre.
Madje, ndërtimi të cilin krye terroristi i Banjskës bashkë me mikun e tij të ngushtë në biznes, biznesmenin kontrovers nga Kosova Zvonko Veselinoviq, po përbëjnë edhe rrezik nga përmbysjet dhe shembjet. Të dy, janë duke ndërtuar bunkerë poshtë objekteve luksoze, në një lagje periferike në Beograd.
Për rrezikun e gërmimeve, kanë paralajmëruar edhe ekspertë të ndryshëm atje.
Në lagjen elitare Dedinje të Beogradit, po zhvillohet një zgjerim i madh i ndërtimeve nën tokë, ku vila luksoze të lidhura me persona pranë majës së pushtetit po shndërrohen në komplekse gjigante nëntokësore me mijëra metra katrorë shtesë. Bëhet fjalë për prona që lidhen me bashkëshorten e Zvonko Veselinoviqit, kumbarin e presidentit të Serbisë Nikola Petroviq dhe ish-bashkëshorten e Milan Radoiçiqit. Që nga momenti kur Radoiçiq e pranoi vet se ishte organizator i sulmit terrorist në Banjskë, të gjitha pronat dhe bizneset e tij, i ka transferuar tek ish-gruaja me të cilën thuhet se është në proces divorci.
Kjo dyshohet se u bë për t’i shpëtuar të gjitha pasuritë e tij, në rast se ndodh ndonjë përballje e tij me drejtësinë.
Sipas të dhënave të raportuara, nën vila po ndërtohen nivele të reja nëntokësore që në total kalojnë mbi 4.500 metra katrorë, duke e kthyer Dedinjen në një nga shembujt më ekstremë të zgjerimit urban të fshehur nën sipërfaqe. Në disa raste, hapësirat nën tokë janë disa herë më të mëdha se pjesa mbi tokë. Se çfarë shtrihet nën vilat e Petroviqit, Veselinoviçit dhe Radoiçiqit, nuk dihet, raporton mediumi hulumtues Birn.
Zgjerimet më të mëdha po i realizon Ljiljana Bozhoviq, bashkëshortja e Zvonko Veselinoviqit. Me një leje të re ndërtimi, sipërfaqja e objektit të saj është rritur në rreth 3.057 metra katrorë, nga të cilat vetëm rreth 812 metra katrorë janë mbi tokë, ndërsa pjesa tjetër – mbi 2.200 metra katrorë – ndodhet nën sipërfaqe. Në këtë hapësirë janë parashikuar edhe tetë vende parkimi, ndërsa funksioni i pjesës tjetër nuk është sqaruar.
Edhe Nikola Petroviq, i afërt me presidentin serb, ka përfituar zgjerim të ndjeshëm të vilës së tij, duke shtuar mbi 1.100 metra katrorë hapësirë nën tokë, pa ndryshuar pjesën mbi sipërfaqe.
Një tjetër vilë, e lidhur me ish-bashkëshorten e Milan Radoiciqit, përfshin rreth 1.550 metra katrorë ndërtim, nga të cilat mbi 500 metra katrorë janë nëntokë, pa destinacion të qartë të përcaktuar.
Në total, nën këto prona po zhvillohet një sistem i gjerë hapësirash nëntokësore që tejkalon 4.500 metra katrorë, i mundësuar nga ndryshimet e Planit të Përgjithshëm të Rregullimit të Beogradit të miratuara në fund të vitit 2023. Këto ndryshime kanë përjashtuar hapësirat nëntokësore nga llogaritja e kufijve të ndërtimit, duke lejuar zgjerime pothuajse të pakufizuara nën tokë.
Në rastin e Bozhoviq, një vilë e planifikuar fillimisht për rreth 1.700 metra katrorë është dyfishuar në sipërfaqe, ndërsa tek Petroviq dhe të tjerët, zgjerimet nëntokësore kanë ndryshuar ndjeshëm strukturën e pronave pa prekur pjesën mbi tokë.
Ndërkohë, pronat dhe projektet kanë kaluar përmes ndryshimeve të shpejta pronësore dhe lejeve të ndërtimit, shpesh në favor të zgjerimeve të reja, edhe kur objektet kanë qenë tashmë të përfunduara.
Ekspertët paralajmërojnë se ky model zhvillimi po e dobëson kontrollin urban, duke favorizuar interesa private mbi planifikimin publik. Zgjerimi i pakontrolluar i hapësirave nën tokë, sipas tyre, rrit rrezikun e përmbytjeve, destabilizon terrenin dhe dëmton mjedisin urban.
Sipas tyre, Plani i Përgjithshëm i Rregullimit po humb funksionin e tij si instrument planifikimi dhe po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një dokument të përshtatshëm për interesa individuale dhe politike, duke ndryshuar mënyrën se si formësohet vetë Beogradi.
Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq janë dy personat që janë në listën e sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mërkurën.
Ata dy janë bashkëpunëtorë të ngushtë të Partisë Progresive Serbe e cila është në pushtet, por që ata kanë qenë të lidhur me krime të rënda disa herë, por që nuk janë dënuar asnjëherë, teksa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është përpjekur fuqishëm të mohojë lidhjet me ta, raporton BIRN.
Banjska me vendim në Prishtinë, e pa aktakuzë në Beograd
Në Prishtinë me 24 prill u shpallt vendimi i parë për sulmin në Banjskë, ndërsa në Beograd nuk është ngritur ende as aktakuzë.
Pavarësisht thirrjeve të BE-së, SHBA-së dhe NATO-s, si dhe premtimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se përgjegjësit do të ndiqen penalisht, kjo nuk ka ndodhur.
Për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, edhe pas gati tre vjetësh nuk ka aktakuzë ndaj organizatorit Milan Radoiçiq, i cili ndodhet në Beograd.
Atij i ndalohet ende të largohet nga vendi i tij i banimit dhe është i detyruar të paraqitet në polici, konfirmon për Radion Evropa e Lirë Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa Zyra e Prokurorit hesht për aktakuzën.
Gjykata e Lartë: Radoiçiq duhet të vazhdojë të paraqitet në polici
Millan Radoiçiq ende nuk lejohet të largohet nga vendi i tij i banimit, të shkojë në Kosovë dhe të largohet nga Serbia pa miratimin e gjykatës.
Pasaporta e tij serbe është konfiskuar.
Gjykata e Lartë në Beograd i tha gjithashtu Radios Evropa e Lirë se masa e detyrueshme e paraqitjes më 1 dhe më 15 të çdo muaji në stacionin kompetent të policisë në komunën Savski Venac, është ende në fuqi dhe se ai vazhdon ta zbatojë.
Ndalimi i largimit nga vendi i tij i banimit është zgjatur për herë të fundit më 31 mars, edhe për tre muaj të tjerë, tha Gjykata e Lartë.
Kjo masë mund të zgjasë për aq kohë sa ka nevojë dhe më së voni derisa vendimi të bëhet i formës së prerë, por gjykata shqyrton çdo tre muaj nëse kohëzgjatja e mëtejshme është e justifikuar.
Banjska në rrugën e Serbisë
BE-ja, SHBA-ja dhe NATO-ja i kanë kujtuar disa herë Beogradit premtimin e tij për ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmin e armatosur.
Në raportet vjetore të Komisionit Evropian, nga viti 2023 e këndej, Banjska cilësohet si përshkallëzimi më serioz i viteve të fundit.
Parlamenti Evropian e ka kualifikuar sulmin si “akt terrorist” dhe ka kërkuar përgjegjësi nga të gjithë të përfshirët.
Edhe Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë thirrje që Serbia të sjellë para drejtësisë të gjithë të përfshirët në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se presidenti serb ka premtuar zbardhje të plotë të përgjegjësisë.
Sipas Dragan Popoviq, nga Qendra për Politikë Praktike në Serbi, Banjska ka ndikuar në ftohjen e marrëdhënieve mes Perëndimit dhe pushtetit të Vuçiqit.
Rasti shihet edhe si pengesë serioze për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur se ekstradimi i Radoiçiqit është kusht për vazhdimin e këtij procesi.
Por, sipas Popoviqit, dialogu në këtë moment politik nuk ka kushte reale për rifillim.
Ai thotë se Banjska është njëkohësisht pengesë dhe justifikim për mungesën e përparimit.
Radoiçiq, ndërkohë, është tërhequr nga jeta publike dhe politike.

Ulutash: Situata e sigurisë e brishtë, me potencial për tensione të reja në veri të Kosovës
Serbia bllokon fondet për shqiptarët e Luginës, Qeveria: Kemi njoftuar BE-në dhe ndërkombëtarët
Rruga e dezinformatave nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit tek mediat e kontrolluara nga Kremlini
Evropa t’ua mbyllë derën ish-luftëtarëve të Putinit
Infiltrimi i heshtur: Spiunazhi serbo-rus synon të minojë Kosovën dhe rendin ndërkombëtar
Milanoviq: Pretendimet se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova do ta sulmojnë Serbinë janë marrëzira