Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbajtur në New York më 09.04.2026, ku është diskutuar mbi situatën në Kosovë, përfaqësuesit e Serbisë dhe ata të Rusisë sërish kanë prezantuar një mori pretendimesh për gjendjen në Kosovë, të cilat përbëjnë narrativa të përsëritura dezinformuese.
Këto narrativa nuk janë të reja, por ajo që bie në sy është konsistenca dhe koordinimi në mënyrën se si ato prezantohen në forume ndërkombëtare dhe më pas zmadhohen edhe në mediat serbe dhe ato ruse.
Analiza e diskursit të mbledhjes së mbajtur më 09.04.2026 në KS të OKB-së tregon se narrativat e përdorura nga Serbia dhe Rusia nuk janë spontane, por pjesë e një strategjie të vazhdueshme komunikimi, që synojnë të krijojnë perceptim të krizës humanitare; të delegjitimojnë institucionet e Kosovës; të diskreditojnë aleatët perëndimorë dhe të rikonfigurojnë realitetin politik dhe juridik në favor të tyre.
Një nga narrativat e theksuara nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq (Marko Đurić) ishte portretizimi i komunitetit serb në Kosovë si viktimë e një persekutimi sistematik që sipas tij përballet me margjinalizim. Në këtë kuadër ka përmendur “arrestimet arbitrare”, “presionin institucional” dhe madje një “eksod” të serbëve nga Kosova, të gjitha këto pretendime të rreme e të pabazuara në fakte.
Duke gjeneralizuar incidente të izoluara dhe duke i paraqitur ato si model sistematik të veprimit, kjo narrativë synon të krijojë një perceptim ndërkombëtar të një realiteti që nuk mbështetet në raportet e organizatave relevante ndërkombëtare.
Të njëjtat narrativa janë përsëritur edhe nga përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vassily Nebenzia.
Ai ka pretenduar rrejshëm se Qeveria Kurti “po përshpejton një spastrim të popullsisë jo-shqiptare në pjesën veriore të krahinës. Metodat mbeten të njëjta si më parë: shtrëngimi ekonomik, zgjerimi i rrjetit të stacioneve policore në komunat veriore, dhuna nga forcat e sigurisë së Kosovës, fushatat e frikësimit ndaj civilëve dhe ndjekja penale e serbëve mbi akuza të fabrikuara me qëllim të konfiskimit të pronës së tyre”.
Këto narrativa nuk janë të reja, pasi ato përsëriten në mënyrë të vazhdueshme nga mediat e kontrolluara nga Kremlini tash e disa vite. Platforma e Bashkimit Europian kundër dezinformimit, EuVsDisinfo ka identifikuar dhjetëra narrativa të rreme të publikuara në mediat e kontrolluara nga Kremlini, në të cilat rrejshëm pretendohet se Qeveria e Kosovës dhe ndërkombëtarët po synojnë përndjekjen e serbëve nga Kosova.
Dezinformata të tilla ishin thënë edhe nga politikanë serbë. Më 11.12.2022, ish-kryetari i Partisë Lista Serbe, Goran Rakiq kishte deklaruar rrejshëm se Qeveria Kurti do të dërgojë Policinë e Kosovës për të përndjekur serbët nga Kosova.
“Në një takim me strukturat e tij të sigurisë, Albin Kurti ka bërë të ditur se sonte do të dërgojë ROSU-në dhe njësitë tjera të armatosura në veri të Kosovës për të përndjekur popullin tonë dhe për të kryer Oluja/Stuhinë.”- kishte deklaruar Rakiq.Deklarata e kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq se njësitë e armatosura të Kosovës do të hyjnë në veri me qëllim që t’i përdjekin serbët doli të jetë paralajmërim i rremë.
Në veri dhe në asnjë pjesë tjetër të Kosovës nuk është përndjekur populli serb dhe as nuk është kryer asnjë aksion i ngjashëm me Oluja/Stuhinë.
Narrativa të tilla të rreme ishin identifikuar në edhe raportet rreth rrjedhës së dezinformatave të publikuara nga BIRN Kosova për vitet 2023 dhe 2025 dhe raportin Hartëzimi i Dezinformatave, i publikuar nga BIRN Kosova dhe Internews Kosova në vitin 2026.
Keqinterpretimi i qëllimshëm i zbatimit të Ligjit për të huajt
Një tjetër narrativë e paraqitur nga Gjuriq ishte pretendimi se institucionet e Kosovës po i përdorin ligjet për të “spastruar etnikisht” serbët, duke i trajtuar ata si “të huaj në vendin e tyre”. Konkretisht ka përmendur Ligjin për të huajt, që sipas interpretimit të tij paraqet rrezik që njerëzit që kanë jetuar e punuar me dekada në Kosovë, të trajtohen si të huaj, të humbin të drejtën e banimit e madje edhe qëndrimin në shtëpitë e tyre.
Të njëjtën narrativë dezinformuese e ka përsëritur edhe Përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vassily Nebenzia. Duke iu referuar Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, ai ka theksuar se serbëve u është paraqitur një zgjedhje e ashpër: ose ta pranojnë shtetësinë e Kosovës, ose të largohen.
Por, këto pretendime janë të rreme. Ky interpretim përbën një shtrembërim të politikave administrative dhe ligjore, të cilat në rastin konkret lidhen me standardizim dhe harmonizim me praktikat evropiane.
Në mars të vitit 2026, emisari i Bashkimit Europian, Peter Sorensen u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për t’u pajtuar me disa masa shtesë në zbatimin e Ligjit për të huajt dhe atij për automjete, duke përfshirë dhënien e lejes nga Qeveria e Kosovës për një periudhë fillestare prej 12 muajsh për punëtorët arsimorë e shëndetësorë dhe studentët serbë.
“Në këtë kontekst, e konsideruam si prioritet kyç që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Për të siguruar mosndërprerjen e shërbimeve, i kërkuam Kosovës të lejojë përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara jo më vonë se 15.03.2026 nga Serbia për ata që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative”- tha Sorensen në një konferencë për media me kryeministrin Albin Kurti më 14.03.2026.
Sorensen shtoi se paralelisht me këtë proces, autoritetet kosovare duhet të bëjnë regjistrimin e individëve që plotësojnë kushtet në sistemin qendror të regjistrit civil.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se procesi i zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjete do të bëhet në koordinim me emisarin Sorensen.
Kurti tha për media se Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë të komunave me shumicë serbe me listat e stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në Kosovë. Më pas, sipas tij, dhe Ministria e Punëve të Brendshme do t’i pajisë ata me lejet e përkohshme.
“Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në ministri. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do të ofrojnë listën e plotë. Këtyre studentëve MPB do ju ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi” – tha Kurti në konferencë.
Kurti ka treguar se për tre muaj qytetarët serbë do të mund të regjistrojnë gjendjen civile.
Vendimi që Qeveria e Kosovës t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe t’ua njohë letërnjoftimet pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente kosovare, u përshëndet si nga bashkësia ndërkombëtare (këtu dhe këtu), ashtu edhe nga Serbia.
Dezinformatat me bazë fetare
Para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, Gjuriq ka përdorur edhe narrativën e përsëritur mbi sulme të vazhdueshme ndaj kishave, varrezave e identitetit serb, sikurse edhe pretendimin se Kosova po militarizohet dhe rrezikon stabilitetin, duke injoruar mbikëqyrjen ndërkombëtare të organeve të sigurisë, për të përforcuar narrativën dezinformuese të frikës për eskalim.
Pretendimet e rreme për kinse dëmtimin e të gjitha varrezave serbe në Kosovë nuk është i ri. Rrjeti propagandistik rus, Pravda, kishte raportuar për dëmtimin e varrezave ortodokse, duke raportuar rrejshëm se 90% e tyre janë të dëmtuara.
“Kështu duken sot 90% e varrezave serbe në Kosovë”- është përshkrimi i rrejshëm që është vendosur sipër fotografive të publikuara të disa varreve të dëmtuara.
Ka pasur raste kur janë dëmtuar varrezat në Kosovë e të cilat janë trajtuar nga Policia e Kosovës, por pretendimi se 90% e varrezave janë të dëmtuara është i rremë dhe i pambështetur në fakte.
Tentimi për të shpërndarë narrativë dezinformuese me baza fetare ishte identifikuar në raportin Hartëzimi i Dezinformatave, të publikuar nga BIRN Kosova dhe Internews Kosova në mars 2026.
Madje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se edhe sulmi terrorist në Banjskë që la të vdekur rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ishte planifikuar që të paraqitet si konflikt ndërfetar.
Kurti kishte thënë se më të marrë lajmin se terroristët ishin vendosur në Banjskë, i ishte kujtuar lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe tentimin për ta kthyer në konflikt ndëretnik një sulm terrorist.
“Ata donin që Policia jonë të hynte në Manastirin e Banjskës, në mënyrë që të shpërndanin fotografi në mbarë botën që tregonin plumba në muret e Manastirit. Kjo nuk ndodhi sepse Policia jonë është shumë e fortë dhe shumë profesionale, dhe sulmuesit u arratisën”- kishte thënë Kurti për sulmin në Banjskë.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë më 24.09.2023, kur në Banjskë të Zveçanit, së bashku me disa policë të tjerë kishin intervenuar pas një informate se në një urë ishin vendosur barrikada. Aty ishte plagosur edhe polici Alban Rashiti, teksa kishte pasur shkëmbim zjarri me një grup që sulmoi Policinë e Kosovës.
Në mesin e terroristëve ishte edhe Millan Radoiçiq, i cili më 29.09.2023, përmes një letre të cilën e kishte lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të datës 24.09.2023 në Banjskë të Zveçanit.
Madje, në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij si nënkryetar i Listës Serbe.Millan Radoiçiq është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd dhe ishte ndaluar për 48 orë, por më pas ishte liruar që të hetohet në liri.
Më 06.12.2023, INTERPOL kishte lëshuar fletarrest për Millan Radoiçiq. Përveç Millan Radoiçiqit, lista e personave të cilët kanë fletarrest nga INTERPOL përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë, të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.
Ndaj 45 personave në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, ndaj 45 të akuzuave rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parave.
Deklarimi i shefit të UNMIK-ut.
Ndryshe nga pretendimet e paraqitura nga Serbia dhe Rusia, fjalimi i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe shefit të UNMIK-ut, Peter Due, nuk ka përmbajtur referenca për “eksod të serbëve” apo “persekutim sistematik”, por i ka trajtuar çështjet e komuniteteve joshumicë në mënyrë të balancuar, duke theksuar shqetësime për barazi dhe qasje në shërbime, si dhe nevojën për ndërtim të besimit dhe përmirësim të sigurisë, ndërkohë që ka vlerësuar edhe angazhimin e BE-së në dialogun për normalizim.
Për komunitetet joshumicë Due ka pranuar ekzistencën e shqetësimeve, por jo ndonjë krizë ekstreme. “Pjesëtarët e komuniteteve joshumicë vazhdojnë që të ngrehin shqetësime lidhur me barazinë dhe mos-diskriminimin, qasjen në drejtësi e shërbimet bazike, dhe lirinë e shprehjes”.
Për sigurinë dhe policinë, në fjalimin e tij ai ka përmendur përpjekjet për përmirësim dhe ndërtim besimi, duke mirëpritur angazhimet e “Policisë së Kosovës për të rivitalizuar policimin në komunitet në veri të Kosovës, gjë që mund të kontribuojë në forcimin e besimit dhe rritjen e sigurisë publike”.
Për dallim nga narrativat politike serbe dhe ruse, Due ka përgëzuar BE-në, Beogradin dhe Prishtinën që në muajin mars 2026 kanë gjetur rrugën konstruktive për zbatimin e Ligjit për të huajt.
“Kjo duhet të ndihmojë në sigurimin e qasjes së pandërprerë në arsim dhe shëndetësi, duke kontribuar njëkohësisht në krijimin e një mjedisi të favorshëm për avancimin e dialogut, besimit dhe stabilitetit”- ka thënë Due.
Sipas tij, dialogu, besimi dhe llogaridhënia mbeten çështjet kryesore për paqe të qëndrueshme dhe sigurinë në rajon, dhe në këtë drejtim ka ripërsëritur thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së që autoritetet në Beograd dhe në Prishtinë të bashkëpunojnë ashtu që përgjegjësit për sulmin në Banjskë (2023) dhe në kanalin e Ibër-Lepencit (2024) të mbahen përgjegjës. “I bëj thirrje të dyja palëve të punojnë së bashku përmes mekanizmave të dakorduar reciprokisht në kërkim të drejtësisë”- është shprehur Due.
Raportimi i mediave serbe dhe atyre të kontrolluara nga Kremlini
Narrativat politike serbe dhe ruse janë riprodhuar në media të ndryshme të Serbisë, duke krijuar një cikël të vazhdueshëm të përforcimit të mesazheve dezinformuese.
Transmetuesi publik në Serbi, RTS, në ueb-portal ka raportuar për takimin e KS të OKB-së duke i dhënë hapësirë narrativave të sipërpërmendura veçmas duke zmadhuar pretendimin e Gjuriqit për eksodin e serbëve, me titullin: “Gjuriq: Eksodi i serbëve nga Kosova dhe Metohia, rrethanat nuk janë të rastësishme, por pjesë e një modeli më të gjerë”.
Ndërkaq Pink.rs teksa i ka dhënë hapësirë narrativave të sipërpërmendura të Gjuriqit, ka përcjellë deklaratën se si serbët jetojnë me frikë dhe presion konstant, në artikullin me titull: “Serbët në Kosovë jetojnë nën presion të vazhdueshëm!” Ministri Gjuriq në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën: Presioni sistematik rrezikon stabilitetin e rajonit!
Në këtë artikull, krahas deklaratave të Gjuriqit, shkarazi është përmendur deklarata e shefit të UNMIK-ut, Peter Due, teksa nuk i është dhënë hapësirë fare ministrit të Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca.
Paralelisht, mediat ruse që operojnë në gjuhën serbe, si Sputnik Srbija dhe RT Balkan, kanë ndjekur të njëjtën linjë raportimi.
Sputnik Srbija ka raportuar në mënyrë të njëjtë si mediat serbe për diskutimet në mbledhjen e fundit të KS të OKB-së, duke theksuar se Gjuriq ka bërë të ditur se UNMIK-u nuk e përmend eksodin e serbëve. Madje në këtë artikull bëhet e ditur se si ministri i jashtëm serb ka thënë se “brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, rreth 20% e popullsisë serbe ka braktisur Kosovën si pasojë e presioneve”.
Sputnik Srbija gjithashtu ka publikuar lajmin se si përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vassily Nebenzia, ka pohuar se Prishtina me miratimin e heshtur të Brukselit vazhdon që të sabotojë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe bashkë me zmadhimin e narrativave të tjera ruse.
Edhe RT Balkan në mënyrë të ngjashme ka raportuar për diskutimin e Nebenzia-s përkatësisht diskreditimin e rolit të BE-së si ndërmjetës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Raportimet një ditë pas seancës së KS të OKB-së kanë qenë po aq me tone dramatike në mediat serbe dhe ruse.
Transmetuesi publik në Serbi, RTS, në ueb-portal ka sjellë deklaratën e Kryetares së Komisionit parlamentar për Kosovën, Danijela Nikoliq, e cila ka theksuar se raporti i UNMIK-ut nuk flet mjaftueshëm për eksodin e serbëve dhe i njëjti raportim është publikuar edhe në RT Balkan.

Ulutash: Situata e sigurisë e brishtë, me potencial për tensione të reja në veri të Kosovës
Serbia bllokon fondet për shqiptarët e Luginës, Qeveria: Kemi njoftuar BE-në dhe ndërkombëtarët
Radoiçiq e Veselinoviq ndërtojnë perandori nëntokësore në zemër të Beogradit, nën vilat e tyre dyshohet se po bëjnë bunkerë
Evropa t’ua mbyllë derën ish-luftëtarëve të Putinit
Infiltrimi i heshtur: Spiunazhi serbo-rus synon të minojë Kosovën dhe rendin ndërkombëtar
Milanoviq: Pretendimet se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova do ta sulmojnë Serbinë janë marrëzira