Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit është zgjatur edhe për tri javë të tjera, pas takimit të tij me të dërguarit e dy vendeve të enjten vonë.
Por, me gjithë armëpushimin, dhuna përgjatë kufirit Izrael–Liban ka vazhduar.
“Takimi shkoi shumë mirë!”, shkroi Trump në Truth Social të enjten vonë.
“Shtetet e Bashkuara do të punojnë me Libanin për ta ndihmuar të mbrohet nga Hezbollahu. Armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit do të zgjatet për tri javë”, shtoi ai.
Armëpushimi ishte paraparë të përfundonte më 26 prill.
Hezbollahu – i mbështetur nga Irani – është grup militant dhe parti politike njëkohësisht, dhe kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listë të zezë vetëm krahun e tij të armatosur.
Qeveria e Libanit nuk është pjesëmarrëse aktive në konflikt dhe është zotuar se do ta çarmatosë Hezbollahun.
Trumpi tha se pret “që së shpejti” t’i presë në një takim kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentin e Libanit, Joseph Aoun.
Trump, nënpresidenti JD Vance, dhe sekretari i shtetit Marco Rubio, së bashku me ambasadorët amerikanë në Izrael dhe Liban, ishin ndër ata që u takuan të enjten me “përfaqësues të rangut të lartë” të Izraelit dhe Libanit, sipas presidentit amerikan.
Ambasadorja e Libanit në SHBA, Nada Hamadeh Moawad, dhe ambasadori i Izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, përfaqësuan vendet e tyre në bisedime.
Njoftimi i Trumpit erdhi edhe pse dhuna u përshkallëzua pranë kufirit Izrael–Liban, me të dyja palët që qëlluan ndaj njëra-tjetrës pas akuzave për shkelje të armëpushimit 10-ditor që kishte hyrë në fuqi më 16 prill./REL

Ukraina thotë se këtë vit ka rikthyer mbi 600 kilometra katrorë territor të marrë nga Rusia
Zelensky: Ngrirja e vijës së frontit është mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund luftës
Pushtimi i Ukrainës përshpejtoi dobësimin e ndikimit rus në Evropë
Mediat ruse në shërbim të destabilizimit: Kremlini dhe Beogradi po përdorin zgjedhjet në Kosovë për përhapjen e propagandës
Policia bastis dy lokacione në Zubin Potok, konfiskohen katër armë pas rastit të kanosjes ndaj ministrit Sveçla
Zgjedhjet në Kosovë: KQZ ndalon votimin me dokumente të Serbisë në Graçanicë