Kryeministri sllovak Robert Fico njoftoi të dielën, më 19 prill, se Lituania dhe Letonia kanë refuzuar t’i japin avionit të tij kalimin nëpër hapësirën e tyre ajrore për udhëtimin e tij të ardhshëm në Moskë më 9 maj.
Në një videomesazh të postuar në Facebook, Fico shprehu zhgënjim për vendimin e dy shteteve anëtare të BE-së për të bllokuar udhëheqësin e një shteti tjetër anëtar.
“Lituania dhe Letonia kanë njoftuar tashmë se nuk do të na lejojnë të fluturojmë mbi territorin e tyre në fluturimin për në Moskë”, tha Fico, duke shtuar se është i bindur se do të gjejë një rrugë alternative, ashtu siç bëri vitin e kaluar kur Estonia vendosi kufizime të ngjashme.
Vendimi i Ficos për të marrë pjesë në festimet e “Ditës së Fitores” në kryeqytetin rus vazhdon të marrë kritika të ashpra nga Brukseli.
Vitin e kaluar, ai injoroi thirrjet e zyrtarëve të lartë evropianë, përfshirë shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, për të bojkotuar eventin në përgjigje të pushtimit të vazhdueshëm të Ukrainës nga Rusia.
Ky fërkim diplomatik vjen pas një thellimi të lidhjeve midis Bratislavës, Budapestit dhe Moskës. Fico është afruar gjithnjë e më shumë me (ish-) kryeministrin hungarez Viktor Orbán , duke mbështetur qëndrime të ashpra kundër politikave dhe sanksioneve të BE-së për energjinë.
Gjatë vitit të kaluar, Fico i ka përshkruar përpjekjet e BE-së për të hequr gradualisht energjinë ruse si “vetëvrasje energjitike” dhe ka ngritur një padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë për të sfiduar ndalimin e importeve të gazit rus.
Tensioni midis Sllovakisë dhe partnerëve të saj evropianë është përkeqësuar më tej nga qëndrimi i Ficos mbi tubacionin Druzhba.
Ndërsa Kievi pohon se sulmet ruse shkaktuan dëmet e vazhdueshme të infrastrukturës, Fico dhe Orbán kanë fajësuar Ukrainën për ndërprerjen dhe kanë kërcënuar të rishqyrtojnë ndihmën për Kievin.
Pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve, Fico ka mbetur i palëkundur në dëshirën e tij për “standardizimin e marrëdhënieve” me Rusinë, një qëndrim që ai e përforcoi gjatë një takimi ballë për ballë me Presidentin rus Vladimir Putin në shtator 2025.
The Geopost

Finlanda përfundon 200 kilometrat e murit përgjatë kufirit me Rusinë
Polonia kërkon dëbimin e diplomatëve rusë nga BE-ja: Janë të përfshirë në sabotim dhe aktivitete terroriste
Kushner dhe Witkoff paralajmërojnë fazë të re në bisedimet për paqe në Ukrainë
Të dërguarit e Trumpit japin sinjalin e parë pas takimeve në Rusi e Ukrainë
Gjermania përgatit “mburojën mbrojtëse” kundër sabotimeve, Berlinin e shqetësojnë sulmet hibride
BE-ja shënjestron kampin në Korenë e Veriut ku Rusia i dërgon fëmijët e rrëmbyer ukrainas