Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, ka rikthyer në vëmendje bombardimet e NATO-s ndaj Jugosllavisë në vitin 1999, në një përpjekje për të kritikuar qëndrimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.
Në deklarimet e saj, Zaharova pretendoi se komuniteti ndërkombëtar po aplikon standarde të dyfishta në trajtimin e konflikteve, duke përmendur situatat në Gaza dhe Libi si shembuj krahasues.
Megjithatë, këto deklarata vijnë në një kohë kur Ukraina vazhdon të përballet me pasojat e luftës, ndërsa forcat ruse janë akuzuar nga organizata ndërkombëtare për shkelje të rënda ndaj civilëve.
Raporte të ndryshme, përfshirë ato të OKB-së, kanë dokumentuar sulme ndaj infrastrukturës civile, shkatërrime të gjera dhe vrasje të civilëve në qytete si Bucha dhe Mariupol, të cilat janë kthyer në simbole të vuajtjeve gjatë konfliktit.
Autoritetet në Moskë kanë mohuar vazhdimisht përgjegjësinë për këto akuza, duke promovuar narrativa që synojnë relativizimin e veprimeve të tyre dhe zhvendosjen e fokusit drejt konflikteve të tjera ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, zyra e Guterres ka theksuar në mënyrë të përsëritur se mbrojtja e civilëve duhet të jetë universale dhe se çdo shkelje e së drejtës ndërkombëtare humanitare duhet të hetohet, pavarësisht se kush është përgjegjës.
Në një reagim të mëhershëm në Bundestag, deputeti gjerman Adis Ahmetoviq ka kujtuar se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte vendimtare për të ndalur krimet e regjimit të Slobodan Milloshevq në Kosovë.
Ai theksoi se përdorimi i vazhdueshëm i narrativit se bombardimet e NATO-s krijuan precedent po shfrytëzohet për të justifikuar shkelje të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
“Sa herë që e përdorni këtë narrativ, harroni viktimat e Masakra e Srebrenicës, sepse atëherë nuk pati ndërhyrje humanitare. Sa herë që e përdorni këtë narrativ, harroni mbi të gjitha edhe viktimat në Kosovë. Shumë mijëra njerëz u bënë viktima të masakrave të Millosheviqit”, deklaroi Ahmetoviq.
Ai shtoi se ndërhyrja humanitare e vitit 1999, e mbështetur edhe nga Bundestagu gjerman, ishte thelbësore për të parandaluar përsëritjen e një gjenocidi në Ballkanin Perëndimor.
Ahmetoviq kritikoi gjithashtu përhapjen e narrativave që, sipas tij, bien ndesh me vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut, duke paralajmëruar për rrezikun e relativizimit të krimeve të luftës dhe justifikimit të agresioneve ndërkombëtare.
The Geopost

Plenkoviq dënon mundësinë e funeralit shtetëror për Mladiqin: Serbia po i mbyll dyert e BE-së
Shtetasi rus dyshohet për vrasje të trefishtë në Mal të Zi – policia paralajmëron se është i armatosur
Kongresi amerikan kërkon masa ndaj Serbisë së Vuçiqit: Në shënjestër lidhjet me Rusinë dhe Kinën
Dënohen dy të akuzuar për barrikadat në veri, për katër të tjerë gjyqi nis më 15 shtator
“Ata e dëgjuan Vuçiqin dhe humbën gjithçka” – Stojkoviq rikthen rolin e tij në luftërat e viteve ’90
Presidenti i Finlandës: Rusia nuk do të rrezikonte të sulmonte NATO-n, aleancën më të fortë në botë