Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Arrestimin për krime lufte, Serbia e paraqet si përndjekje të serbëve në Kosovë

The Geopost April 4, 2026 3 min read
Share the news

Autoritetet kosovare e kanë arrestuar të shtunën një serb, për të cilin dyshojnë se kishte kryer krime të luftës kundër popullsisë civile në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998- ‘99.

Në një njoftim për media, Prokuroria Speciale e identifikoi të dyshuarin vetëm me inicialet A.D., dhe tha se ai dyshohet t’i ketë kryer krimet e pretenduara në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të qytetit jugor të Kosovës, Kaçanik.

Prokuroria nuk tregoi se ku ishte kapur ai, por tha se gjatë arrestimit të tij ka gjetur dhe sekuestruar një armë, dy karikatorë, 30 fishekë, një armë gjuetie ajrore dhe një uniformë të MUP-it, me sa duhet duke iu referuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

E ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar duke e cilësuar arrestimin e tij, të motivuar politikisht dhe pjesë të një “persekutimi të vazhdueshëm”.

Në një deklaratë, kjo zyrë pretendon se autoritetet në Prishtinë po vazhdojnë praktikën e “arrestimeve arbitrare”, duke theksuar se ato bëhen pa prova të mjaftueshme dhe me qëllim frikësimin e komunitetit serb në Kosovë.

“Me qëllim provokimin dhe frikësimin e popullit serb në këtë rajon, autoritetet e Prishtinës vazhdojnë praktikën e arrestimeve arbitrare të serbëve, si rregull pa asnjë provë relevante ose dëshmitarë të besueshëm”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’i paraqitur këto raste si pjesë e sundimit të ligjit janë “të kota”, pasi, sipas narrativës së tyre, proceset gjyqësore nuk mbështeten në fakte apo drejtësi.

Zyra serbe shkon më tej duke pretenduar se arrestimet për krime lufte përdoren si “mekanizëm hakmarrjeje politike” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me qëllim, siç thonë, dërgimin e një mesazhi pasigurie për serbët në Kosovë.

Megjithatë, një model i tillë reagimi është përsëritur vazhdimisht nga institucionet serbe sa herë që autoritetet kosovare arrestojnë persona të dyshuar për krime lufte.

Çdo rast i tillë shoqërohet me deklarata që vënë në pikëpyetje legjitimitetin e institucioneve të Kosovës dhe karakterin e proceseve gjyqësore.

Ndërkohë, sipas autoriteteve të rendit në Kosovë, arrestimi i fundit është kryer nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, mbi bazën e dyshimeve për përfshirje në krime lufte në fshatra të komunës së Kaçanikut.

Institucionet e Kosovës vazhdojnë të theksojnë se ndjekja e krimeve të luftës është obligim ligjor dhe pjesë e përpjekjeve për drejtësi dhe llogaridhënie, pavarësisht përkatësisë etnike të të dyshuarve.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë – shumica shqiptarë – ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Kohët e fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.

The Geopost

Tags: Krime Lufte Serbia

Continue Reading

Previous: Kosova e arreston një serb të dyshuar për krime lufte në Kaçanik
Next: Universiteti i Beogradit apel urgjent BE-së: Të ndërpriten arrestimet dhe presioni ndaj studentëve në Serbi

Mali i Zi po i afrohet anëtarësimit në BE: Ekspertët paralajmërojnë se Serbia mund të tentojë destabilizimin për ta penguar procesin 6 min read
  • Ballkan

Mali i Zi po i afrohet anëtarësimit në BE: Ekspertët paralajmërojnë se Serbia mund të tentojë destabilizimin për ta penguar procesin

The Geopost September 1, 2026
Plenkoviq dënon mundësinë e funeralit shtetëror për Mladiqin: Serbia po i mbyll dyert e BE-së 2 min read
  • Ballkan
  • News

Plenkoviq dënon mundësinë e funeralit shtetëror për Mladiqin: Serbia po i mbyll dyert e BE-së

The Geopost September 1, 2026
Çanak: Ratko Mlladiqi nuk është hero, por kriminel lufte – Serbia po tenton ta glorifikojë 2 min read
  • Ballkan

Çanak: Ratko Mlladiqi nuk është hero, por kriminel lufte – Serbia po tenton ta glorifikojë

The Geopost August 31, 2026
Nga Moska te Pekini: Kina po merr rol kyç në energjinë e Serbisë 13 min read
  • Ballkan

Nga Moska te Pekini: Kina po merr rol kyç në energjinë e Serbisë

The Geopost August 31, 2026
Dënohen dy të akuzuar për barrikadat në veri, për katër të tjerë gjyqi nis më 15 shtator 3 min read
  • Ballkan
  • News

Dënohen dy të akuzuar për barrikadat në veri, për katër të tjerë gjyqi nis më 15 shtator

The Geopost August 31, 2026
“Ata e dëgjuan Vuçiqin dhe humbën gjithçka” – Stojkoviq rikthen rolin e tij në luftërat e viteve ’90 4 min read
  • Ballkan
  • News

“Ata e dëgjuan Vuçiqin dhe humbën gjithçka” – Stojkoviq rikthen rolin e tij në luftërat e viteve ’90

The Geopost August 31, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.