Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë paralajmëruar se Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me tensione të shtuar politike dhe ndikime të jashtme, duke veçuar rolin destabilizues të Rusisë në rajon.
Në raportin e publikuar më 18 mars nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, “Vlerësimi Vjetor i Kërcënimeve 2026”, theksohet se lufta në Ukrainë ka thelluar ndarjet midis Perëndimit dhe Moskës, të cilat reflektohen edhe në Ballkan.
Sipas raportit, Rusia “nxit paqëndrueshmëri midis Serbisë, të cilën e favorizon, dhe Kosovës” dhe gjithashtu “mbështet ndarjen e entitetit serb, Republika Srpska nga Bosnja dhe Hercegovina”.
Shërbimet amerikane vlerësojnë se ndarjet etnike dhe politike në rajon mbeten të theksuara dhe përbëjnë një rrezik për sigurinë, sidomos kur kombinohen me ndikimin e aktorëve të huaj.
Raporti e përshkruan Ballkanin Perëndimor si një hapësirë ku përplasen interesat e fuqive të mëdha, ndërsa krizat ekzistuese dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura, përfshirë raportet midis Kosovës dhe Serbisë dhe marrëdhëniet e brendshme politike në Bosnje e Hercegovinë, mbeten burime kryesore të paqëndrueshmërisë.
Dokumenti paralajmëron gjithashtu për kërcënime më globale, përfshirë konkurrencën në rritje midis SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, si dhe rrezikun nga sulmet kibernetike dhe teknologjitë që mund të përdoren për destabilizimin e shteteve.
Raporti vë në dukje gjithashtu sfidat e vazhdueshme nga terrorizmi, krimi i organizuar dhe përhapja e armëve të shkatërrimit në masë.
Edhe pse kapacitetet e organizatave terroriste të mëdha janë dobësuar, rreziku nga sulmet me intensitet të ulët mbetet i pranishëm, përfshirë edhe në Evropë.
Sipas shërbimeve amerikane, Ballkani konsiderohet një zonë veçanërisht e ndjeshme ndaj ndikimeve të jashtme dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë rajonale.
The Geopost

Lirohet Mit’hat Llozhani, një tjetër rast arrestimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Serbi
Dënohet me dy vjet burg Sllobodan Radenkoviq për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan
Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e anijeve luftarake në Shqipëri
Dezinformimi nga “Sputnik”: Rezoluta e Kuvendit për Luginën e Preshevës nuk parasheh ndryshim kufijsh
A po rreshtohet Serbia me naftën ruse përmes Druzhbës?
Shqipëria nënshkruan me SHBA-në marrëveshje për gazin në vlerë prej 6 miliardë dollarësh