Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka reaguar pas një incidenti të ndodhur në ambientet e jashtme të Ambasadës së Kosovës në Berlin, ku janë vendosur etiketa fyese me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe mbi pllakatin identifikues të objektit diplomatik.
Sipas njoftimit zyrtar të MPJD-së, mbishkrimet përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si “Nuk ka dorëzim” dhe “Kosova është Serbi”, si dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës.
Ministria theksoi se veprime të tilla përbëjnë shkelje të normave ndërkombëtare dhe cenojnë drejtpërdrejt paprekshmërinë e misioneve diplomatike.
“Menjëherë pas identifikimit të rastit, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin ka njoftuar autoritetet gjermane dhe është në kontakt të vazhdueshëm me to për trajtimin e çështjes”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Institucioni i politikës së jashtme të Kosovës e cilësoi incidentin si të papranueshëm, duke rikujtuar se Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike garanton mbrojtjen dhe sigurinë e objekteve diplomatike.

Sipas MPJD-së, akte të tilla dëmtojnë frymën e bashkëjetesës, respektit dhe marrëdhënieve ndërshtetërore, veçanërisht në një kontekst të ndjeshëm rajonal.
Ministria rikujtoi se termat dhe narrativët fyes ndaj shqiptarëve të Kosovës janë përdorur shpesh në diskursin publik në Serbi, përfshirë edhe nga zyrtarë të lartë shtetërorë. Në mars të vitit të kaluar, gjatë një debati në Kuvendin e Serbisë, kryeparlamentarja Ana Bërnabiq iu referua mediave nga Kosova me terma fyes.
Ky përdorim i gjuhës ofenduese erdhi pavarësisht se një vendim gjykate në Serbi e ka shpallur termin “shiptar” si politikisht jokorrekt dhe ofendues.
Gjithashtu, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka përdorur vazhdimisht narrativë për “persekutim” apo “terror ndaj serbëve”, duke akuzuar institucionet e Kosovës për veprime të njëanshme dhe diskriminuese.
Përfaqësues të kësaj zyre kanë bërë deklarata të ashpra ndaj institucioneve në Prishtinë, duke kontribuar në rritjen e tensioneve verbale në raportet ndërmjet dy vendeve.
Organizata vendore që monitorojnë sigurinë dhe hapësirën informative kanë vlerësuar se raste të tilla shpesh shoqërohen me përhapje të dezinformatave dhe narrativëve përçarës, sidomos në platforma si Telegram, ku grupe të ndryshme shpërndajnë mesazhe nacionaliste dhe propagandistike.
MPJD-ja theksoi se pret nga autoritetet gjermane që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe autorët të identifikohen, në përputhje me ligjet në fuqi.
Ndërkohë, theksohet se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për ruajtjen e marrëdhënieve të mira me shtetet partnere dhe për promovimin e dialogut dhe respektit reciprok në arenën ndërkombëtare.
The Geopost

Nga miliona fitime në humbje: NIS në vitin e sanksioneve të SHBA-së
Beogradi në sinkron me Moskën, vazhdon narrativën kundër realitetit të Kosovës
Zgjedhjet lokale në Serbi: Vuçiq i dobësuar, alternativa ende nuk ekziston
FSK-ja gati për dislokim në Gazë, pret institucionet për vendimin
Gazetari italian zbulon rrjetin e mercenarëve të huaj në rastin “Sarajevo Safari”, ku është i përfshirë edhe Vuçiq
Kush është Darko Duroviq, malazezi i lidhur me rusët i kapur pas hetimit të FBI-së dhe dy ish-paramilitarët serbë të luftës në Kosovë