Në takimin e parë të Bordit të Paqes, të enjten në Uashington, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se pesë vende, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, kanë zotuar të dërgojnë trupa për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Gazë.
Trump gjithashtu njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të kontribuojnë me 10 miliardë dollarë për të mbështetur rindërtimin dhe sigurinë në rajon.
Në këtë takim mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi Kosova është ndër anëtaret themeluese të Bordit të Paqes, i cili ka 27 anëtarë dhe u themelua më 22 janar në Davos të Zvicrës.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka autorizuar këtë trup për mbikëqyrjen e armëpushimit dhe për angazhimin në qeverisje dhe rindërtim.
Trump vlerësoi gjithashtu kontributin e Kosovës dhe tha se shtetet duhet ta kontaktojnë SHBA-në në rast të tensioneve me Serbinë. Osmani reagoi duke thënë: “Do t’ju telefonojmë.” Në një postim në Facebook, presidentja e Kosovës theksoi: “Kosova sot ndjeu peshën e garancisë amerikane.”
Kontributi i Kosovës dhe pjesëmarrja në ISF
Kosova nuk ka nevojë të paguajë 1 miliard dollarë për të qenë anëtare e përhershme, por po shqyrton formën dhe kapacitetin e pjesëmarrjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ISF.
Kryeministri Albin Kurti tha se ky angazhim vjen pas pjesëmarrjes së Kosovës në një konferencë në Doha, Katar, në dhjetor të vitit të kaluar, të organizuar nga Komanda Qendrore e SHBA-së. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, konfirmoi se Kosova është ftuar nga ushtria amerikane për të marrë pjesë.
Komandanti i ISF-së, gjeneralmajori amerikan Jasper Jeffers, bëri të ditur se pesë vendet e para që kanë angazhuar trupa janë Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria, ndërsa Egjipti dhe Jordania do të trajnojnë policinë lokale.
Zbatimi do të fillojë në Rafah, në jug të Gazës, dhe planifikohet të përfshijë afërsisht 20.000 trupa dhe 12.000 policë.
Konteksti i konfliktit
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi në tetor 2023, pas sulmeve të Hamasit që shkaktuan mbi 1.200 viktima në Izrael dhe qindra pengje. Reagimet hakmarrëse izraelite shkaktuan mbi 60.000 viktima në Gaza, krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore.
Plani 20-pikësh i Trumpit për paqe në Gazë, i pranuar nga Izraeli dhe Hamasi, ka paraparë themelimin e Bordit dhe pjesëmarrjen ndërkombëtare për stabilizimin dhe rindërtimin e rajonit.
The Geopost

Wojcik: Prania e SHBA-së në Kosovë mbetet kyçe për stabilitetin rajonal
Rrjeti propagandistik i Vuçiqit: Si funksionon ansambli i regjimit në Serbi
Vuçiq e përdor me tendencë çështjen “Sarajevo Safari” për të sulmuar Prishtinën pas thirrjes së Kurtit për gjykatë ndërkombëtare
Mesazhe nacionaliste nga tribunat në Nish, transparenti për “rikthimin e ushtrisë në Kosovë” u shpërnda edhe në Telegram
Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit në Gazë, përfshihen edhe Kosova e Shqipëria (Harta)
“Mos i besoni asaj që shihni”, eksperti i AI: Inteligjenca artificiale po e mjegullon kufirin mes realitetit dhe propagandës