Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë

Glorifikimi i Putinit si mbështetës i Islamit – fryma e re e dezinformatës

The Geopost January 6, 2026 4 min read
Share the news

Glorifikimi i Vladimir Putinit si një mbështetës i Islamit është njëra nga narrativat e reja dezinformuese e cila është shpërndarë në dhjetëra postime në gjuhën shqipe. 

Verifikuesit e fakteve në muajt e fundit kanë identifikuar qindra përmbajtje të shpërndara në platforma online që trajtojnë fenë islame, e që synojnë audiencën në Kosovë. Hulumtimet dhe analizat tregojnë që një pjesë e madhe e këtyre materialeve lidhet me burime që bazë e kanë Rusinë.

Prezantimi i Rusisë si një vend i fuqishëm ushtarak dhe portretizimi i presidentit rus, Valdimir Putin, si një person i dashur për të tjerët, u publikuan në kanale të ndryshme të komunikimit. Dezinfomrata mbi zhvillimet politike e ekonomike në Kosovë u shpërndanë po ashtu. Shpërndarja e informacioneve jo të sakta, e shpesh edhe jo të plota, vjen edhe nga vetë Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse. Në trendet e fundit është identifikuar rritje e promovimit të Putinit si mbështetës i islamit.

Jeta Loshaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) thotë se ky aktivitet është i qëllimshëm dhe synon ndikimin në opinionin publik në Kosovë.

“Qasja e Rusisë ndaj Kosovës kërkon një analizë më të thellë dhe nuk kufizohet vetëm në dezinformata apo lajme të rreme. Këto veprime nuk kryhen vetëm nga media ruse si Telegram, Sputnik apo Russia Today, të cilat, siç dihet, kanë prani dhe infrastrukturë edhe në Serbi”- thotë Loshaj, raporton Kallxo.

“Mjetet që Federata Ruse përdor për të shpërndarë dezinformata – pra informacione të qëllimshme dashakeqe ndaj Republikës së Kosovës – përfshijnë edhe deklaratat zyrtare të përfaqësuesve politikë të Rusisë, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme”- shton ajo.

Vite më parë, autoritetet ligjzbatuese në Kosovë kishin parandaluar një sulm terrorist që dyshohej se do të realizohej gjatë vitit 2018. Dosja e Prokurorisë Speciale kishte identifikuar një grup që, përmes organizatës terroriste ISIS, planifikonte sulme në disa lokacione, përfshirë edhe zona të banuara me serbë.

Dosja zbulonte gjithashtu se burimi i financimit për blerjen e eksplozivit ishte në Rusi. Qëllimi i këtij operacioni ishte nxitja e tensioneve ndëretnike në Kosovë.

Përmes narrativave të shpërndara, synimi për të shkaktuar pakënaqësi dhe për të organizuar grupe destabilizuese kishte vazhduar. Përmes propagandës, vite më parë shumë të rinj kishin vendosur t’i bashkoheshin organizatës terroriste ISIS.

Një hetues i Policisë së Kosovës, thotë se shpërndarja e informacioneve mbi fenë islame kishte qëllime të qarta.

“Narrativa e tyre është shumë mirë e organizuar dhe u kushtohet rëndësi detajeve që për audiencën mund të kenë ndikim të madh. ISIS-i nuk ka targetuar vetëm persona për t’i shfrytëzuar në luftime, por ka bërë thirrje të hapura që myslimanët të shkojnë dhe të jetojnë në të ashtuquajturin ‘Shteti Islam’”- thotë ai.

Hulumtimet e përmbajtjeve në platforma online zbulojnë tekste dhe video të përkthyera në gjuhën shqipe, ku presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, paraqitet si një njeri që lexon Kuranin. Materialet, që në disa raste janë krijuar me inteligjencë artificiale, e portretizojnë Putinin si përkrahës të islamit dhe duke vizituar xhami.

Sipas hetuesit policor, shpërndarja e narrativave që paraqesin Rusinë dhe presidentin Vladimir Putin në një dritë pozitive është e qëllimshme.

“Kjo është shumë e vërtetë. Si kundërreagim ndaj vendimeve sanksionuese të SHBA-së ndaj disa vendeve myslimane, vërehet një tendencë nga qarqet ruse për të promovuar interpretime të caktuara të islamit. Mundohen ta paraqesin Vladimir Putinin si një personalitet të fuqishëm. Në propagandë dallojmë tri forma: propagandën e bardhë (fakte), të zezën (dezinformata/jo-realitet) dhe propagandën e hirtë, ku një fakt i vërtetë keqpërdoret për të forcuar dezinformatën”- shpjegon ai.

Ekrem Avdiu nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) thotë se vazhdimisht kanë vërejtur shpërndarjen e informacioneve të rreme si një brengë serioze.

“Te ne si myslimanë, në fenë dhe Kuranin tonë, ekzistojnë shumë citate që theksojnë rëndësinë e verifikimit të lajmit. Kjo është një përgjegjësi si për ne fetarët dhe imamët, ashtu edhe për shoqërinë në përgjithësi”- thotë Avdiu.

“Unë mendoj se dezinformatat dhe lajmet e rreme, përfshirë ato që nxisin urrejtje, në disa raste e rrezikojnë edhe sigurinë dhe rendin kushtetues”- përfundon ai.

Rudinë Jakupi, eksperte e sigurisë thotë se dezinformatat mbi çështje fetare kanë qarkulluar për disa vite me radhë në Kosovë.

“Mund të them që ka pasur dezinformata brenda një rrethi relativisht të vogël në Kosovë, por që kanë pasur impakt të madh. Kjo ka ndodhur në një periudhë të caktuar kohore; më së shumti, domethënë pikun e ka arritur para dhe gjatë luftës në Siri. Ka qenë e bazuar në një kombinim të lajmeve të rreme, teorive konspirative dhe narrativave fetare të cilat janë shfrytëzuar, ose keqinformimit fetar”- thotë Jakupi.

Sipas saj, qëllimi ka qenë që Kosova të paraqitet si një shtet i paqëndrushëm.

“Qëllimi kryesor i këtij kombinimi, të këtyre tri llojeve të narrativave, ka qenë të paraqitet sistemi i Kosovës, si anti-islam në thelb”- vlerëson Rudinë Jakupi.

Dezinformimi është vlerësuar në vazhdimësi një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Tags: Dezinformata Rusia Vladimir Putin

Continue Reading

Previous: Dronët ukrainas godasin uzinën më të madhe të baterive në Rusi në Lipetsk
Next: “Nuk do të heqim dorë nga toka jonë”: Rrënjët e qëndresës së Ukrainës

Sistemi i rekrutimit në Rusi i afrohet pikës së thyerjes, duke shkaktuar debat mbi mobilizimin e detyruar 8 min read
  • Botë

Sistemi i rekrutimit në Rusi i afrohet pikës së thyerjes, duke shkaktuar debat mbi mobilizimin e detyruar

The Geopost June 15, 2026
Sekuestrimi i cisternës ruse – Britania arreston edhe 25 anëtarë të ekuipazhit 2 min read
  • Botë

Sekuestrimi i cisternës ruse – Britania arreston edhe 25 anëtarë të ekuipazhit

The Geopost June 15, 2026
Ukraina dhe Moldavia nisin zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian 3 min read
  • Botë

Ukraina dhe Moldavia nisin zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian

The Geopost June 15, 2026
Dronët ukrainas synojnë një strukturë të rëndësishme ruse të naftës dhe një uzinë kimike 3 min read
  • Botë

Dronët ukrainas synojnë një strukturë të rëndësishme ruse të naftës dhe një uzinë kimike

The Geopost June 15, 2026
Arrihet marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit 1 min read
  • Botë

Arrihet marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit

The Geopost June 15, 2026
Zyrtari iranian: Irani pranon të mos prodhojë armë bërthamore 2 min read
  • Botë
  • News

Zyrtari iranian: Irani pranon të mos prodhojë armë bërthamore

The Geopost June 14, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.