Me thirrjet “Rusia”, “Putin”, këngë për “Kosovën serbe”, disa qindra anëtarë të organizatave kombëtare serbo-ruse para selisë së Parlamentit të Malit të Zi më 2 mars, i dhanë mbështetje Rusisë në luftën kundër Ukrainës.
Në tubim morën pjesë anëtarë të grupeve joformale të afërta me Kishën Ortodokse Serbe, lëvizjet çetnike dhe dega malazeze e grupit të motoçiklistëve “Ujqërit e natës”, organizatë që e ka origjinën nga Rusia.
Të tubuarit kishin veshur tringjyrëshe ruse dhe serbe, u pa flamuri i Perandorisë Ruse, si dhe flamuri çetnik me mbishkrimin “Liri ose vdekje” me kafkë.
Në pankartat shkruhej “Serbët në Mal të Zi, rusët në Ukrainë” dhe “Lutjuni Zotit, e mbajuni me Rusinë”.
Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, pasi mblodhi trupa në kufi javë më parë.
Pushtimi u dënua ashpër nga pothuajse të gjitha vendet e botës, si dhe nga Mali i Zi, dhe Rusisë iu kërkua të ndalonte sulmet dhe të tërhiqte forcat e saj nga Ukraina.
Ata që iu drejtuan të mbledhurve para parlamentit malazez i dhanë një mbështetje të qartë Rusisë dhe fajësuan vendet perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara për luftën.
Tubimi në mbështetje të Rusisë dhe Vladimir Putinit zgjati gjysmë ore. Parlamenti malazez ishte i rrethuar me një gardh të dyfishtë metalik dhe pjesëtarë të policisë ishin para ndërtesës së parlamentit. Tubimi kaloi pa incidente.
Një tubim i ngjashëm në mbështetje të Rusisë u mbajt më 28 shkurt në Nikshiq, kur rreth 50 persona mbështetën gjithashtu pushtimin ushtarak rus.
Ministria e Punëve të Jashtme ritheksoi më 1 mars se Mali i Zi vazhdon politikën e përputhshmërisë 100% me politikën e BE-së, duke iu bashkuar masave plotësisht kufizuese, sanksioneve ekonomike dhe individuale të miratuara nga BE kundër Rusisë, pas agresionit ndaj Ukrainës.
Po ashtu, Mali i Zi ishte në mesin e 141 shteteve të OKB-së që kanë votuar pro dënimit të agresionit rus në Ukrainë./RSE

Mediat serbe dhe proruse përhapin propagandë për udhërrëfyesit turistikë dhe rrënimin e objekteve pa leje në veri të Kosovës
Kongresisti Wilson: Serbia të ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Moska
Nga nëntori, rusët, kinezët dhe turqit do të kenë nevojë për viza për të hyrë në Mal të Zi
FAZ rikthen të kaluarën e Vuçiqit: Nga Varrezat Hebraike të Sarajevës te retorika e “Serbisë së Madhe”
Nëna e njërit prej të rinjve të vrarë në “Panda” paralajmëron padi: Vuçiq e di të vërtetën, shteti serb i vrau fëmijët tanë
Si i rekruton Rusia të huajt për luftën në Ukrainë: Nga ofertat joshëse deri te mashtrimi